2013-05-03 16:20:17

Egjipt: imzot Fahim Hanna komenton takimin e ardhshëm të Papës Françesku me Patrikun Tawadros


“Vizita e ardhshme e Patrikut kopt-ortodoks Tawadros tek Papa, parashikuar për të shtunën, 11 maj, mund të ketë rezultate të rëndësishme për rifillimin e ecjes drejt bashkimit të plotë të të krishterëve”. Këtë uron ipeshkvi kopto-katolik Botros Fahim Awad Hanna, duke folur për agjencinë Fides. Prelati u emërua kohët e fundit në krye të Heparkisë kopto-katolike të Minias, 250 kilometra në jug të Kairos.
Ky është shtegtimi i parë i Patrikut Tawadros jashtë Egjiptit, që nga dita e zgjedhjes së tij, më 4 nëntor. Patriku vjen për vizitë në Vatikan 40-vjet pas takimit të Palit VI me Shenudën II, paraardhës i Tawadros. Në atë rast, ndërmjet dy Kishave nisi dialogu teologjik i cili, në vitin 1988, përfundoi me një marrëveshje dhe me një deklaratë të përbashkët mbi kristologjinë, që duhet t’u jepte fund shekujve të keqkuptimeve e të mosbesimit. Në Deklaratën e përbashkët kristologjike, Kisha Katolike dhe Kisha Kopto-Ortodokse dëshmojnë se kanë të njëjtën fe në “Zotin tonë, Hyj e Shëlbues, Jezu Krishtin, Fjalën e Mishëruar, që është i përkryer në natyrën e tij hyjnore e i përkryer në natyrën e tij njerëzore”.
Por që asokohe, vëren ipeshkvi Fahim Hanna, kjo deklaratë e përbashkët kristologjike nuk pati efekte praktike. Uroj, prandaj, thekson, që me vizitën e Patrikut të ri kopto-ortodoks tek Ipeshkvi i Romës, të dyja Kishat të afrohen më shumë, si në planin shpirtëror, ashtu edhe në atë baritor, derisa të arrihet po ky afrim edhe në nivel teologjik e doktrinor. Papa Tawadros, vijon ipeshkvi Fahim Hanna, na përsërit shpesh se barinjtë edhe besimtarët e Kishave në Egjipt, duhet të bëjnë hapa të rinj afrimi, duke e dashur njëri-tjetrin e duke ua lënë teologëve detyrën për t’i përballuar problemet doktrinore. Shpresoj se vizita e Patrikut të ri kopto-ortodoks tek Papa i ri, do të krijojë mundësi për të rifilluar dialogun teologjik të thellë e plot respekt për njëri-tjetrin, përfundon prelati egjiptian, për të rinisur, kështu, edhe udhën e cila një ditë do të mund të na çojë deri në bashkimin e plotë sakramentor.







All the contents on this site are copyrighted ©.