Kisha katolike muajin maj që posa e kemi filluar ia kushton nderimit të Virgjërës
Mari, Nënës së Zotit. Besimtarët katolikë gjatë këtij muaji ngarendin tek Nëna e Jezusit
e asaj ia besojnë jetën e tyre personale e familjare. Maji është kohë lutjeje e bashkimi
më të ngushtë me Nënën e ne të gjithëve, e cila na prin tek Jezusi Shpëtimtar. E Papa
na thërret në këtë muaj të lutemi në mënyrë që “sipas shembullit të Vigjërës Mari,
çdo i krishterë, të jetë përherë i kujdesshëm ndaj shenjave të Zotit që përjeton e
has në jetën personale, dhe Fjalën e Zotit ta ketë prijëse jete. Po cilat janë
veçantinë e muajit maj që Kisha ia kushton nderimit të Zojës së Bekuar? “Muaji
i maji është muaji i bukurisë; është muaji në cilën shpërthen krijimi, përmes luleve
e ke përshpytjen se tërë krijimi vishet me veshjen më të bukur.. E mirë pra, veshja
më e bukur e njerëzimit është Maria. Besoj se çasti më i rëndësishëm i muajit maj
duhet të jetë ai i irzbulimit të bukurisë së lutjes mariane e posaçërisht i lutjes
së Rruzares Shenjte nëpër familje në shtëpi, në gjirin familjar. Mund të themi se
dikur Rruzarja e Shenjtë ishte një element i domosdoshëm për jetën e përditshme të
familjes së krishterë. Duke lutur Rruzaren, besimtarët mbushen përplot me Zotin, deri
sa i luten së bashku me Marinë. Si ta përmirësojmë në këtë muaj lutjen tonë
drejtuar Virgjërës Mari? Mbi të gjitha duke e imituar Marinë, duke iu lutur
Shenjtorëve. Ti lutësh Shenjtorëve nuk do të thotë thjesht ti kemosh, një Shenjtor
nuk ka nevojë për kemim: ti lutësh Shenjtorëve, të shkosh tek Shenjtorët domethënë
të pranosh e të njohësh në Shenjtorët një shembull feje e dashurie. E në Virgjërën
Mari ne njohim në mënyrë të posaçme shembullin, modelin e fesë. Ne duhet ti afrohemi
Marisë për të mësuar nga Maria besimin, fenë, për të mësuar nga Maria përvujtërinë,
hapjen e zemrës ndaj Zotit. Eshtë kjo një udhë meditimi që zbulojmë duke recituar
çdo ditë Besojmën. Kështu, për ta thënë apo lutur mirë Rruzaren e Shenjtë është e
nevojshme që në shtëpi tona të ndjehet atmosfera e lutjes. Lutja nuk vjen vetvetiu.
Në se në shtëpi ndjehet fryma e fesë, është e lehtë të krijohen kushtet e nevojshme
për ta lutur me zemër e fe edhe Rruzaren. Dua të përmendi edhe faktin se kur lutet
Rruzarja ndjehet zëri i popullit të Zotit, familja bëhet një gjë e vetme me të, ndjehet
misteri i Jezusit të pranishëm në mes të atyre që janë të mbledhur në emër të Tij.