2013-05-02 15:14:26

Imzot Anxhelo Beçiu flet për perspektivën e reformës së Kuries Romake.


Është tepër shpejt të hamendësosh cila do të jetë ardhmëria e Kuries Romake. Kështu përgjigjet imzot Anxhelo Beçiu, zëvendës-sekretar i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, i pyetur për ngritjen e grupit të tetë kardinajve, zgjedhur nga Papa Françesku për të studiuar planin e rishikimit të kushtetutës apostolike Pastor Bonus lidhur me Kurien Romake. Imzot Beçiu, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Që do të bëhet reforma, kjo është sigurtë. Papa e dëshiron e ka kërkuar kontributin e njerëzve të ndryshëm, për t’i paraqitur vërejtjet e tyre. Kur do të bëhet kjo, nuk dihet. Sigurisht do të jetë objekt diskutimi e këshillash, që do t’i japin Atit të Shenjtë tetë kardinajtë, në takimin e tyre të parë. Ndërkaq Papa dëshiron që kush është në Kurie, të punojë me të njëjtin përkushtim e në heshtje, e po ashtu, kush dëshiron të sjellë kontribut a të japë kontribut, mendime për reformën e Kuries, ta bëjë këtë me maturi të madhe, në heshtje e, sidomos, nënvizon Papa, në lutje.

Pyetje: - Është folur edhe për mundësinë e reformimit të IOR (Institutit për Veprat Fetare). E vërtetë kjo?
Përgjigje: - Për këtë Ati i Shenjtë më tha shprehimisht: unë e vlerësoj IOR-in për shërbimet që ka bërë e pastaj e di se po punohet për më shumë transparencë, për ta bërë IOR-in më “të paraqitshëm”, nëse ndokush mendon se nuk u paraqitka si duhet. E prej këndej, Papa u beson njerëzve, që janë ngarkuar për t’ia përshtatur Institutin standardeve, në përkim me instancat e ndryshme ndërkombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.