2013-05-02 17:56:40

Benedikti XVI është kthyer në Vatikan


Pas një periudhe dy mujore kaluar larg Vatikanit, në rezidencën verore të papëve në Kastelgandolfo, Papa i nderit Ratcinger u prit me krah hapur nga Papa Bergoglio, i cili e priti paraardhësin ma një përqafim vëllazëror para kuvendit ‘Mater Ecclesiae’, pas bazilikës së Shën Pjetrit, ku do të banojë.
Dy Papët janë përshëndetur personalisht në takimin historik në Kastelgandolfo, më 23 marsin e kaluar.
Kështu, për herë të parë në histori, nga dita e sotme 2 maj, brenda Mureve Leoniane të Vatikanit do të jenë dy Papë. Papa i nderit, Benedikti XVI, i cili sot pasdite është kthyer në Vatikan nga Kastel Gandolo, ku qëndroi që nga dita e fundit e papnisë së tij, 28 shkurti i kaluar. Në heliportin e Vatikanit, Benedikti XVI u prit nga dekani i Kolegjit kardinalor, kardinali Angelo Sodano, nga zëvendës-sekretari i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, imzot Beçiu, nga sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Mamberti, nga presidenti i Guvernatoratit të Vatikanit, kardinali Bertello e nga sekretari i Quvernatoratit imzot Sciacca.
Siç thamë, Papa Françesku e priti Benediktin XVI në hyrje të manastirit ‘Mater Ecclesiae’, pra pranë ish kuvendit të vogël, që gjendet pas Bazilikës së Vatikanit, në mesin e territorit të Vatikanit, kuvend që është rindërtuar për qenë pikërisht shtëpi e Papës së nderit, ku nga dita e sotme do të banojë Papa Ratcinger, 86 vjeç, së bashku me sekretarin personal imzot Gaenswein, e katër murgesha “memores domini”, që kujdesën për mirëmbajtjen e këtij ish kuvendi.Kështu pas dy muajsh, Papa i nderit, Benedikti XVI gjendet përsëri në Vatikan, për të banuar, siç është njoftuar prej kohe, në kuvendin ‘Mater Ecclesiae’. Ky kuvend, është ndërtuar më 1992 nga Papa Gjon Pali II, në kopshte të Vatikanit, për bashkësitë murgarë femërore, pra për murgeshat e jetës kundruese. E këtu nga vitit 1994 filloi edhe brenda territorit të Selisë së Shenjtë misioni i ri e njëkohësisht i lashtë, ai i lutjes kundruese të murgeshave të urdhrave të ndryshëm, që pasonin njëri tjetrit çdo pesë vjet. E tani, në atë manastir, ku aq shumë janë bërë lutje për të, tani do të jetë ai, Papa i nderit që do të lutet për pasardhësin e tij e për mbarë Kishën. Benedikti XVI do të kalon ditët e tij në lutje e kundrim, në një “mision të veçantë” e tejet të rëndësishëm për Kishën e ditëve tona.







All the contents on this site are copyrighted ©.