2013-05-03 11:55:18

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 6-të të Pashkëve “C”


Paqja vjen prej së larti! Ja përsëri në takimin tonë javor me Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 6-të të kohës së Pashkëve, ciklit të tretë, sipas kalendarit kishtar.
Tema kryesore e leximeve biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele janë dhuratat e Krishtit të Gjallë: paqja dhe Shpirti Shenjt. Në fjalimin e tij të lamturimirës, që na sjell Ungjilli i kësaj së diele, Jezusi nuk i le vetëm dishepujt e tij; premton se do të jetë i pranishëm në dhuratën e Shpirtit Shenjt, në eksperiencën e dashurisë e në dhuratën e paqes. Me shenja të kësaj pranie dishepujt do të fitojnë mbi çdo frikë.
Kështu në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele (Gjn 14,23-29) Jezusi thotë: “Nuk ju lë jetimë”- Jetimi është imazhi më i dhimbshëm i vetmisë së njeriut. E vetmia është e keqja që na heq paqen e zemrës, që than e shteron të qenurit njerëzor. Shkatërron.
Megjithatë Jezusi ka premtuar se do mbetët gjithmonë me ne e na ka dërguar Shpirtin Shenjt, Ngushëlluesin. E pastaj Jezusi shton: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ia do të vijmë dhe tek ai do të banojmë”. Fryt i këtij banimi të Hyjit në ne është paqja: “ Po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Nuk po jua jap siç jua jep bota”.
Ja tema e fjalës së Zotit që liturgjia na propozon këtë të diele: të jetosh sipas Ungjillit. Sepse ky është vullneti i Zotit, e vetmja dhe e mira më e madhe e njeriut: në vullnetin e Zotit gjen paqen dhe lumturinë e jetës.
Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Vap 15, 1-2.22-29
Koncili i Jerusalemit shënon një datë vendimtare në historinë e Kishës: deklarohet ndarja nga judaizmi dhe hapja ndaj botës pagane. Apostujt pohojnë: nëse paganët janë thirrur drejt shpëtimit është vullneti i Hyjit, për këtë askush nuk duhet të pengojë kthimin e paganëve drejt krishterimit. Nga ana tjetër Koncili u kërkon paganëve të kthyer të mos ofendojnë hebrenjtë që ndihen të lidhur nga disa tradita.

Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë, zbritën disa prej Judesë dhe filluan t’i mësojnë vëllezërit: “Po nuk u rrethpretë sipas dokes së Moisiut, nuk mund të shëlboheni.” U bë një grindje dhe një rragatje jo e vogël ndërmjet tyre dhe Palit e Barnabës. U përfundua që Pali, Barnaba e disa tjerë prej tyre të shkojnë në Jerusalem tek apostujt e pleqtë për ta sqaruar çështjen.
Atëherë apostujt e pleqtë në përkim me mbarë Kishën, përfunduan që t’i zgjedhin disa njerëz prej tyre e t’i dërgojnë bashkë me Palin e Barnabën, në Antioki. U caktuan Juda që quhet Barsabë, dhe Sila, njerëz me rëndësi ndër vëllezër. Për duar të tyre u dërguan këtë letër: “Apostujt dhe pleqtë, vëllezërit, vëllezërve të kthyer prej paganëve në Antioki, në Siri, e në Cilici, përshëndetje!
Pasi morëm vesh se disa prej tanëve, por pa lejen tonë, erdhën dhe ju trazuan me disa fjalë duke ua shqetësuar shpirtin, ne, prandaj, caktuam, në përkim të plotë të të gjithëve, të zgjedhim disa njerëz e t’i dërgojmë ndër ju bashkë me të dashurit tanë Barnabën e Palin, njerëz që ia kanë kushtuar jetën e vet Zotit tonë Jezu Krishtit.
Po ju dërgojmë, pra, Judën e Silën, të cilët do t’jua kumtojnë gojarisht po të njëjtën gjë. Përfunduam, pra, Shpirti Shenjt dhe ne të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përmbi ato që janë të nevojshme: të ruhemi prej mishit të flijuar idhujve, prej gjakut, prej mishit të bagëtisë së furur ose të mbytur në ujë dhe nga fëlligështia. Bëni mirë nëse do të ruheni nga këto. Shëndet e të fala.” Fjala e Zotit.

Psalmi 67

Popuj të gjithë, lavdërojeni Zotin
--- --- ---
Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,
bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
që në tokë të njihet udha e tij,
në të gjitha kombet shpëtimi i tij.
--- --- ---
Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,
sepse popujt i gjykon me drejtësi,
sepse kombet mbi tokë ti i sundon.
--- --- ---
Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
Na bekoftë Hyji!
Frikë e paçin mbarë skajet e botës!
--- --- ---

Leximi i dytë Zb 21, 10-14.22-23

Gjoni paraqet Kishën si Jerusalemin e ri, që me përvujtëri dhe lodhje ecën përgjatë shekujve në pritje për të shkëlqyer në lavdinë e Hyjit Atë dhe të Krishtit të ringjallur. Por, që tani, të krishterët janë thirrur për të vendosur themelet e qytetit të ardhshëm që shkëlqen nga drita e Hyjit.

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull

Engjëlli më kaloi në shpirt në maje të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit! Shkëlqente nga lavdia e Hyjit: i shndritshëm porsi guri i paçmueshëm, porsi guri diaspër kristalor. Rreth e rreth me mure të mëdha e të larta; kishte dymbëdhjetë dyer e në dyer dymbëdhjetë engjëj dhe të shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.
Në lindje tri dyer, në veri tri dyer, në jug tri dyer e në perëndim tri dyer. Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele e mbi to dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit. Sheshi i qytetit – ar i kulluar, i tejpashëm porsi kristali. Në qytet tempull nuk pashë: sepse tempulli i tij është Zoti, Hyji, i Gjithëpushtetshmi edhe Qengji. Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë për t’u ndriçuar, sepse e ndriçon Lavdia e Hyjit, kurse llamba e tij është Qengji.
Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti.
Ati im do ta duajë e tek ai do të banojmë.
Aleluja!

Ì Ungjilli Gjn 14, 23-29

Pasi ka premtuar paqen e tij, Krishti u premton apostujve dërgimin e Shpirtit Shenjt. Shpirti i është dhuruar Kishës për të realizuar fjalën e Krishtit dhe për të dëshmuar Ungjillin.
Në bindje ndaj dashurisë së Krishtit pas mundimeve të tij, Kisha është e mbështetur nga veprimi i Shpirtit dhe zbulon gëzimin e Zotit të ringjallur.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, e Atit. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë. Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota. Mos t’ju shqetësohet zemra as të mos ju trembet. Ju dëgjuat se ju thashë: ‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’. Po të më donit, do të galdonit se po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. Ju thashë tani, para se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë.”
Fjala e Zotit.

Më shumë mbi programin tonë kushtuar liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, mund të dëgjoni edhe këtu..........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.