2013-05-03 12:18:27

Rubrika “Te gurra e besimit”: Shpresat e njeriut (emisioni III)


Në emisionin e tretë të rubrikës “Te gurra e besimit”, ndalohemi tek shpresat e njeriut. Në sa ditët i lëshojnë vendin njëra-tjetrës, në zemrën njerëzore nuk shuhet kurrë shpresa. Çdo ditë lind një shpresë e re, e vogël a e madhe, e ndryshme, në stinë të ndryshme të jetës. Nganjëherë të duket se në zemër është ndezur shpresa, që e mbush jetën plot, se nuk ke më nevojë për asnjë shpresë tjetër. Në rini, mund të jetë shpresa e dashurisë, së cilës i përgjigjet një dashuri tjetër, po aq e madhe. Mund të jetë edhe shpresa për të zënë vendin e dëshiruar në jetën profesionale. Ose suksesi i ëndërruar e i arritur, që ndikon mbi gjithë jetën. Shpresa të mëdha, të bukura, që të duket se ta mbushin shpirtin aq plot, sa nuk zë më. Por kur këto shpresa realizohen, duket qartë se nuk ishin gjithçka. Ndjehet nevoja për një shpresë, që të çon shumë më larg, shumë më lart. Nis të ndjehet etja njerëzore për pafundësinë, për të arritur të paarritshmen. Në këtë udhë eci koha moderne, që i premtoi njeriut ndërtimin e një bote të përkryer, e cila, falë njohurive shkencore dhe politikës së bazuar shkencërisht, u duk si e realizueshme. Kështu shpresa në mbretërinë e Hyjit, u zëvendësua nga shpresa në mbretërinë e njeriut, nga shpresa në një botë më të mirë, që do të ishte ‘’mbretëria e vërtetë e Zotit” mbi tokë. Kjo u duk, më në fund, si shpresë e madhe, realiste, për të cilën njeriu kishte vërtet nevojë. Prej këndej, arriti t’i mobilizonte, për një fare kohe, të gjitha energjitë, duke krijuar bindjen se objektivi i madh i meritonte flijimet. Por, në rrjedhë kohe, kjo shpresë nisi të ikte, të bëhej gjithnjë më e largët. U pa, atëherë, se ishte shpresë për njerëzit e së pasnesërmes, por jo për ne, njerëzit e së sotmes. E me që u përdor edhe shprehja ‘për të gjithë’, pjesë përbërëse e shpresës së madhe, sepse njeriu nuk mund të bëhet i lumtur kundër ose pa të tjerët, u pa gjithnjë më qartë se është shpresë që nuk na përket ne e, prej këndej, nuk mund të jetë shpresë e vërtetë. Atëherë u kuptua edhe se kjo shpresë, duke qenë e rreme, i kundërvihej lirisë. E një botë pa liri, nuk mund të jetë botë e mirë. Kështu, ndonëse impenjimi për ta bërë botën më të mirë është shumë i nevojshëm, bota e së nesërmes nuk mund ta shuajë etjen e njerëzve të së sotmes. Atëherë lindi natyrshëm një breshëri pyetjesh të reja: “Po kur mund të themi se bota është e mirë? Sipas ç’kriteri mund ta vlerësojmë si të mirë? E me ç’rrugë mund të arrihet kjo mirësi?”.
Ndjehet përsëri etja për gurrën e besimit, prej nga burojnë shpresa të vogla e të mëdha, ditë për ditë. Pikërisht këto shpresa na mbajnë në këmbë. E mbi të gjitha, shpresa më e madhe, Zoti, që rrok universin e që premton të na japë çka nuk mund ta fitojmë vetë. Atë që askush tjetër nuk është në gjendje të na e japë. Zoti është themeli i shpresës. Zoti na e shuan etjen tonë në gurrat e besimit. Jo çdo zot, por vetëm ai që ka fytyrë njerëzore, që na deshi deri në fund të fundit, që vijon të na dojë, secilin nga ne e mbarë njerëzimin.Etja për dashuri, në emisionin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.