Papa: Kisha është bashkësi e “po”-së, pasi lind nga dashuria e Krishtit
Kisha është bashkësi, që i thotë “po” Zotit e të afërmit, pasi lind nga dashuria e
Krishtit. Kështu tha sot paradite, Papa Françesku, gjatë meshës së kremtuar në kapelën
e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë nënvizoi se kur të krishterët
nuk e lejojnë Shpirtin Shenjt të punojë, atëherë fillojnë ndarjet në Kishë. Papa
Bergolio u ndal në hapat e para të Kishës, e cila pas Rrëshajëve, doli nëpër udhët
e botës, në “periferitë e fesë”, për të kumtuar Ungjillin. Shpirti Shenjt, vërejti
Papa, bën dy gjëra: “së pari, shtyn, nxit” e sjell edhe ndonjë “problem”, por pastaj
krijon “harmoni në Kishë”. Në Jeruzalem, ndërmjet dishepujve të parë të Krishtit,
kishte opinione të ndryshme për pjesëmarrjen e paganëve në Kishë: “Ekzistonte
një Kishë e ‘Jo, nuk mundemi; jo, jo, duhet, duhet, duhet…’ dhe kishte një Kishë të
‘Po: por… ta mendojmë punën, është Shpirti Shenjt, që na e hap portën’. E Shpirti
Shenjt duhej të bënte punën e tij të dytë: të krijonte harmoni ndërmjet këtyre qëndrimeve,
harmoni në Kishë, ndërmjet atyre në Jeruzalem e, ndërmjet atyre e paganëve. Është
një punë e bukur, që Shpirti i Shenjtë e bën mirë gjithmonë, në histori. E kur ne
nuk e lejojmë të punojë, fillojnë ndarjet në Kishë, sektet, e të gjitha këto gjëra…
sepse ia mbyllim zemrën së vërtetës të Shpirtit Shenjt”. Por cila është pra,
fjala kyç në këto mosmarrëveshje të zanafillës së Kishës? Papa Françesku kujtoi fjalët
e Jakobit, ipeshkvit të Jeruzalemit, i cili nënvizon se nuk mund t’u ngarkohet dishepujve
një barrë, një zgjedhë, që as vetë etërit nuk kishin qenë në gjendje ta mbanin: “Kur
shërbimi ndaj Zotit bëhet një zgjedhë kaq e rëndë, portat e bashkësisë së krishterë
mbyllen: askush nuk dëshiron të vijë tek Hyji. Ndërsa ne besojmë se jemi shëlbuar
për hirin e Zotit tonë Jezu Krisht. Prandaj, së pari ta kumtojmë këtë hir, pastaj
të shohim se ç’ndodh”. Papa shpjegoi se ç’do të thotë kjo zgjedhë e rëndë
për Kishën, sot. Jezusi, kujtoi, u kërkon të gjithëve të bëjnë pjesë në dashurinë
e Tij. E nga kjo dashuri rrjedh respektimi i Urdhërimeve të Tënzot. Vetëm kështu bashkësia
e krishterë bëhet bashkësi e “po”-së, e dyerve të hapura, pasi i thotë “po” dashurisë
së Krishtit, e cila na bën të themi edhe “jo”. Pikërisht sepse e dua Zotin, nuk i
bëj disa gjëra, nënvizoi Ati i Shenjtë: “Është bashkësi e ‘po’-së dhe ‘jo’-të
janë pasojë e kësaj ‘po’-je. T’i lutemi Zotit që Shpirti i Shenjtë të na ndihmojë
gjithmonë, për t’u bërë bashkësi dashurie, dashuri për Jezusin, që na ka dashur shumë.
Bashkësia e kësaj “po”-je. E duke filluar prej këndej, të respektojmë Urdhërimet.
Bashkësi portash të hapura. E të na mbrojë nga tundimi për t’u bërë puritanë, në kuptimin
etimologjik të fjalës, pra të kërkojmë një pastërti para-ungjillore, të bëhemi bashkësi
e “jo”-së. Pasi Jezusi na kërkon dashurinë së pari, dashurinë për Të e do që të mbetemi
në dashurinë e Tij”. Kështu pra, përfundoi Papa Françesku, kur bashkësia e
krishterë jeton me dashuri, i rrëfen mëkatet, e adhuron Zotin e i fal fyerjet. Shpreh
dashuri për të tjerët, bën bamirësi, duke e ndjerë detyrimin për t’i qëndruar besnike
Hyjit e për t’u sjellë ashtu si thonë Urdhërimet e Tënzot.