Kardinali Dziwisz në Universitet të Tiranës: Njeriu është rruga jonë e përbashkët.
Të ecim gjurmëve të Gjon Palit II
Në një ceremoni të veçantë, më 25 prill, Senati Akademik i Universitetit të Tiranës
i akordoi titullin Doktor Honoris Causa, Kardinalit të Kishës Katolike Romake, Arkipeshkvit
të Krakovës, Stanislav Dziwisz. Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit të Tiranës,
Dhori Kule, lexoi motivacionin e këtij titulli. “Ne emër të Senatit, i përcjell Shkëlqesisë
së tij, zotit Stanislaw Dziwisz, vendimin që kemi marrë. Republika e Shqipërisë Universiteti
i Tiranës, i jep zotit Stanislaw Dziwisz titullin, doktor Honoris Causa, me motivacionin:
‘Për kontributin e dhënë për kalimin e Shqipërisë nga diktatura në demokraci, përmes
kujdesit, interesimit dhe ndihmës së dhënë shqiptareve në çdo fushë të jetës, në ndërtimin
e demokracisë dhe mbështetjes së çështjeve të Shqipërisë pranë kancelarive diplomatike
të Shteteve te ndryshme”. Duke iu drejtuar auditorit me modesti, kardinali Stanislaw
Dziwisz tha se “me vjen keq që akoma nuk di të flas shqip. Por ky titull me detyron
që të mësoj më shumë edhe rreth gjuhës shqipe”. Në fjalën e tij, kardinali solli disa
kujtime të tij si sekretar privat për 40 vjet rresht, i Papa Gjon Palit II. Ai tha
se ka qenë dëshmitar i lutjeve të Papës Gjon Palit II për popullin shqiptar e Shqipërinë. “Unë
kam qenë dëshmitar e mund t’ju them se Shqipëria qe pjesë e lutjeve të përditshme
që Papa Gjon Palit II i drejtonte Zotit”, është shprehur kardinali Stanislav Dziwisz.
Po ja fjala e plotë e kardinalit shqiptuar me këtë rast në Universitetin e Tiranës:
Shkëlqesi,
Zotërinj të nderuar Anëtarë të Senatit, Profesorë të nderuar, të dashur studentë,
Zonja e Zotërinj! 1. Me gëzim të madh e mirënjohje marr sot titullin honoris
causa nga Universiteti i Tiranës. Falënderoj Rektorin e Autoritetet e Universitetit
të cilët më atribuan një titull që kaq shumë më nderon. Jam plotësisht i ndërgjegjshëm
që titulli i cili më atribuohet sot i detyrohet para së gjithash Atit të Shenjtë
Gjon Pali II. Këtë bindje ma forcon fakti që dita e kësaj mbledhjeje akademike solemne
nuk është zgjedhur rastësisht. Pikërisht sot, siç e dimë është 20 vjetori i vizitës
së Papës së Lumë në Shqipëri, në vendin tuaj fisnik, një vizitë e shkurtër, por mjaft
intensive dhe domethënëse! Nuk do ta harroj kurrë atë ditë – 25 Prill 1993 – edhe
pse ruaj në zemër shumë kujtime nga shërbimi im i gjatë pranë Kardinalit Metropolitan
të Krakovës, Karol Wojtyla, dhe më pas pranë Ipeshkvit të Romës Gjon Pali II, i cili
më 16 tetor 1978 u bë pasardhësi i Apostullit Pjetër. Për gati 40 vjet kam qenë dëshmitar
i çdo dite të jetës dhe punës, të takimeve të panumërta, të lutjes dhe vuajtjes së
këtij njeriu, udhëheqës i madh shpirtëror jo vetëm i Kishës Katolike, por edhe e mbarë
botës. E kam shoqëruar në 104 udhëtime në qytete të ndryshme të Italisë dhe në 317
vizita në famullitë e Romës. Kam parë prej afër formimin e dokumenteve të mësimeve
papnore të Gjon Palit të II: 14 enciklika, 15 thirrje apostolike, 11 kushtetuta apostolike,
45 letra apostolike etj... dy Kodikëve të së Drejtës Kanonike (për Kishën Latine dhe
për Kishat e Lindjes) dhe përveç gjithë këtyre, kam qenë i pranishëm në shumë homeli,
katekizma, ligjërata. E gjithë kjo përbën një trashëgimi të madhe shpirtërore dhe
intelektuale, jo vetëm të Kishës Katolike. Jam i bindur që edhe gjeneratat e ardhshme
do të huazojnë shumë nga kjo trashëgimi. Në të përfshihet një vizion i realitetit
– vizioni i Hyjit, i botës dhe njeriut, vizion i cili mund të ndihmojë në kërkimin
e përgjigjeve dhe në përballjen e sfidave përpara të cilave gjendemi e do të gjendemi
në botën e cila po ndryshon para syve tanë. 2. Meqenëse tradita universitare
parashikon që një doktor i ri honoris causa të mbajë një konferencë e cila quhet lectio
magistralis, do të doja të bashkëndaja disa refleksione të lidhura me pontifikatin
e Gjon Palit të II. Dëshiroj të tërheq vëmendjen mbi kontributin e padiskutueshëm
të tij në rrëzimin e sistemit totalitar komunist në Evropë, regjim i cili për dhjetëra
vite ka shtypur vendet në këtë anën tonë të botës. Po mendoj veçanërisht për Shqipërinë
e Poloninë. Gjon Pali i II duke u bërë Papë solli me vete në mënyrë të natyrshme eksperiencën
e tij polake. E kishin formuar kultura dhe historia polake, thellësisht të lidhura
me kulturën dhe traditën e krishterë. Polonia e kishte marrë pagëzimin më shumë se
1000 vjet më parë, në vitin 966. Papa i vinte gjithnjë në dukje rrënjët e ti polake
pasi ishte i bindur se një person me identitet qartësisht të përcaktuar mundet pa
asnjë vështirësi të zgjerojë kufijtë e zemrës së tij, ti hapet pasurisë së kulturave
të tjera, traditave dhe vendeve të tjera. Në rastin e një Pape, kulturat, traditat
dhe kombet kanë të drejtën të gjejnë vend në zemrën e tij. Papa Gjon Pali II përveç
eksperiencës polake, kishte dhe eksperiencën personale nga dy regjime totalitare të
shekullit të 20-të. Gjatë luftës së dytë Botërore kishte eksperimentuar atë çka ishte
ideologjia e nacional – socializmit. Simbol i kësaj ideologjie ishte bërë kampi i
përqendrimit Auschwitz-Birkenau, ndërtuar jo larg Wadowicës – vendlindja e Papës
së ardhshëm Në këtë kamp kishin vrarë më shumë se 1 milion qenie njerëzore nga shumë
vende të Evropës, veçanërisht Çifutë dhe Polakë. Karol Wojtyla kishte eksperimentuar
edhe atë ç’ka ishte sistemi komunist i imponuar Polonisë, Shqipërisë dhe vendeve
të Evropës Qendrore Lindore. Papa i ardhshëm për më shumë se 30 vjet përgjatë jetës
së tij në moshë madhore ishte përballur me këtë sistem, në cilësinë e bariut – si
famullitar dhe ipeshkëv. Mbështeste idenë se ideologjia marksiste ishte e dëmshme
pasi përmbante në vetvete një ”gabim antropologjik”. Ajo ndërtonte një vizion të botës
dhe të njeriut pa asnjë bazë, burim dhe rrënjë. Pa asnjë shpresë. Ideologjia komuniste
ndante në mënyrë antagoniste shoqërinë në klasa të huaja mes tyre. E ashtuquajtura
diktaturë e proletariatit në realitet tregonte një diktaturë të drejtpërdrejtë kundër
njeriut, edhe kundër njeriut të varfër. Fraza ”proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni”
ishte një slogan i thjeshtë, pasi- siç e kemi vënë re edhe ne vetë në Poloni dhe Shqipëri
– regjimi komunist nuk ka ndërtuar komunitet njerëzor. Sistemi i këpuste lidhjet
mes njerëzve, krijonte antagonizma, shkatërronte, izolonte. Për këtë Gjon Pali II
nuk pranoi kurrë që e ardhmja e botës mund të varej nga marksizmi, pasi e dinte nga
eksperienca personale që ”një ilaç” i këtij lloji ishte akoma më i keq se sëmundja
e një kapitalizmi të egër. Vetë zgjedhja Papë e Karol Wojtylës në vitin 1978 qe një
sfidë e madhe për sistemin komunist. Në Poloni zgjedhja e tij qe një tronditje e
vërtetë. Nga njëra anë krijoi një shpresë të madhe në vend dhe nga ana tjetër minoi
sistemin politik. Kjo u bë e qartë gati një vit më pas, gjatë udhëtimit të parë, vizitës
së parë të Gjon Palit të II në vendlindjen e tij, në qershor të vitit 1979. Fjalët
e shqiptuara në atë kohë përbënin një sfidë që i bëhej gjithë sistemit komunist.
Papa fliste në emër të të gjithë atyre të cilëve u kishin hequr të drejtën e fjalës.
Një vit më pas lindi në Poloni ”Solidarnosh” sindikata e parë e lirë e vendeve komuniste.
Edhe pse u desh të pritej akoma edhe 9 vjet, më në fund sistemi komunist u përmbys
në Poloni në vitin 1989 dhe më pas edhe në vendet e tjera përfshirë Shqipërinë. Ja
vlen vërtet ta kujtojmë këtë skenar. 3. Në fjalimin që mbajti para trupit
diplomatik më 13 maj 1990, Gjon Pali II i përmblodhi në këtë mënyrë ngjarjet e vitit
1989: “Varshavë, Moskë, Budapest, Berlin, Pragë, Sofie, Bukuresht, për të përmendur
vetëm kryeqytetet, janë kthyer praktikisht në etapa të një shtegtimi të gjatë drejt
lirisë. Duhet ti bëjmë homazh popujve të cilët duke paguar çmimin e sakrificave të
panumërta, kanë ndërmarrë me guxim këtë shtegtim. Po ashtu dhe përgjegjësve politikë
të cilët e kanë favorizuar këtë. Ajo ç’ka është më e admirueshme në ngjarjet, dëshmitarë
të të cilave kemi qenë ne vetë, është se popuj të tërë kanë marrë fjalën: gra, të
rinj, burra kanë mposhtur frikën. Qenia njerëzore shfaqi burime të pashtershme dinjiteti,
guximi dhe lirie të cilat i ruante brenda shpirtit të tij. Në vende në të cilat partia
për vite me radhë ka diktuar të vërtetën tek e cila duhej besuar dhe domethënien
që duhej ti jepej historisë, këta vëllezër kanë vërtetuar se nuk është e mundur të
mbyten liritë themelore që i japin një qëllim jetës së njeriut: liria e mendimit,
ndërgjegjes, fesë, liria e shprehjes, e pluralizmit politik e kulturor”. Disa vite
më vonë erdhi radha e Tiranës dhe e Shqipërisë. Eksperienca e vendit tuaj ka qenë
më e vështira mes gjithë vendeve që i ishin nënshtruar regjimit komunist çnjerëzor
dhe pa Zot. Gjatë gjithë kësaj kohe keni qenë në lutjet e përditshme dhe në zemrën
e Gjon Palit të II. Në Vatikan kemi pritur me shpresë në zemër që edhe për ju, pas
rënies së regjimeve totalitare të Evropës Qendrore e Lindore, të ndriçonte agimi
i lirisë dhe shpresës. Dhe ia arritëm. Për Gjon Palin e II ishte kthyer në prioritet
një vizitë sa më shpejt të ishte e mundur në vendin tuaj. Bëhej fjalë për një hov
shpirtëror të zemrës së tij. Ai e dinte se ç’ishte komunizmi. Ishte në dijeni që
ju kishit vuajtur më shumë se çdo komb tjetër. Këto ditë ndërsa po përgatitesha për
një vizitë tjetër në vendin tuaj, i rilexova fjalimet e Gjon Palit të II, mbajtur
në tokën shqiptare 20 vjet më parë, më 25 prill. Ato përbëjnë një provë rileximi e
kuptimi të eksperiencës së vështirë të kombit shqiptar në këndvështrimin e besimit
dhe shpresës. Më lejoni të kujtoj fjalët e Atit të Shenjtë nga mesazhi drejtuar Kombit
Shqiptar, të shprehura pikërisht këtu në Tiranë. Fillimisht ju kujtoi ju dhe botës
mbarë rrugën tuaj të kryqit: “Rruga e Kryqit e popullit tuaj ka qenë një tragjedi
e vërtetë tronditëse nën ashpërsinë e shtypjes komuniste. Në fakt ishte i tmerrshëm
imazhi i jetës njerëzore në regjimet totalitare siç edhe ai që ju keni njohur, e në
të cilin privohej njeriu nga një prej të drejtave të tij më thelbësore: liria e gjykimit
të tij dhe e veprimit të tij; liria e ndërgjegjes. Privim, pra fjala që jo rrallë
ka marrë karakterin e një shëmtije të papërshkruar” (n.2). Por arriti dhe dita e
lirisë e shumëpritur prej kohësh. “Ju - tha Papa – keni rifituar lirinë praktikisht
jo me gjakderdhje. Keni dalë në sipërfaqe gati mrekullisht nga një hon tiranie dhe
vdekjeje. Kur dukej se tashmë po shuhej çdo motiv i arsyeshëm besimi, ja lindi agimi
i çlirimit. U ringjall guximi i të ekzistuarit, u ndez përsëri drita e shpresës”.
Më pas Gjon Pali II tha fjalë të rëndësishme, gati një himn për lirinë fetare: “ liria
fetare (....) nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Hyjit për të gjithë ata që kanë
hirin e besimit: është një dhuratë për të gjithë, pasi është garanci thelbësore e
çdo shprehje tjetër lirie. Ajo prek njeriun në brendësinë e tij, në atë tempull të
paprekshëm që është ndërgjegjja, aty ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe
fiton një vetëdije të plotë të dinjitetit të tij. Nga kjo liri kur ajo përdoret në
mënyrë korrekte, nuk mund të kihet frikë prej asnjë pështjellimi social. Besimi i
sinqertë, në fakt nuk i ndan njerëzit por i bashkon, edhe në atë çka kanë të ndryshme.
Asgjë nuk na kujton siç na kujton besimi që nëse kemi një Krijues të vetëm atëherë
jemi të gjithë vëllezër! Liria fetare është kështu një flamur kundër totalitarizmave
dhe një kontribut vendimtar për vëllazërimin njerëzor. Liria e vërtetë fetare i largohet
orvatjeve të intolerancës dhe sektarizmit, dhe promovon qëndrime për një dialog konstruktiv
dhe të respektueshëm.” (n.3) 4. Sot mund të themi se vizita e Gjon Palit
të II në Shqipërinë e lirë ishte në njëfarë mënyre realizimi i fjalëve që kishte formuluar
më 22 tetor 1978, ditën e inaugurimit të pontifikatit të tij, i cili u shpalos i gjatë
dhe i jashtëzakonshëm. Atëherë i lëshoi thirrje gjithë turmës së mbledhur në Sheshin
e Shën Pjetrit në Romë, por praktikisht i drejtoi thirrje gjithë botës, edhe asaj
pjese që atëherë ishte e mbyllur pas një perdeje të hekurt, siç ishte Shqipëria dhe
vendet e tjera:. “Mos kini frikë!, Hapini, hapjani krejtësisht dyert Krishtit! Hapjani
pushtetit të Tij Shpëtimtar kufijtë e Shteteve, si sistemet ekonomike ashtu dhe ato
politike, hapësirat e gjëra të kulturës, qytetërimit, zhvillimit. Mos kini frikë!
Krishti e di se çfarë ndryhet brenda njeriut. Vetëm Ai e di!....(....) Lejojeni Krishtin
ti flasë njeriut. Vetëm Ai ka fjalë për jetën, po, për jetën e amshuar (homelia n.
5). Këtyre fjalëve të Gjon Palit të II iu referua Ati i Shenjtë Benedikti XVI dy
vite më parë, gjatë ceremonisë së lumturimit të paraardhësit të tij. Atëherë tha
këto fjalë: “Atë çfarë Papa i sapozgjedhur i kërkonte të gjithëve, e ka bërë ai vetë
i pari: ia hapi shoqërinë, kulturën, sistemet politike dhe ekonomike Krishtit, duke
ndryshuar, përmbysur me forcën e një gjiganti – forcë që i vinte nga Hyji – një tendencë
e cila mund të dukej e pakthyeshme. Me dëshminë e besimit të tij, të dashurisë dhe
të guximit apostolik, shoqëruar nga një ndjenjë e madhe njerëzore, ky bir i jashtëzakonshëm
i kombit polak i ndihmoi të krishterët e të gjithë botës të mos kenë frikë të deklarohen
të krishterë, se i përkasin Kishës, të flasin për Ungjillin. Me një fjalë – tha Benedikti
i XVI – na ndihmoi të mos kemi frikë nga e vërteta, pasi e vërteta është garancia
e lirisë” ( homelia 1 V 2011). 5. Meqenëse gjendemi në një Universitet,
duhet të kujtojmë se Gjon Pali i II ishte një njeri i shkencës dhe kulturës. Personalisht
vetë ka qenë profesor dhe autor i shumë librave dhe artikujve. Takohej me shumë kënaqësi
me persona nga ambiente akademike. Ishin ambienti i tij dhe në këtë kuadër e ndjente
veten shumë mirë. Në këto ambiente ishte shprehur edhe mbi çështje thelbësore. Ja
se çfarë ka thënë ndër të tjera për prirjen e universitetit: “Prirja e çdo universiteti
është ti shërbejë së vërtetës: ta zbulojë dhe t’ia transmetojë të tjerëve...(...)
Njeriu ka ndërgjegjësimin e gjallë të faktit se e vërteta është përtej dhe “përmbi”
vetveten. Njeriu nuk e krijon të vërtetën, ajo vetë zbulohet para tij, kur ai e kërkon
me këmbëngulje. Njohja e së vërtetës gjeneron hare shpirtërore (gaudium veritatis)
unike në llojin e vet. Cili nga ju – i tha Papa profesorëve – nuk ka përjetuar në
masë më të vogël apo më të madhe, një çast të tillë përgjatë punës së tij kërkimore?..(...)
Në këtë eksperiencë gëzimi të njohjes së të vërtetës mund të vërehet edhe një konfirmim
i thirrjes transcendentale të njeriut, madje e hapjes së tij kundrejt pafundmes” (Krakovia
8.VI. 1997, n. 4). Papa i kujtoi njerëzve të shkencës se bota ka nevojë për ta. Ja
çfarë i tha : njeriu i sotëm ka nevojë për kuriozitetin tuaj shkencor, për mprehtësinë
tuaj në formulimin e pyetjeve dhe në ndershmërinë tuaj në kërkimin e përgjigjeve.
Ka nevojë për atë transcendencë e cila është karakteristike e vetë Universitetit.
Kërkimi i së vërtetës, edhe kur i përket një realiteti të kufizuar të botës dhe njeriut,
nuk mbaron kurrë, shtyn gjithnjë drejt diçkaje që ndodhet përmbi ose përtej objektit
imediat të studimeve, drejt pikëpyetjeve që çkyçin hyrjen e Misterit. Sa e rëndësishme
është që mendimi njerëzor të mos mbyllet kundrejt realitetit të Misterit, që njeriut
të mos i mungojë ndjeshmëria kundrejt Misterit, të mos i mungojë kurajo për të zbritur
në thellësitë!” . Papa i kuptonte njerëzit e shkencës. Ishte solidar me ta, pasi ishte
njëri prej tyre. Në të njëjtën kohë i udhëhiqte në thellësitë, hapte përpara tyre
dimensionet e transcendencës. Pra nxirrte në dritë kuptimin, domethënien e fundit
të kërkimeve shkencore, të kërkimit të së vërtetës dhe e bashkëndarjes së saj, veçanërisht
me gjeneratat e të rinjve. Dhe është kjo arsyeja për të cilën rinia, veçanërisht ajo
studentore ishte një prioritet për të. Personalisht ishte kapelan i studentëve, si
i ri meshtar në Krakovë dhe më pas arqipeshkëv – ruajti gjithnjë me ta një kontakt
të gjallë. Si Papë i dha jetë Ditëve Botërore të Rinisë të cilat përbëjnë një nga
iniciativat më të mira të Kishës katolike. 6. Zonja dhe Zotërinj, ja këto
ishin disa reflektime të cilat doja ti bashkëndaja me ju me rastin e mbledhjes së
sotme. Ju falënderoj përsëri për këtë Titull honorifik që më atribuuat. Duke marrë
doktoraturën Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës, që sot bëhen edhe anëtar
i shoqërisë suaj akademike dhe në njëfarë mase lidhem edhe më shumë me Tiranën dhe
Shqipërinë. Jam i bindur se vlerat që i Lumi Gjon Pali i II njihte dhe shpaloste janë
vlerat tona të përbashkëta. Le ti shërbejmë kauzës së madhe të njeriut, dinjitetit
të tij dhe të ardhmes së tij. Njeriu – siç shkruante Gjon Pali II – është “rruga e
Kishës, rruga e jetës së saj të përditshme dhe e eksperiencës së saj, e misionit
dhe mundimeve të saj”) Redemptor hominis, 14). Njeriu është rruga jonë e përbashkët.
Le të vazhdojmë në këtë rrugë me guxim dhe shpresë!. Ju falënderoj për vëmendjen dhe
durimin tuaj!
Kardinal Stanislaw Dziwisz Arqipeshkv Metropolit i Krakovës.