2013-05-02 15:14:07

Benedikti XVI u kthye sot në Vatikan. E priti, Papa Françesku


Benedikti XVI u kthye në Vatikan, pas dy muajsh qëndrimi në Kastelgandolfo, rezidenca verore e papëve. Jozef Racinger u nis me helikopter në orën 16.30 për të mbërritur në kuvendin “Mater Ecclesiae”, ku do të banojë tani e tutje, së bashku me sekretarin e tij, prefektin e Shtëpisë Papnore, imzot Georg Genshvajn dhe me katër “memores Domini”, murgesha, që e kanë shoqëruar gjatë këtyre viteve.
Në manastirin e klauzurës, që u ristrukturua kohët e fundit, Papa i nderit u prit nga Papa Françesku. Aty do të lutet, së bashku me vizitandinet, për të gjitha nevojat e Kishës e të botës. Kujtojmë se kuvendi, i ngritur me dëshirën e Papës së lum Gjon Pali II para 20 vjetësh, ka qenë seli e udhërave më të njohura të klauzurës, duke filluar nga klariset, tek karmelitanet e zbathura, benedektinet e, tani së fundi, vizitandinet.
Ndoshta jo rastësisht, dita e zgjedhur për kthimin në Vatikan është kjo e sotmja, 2 maj, kur në Akuila të Italisë filluan kremtimet për 700-vjetorin e ngritjes në nderimet e elterit të Papës Çelestini V. Edhe ai, ashtu si Benedikti XVI, pati dhënë dorëheqjen nga papnia, pati abdikuar, për të mirën e Kishës e të Popullit të Zotit.
Më 28 shkurtin e këtij viti, Benedikti XVI, u largua nga Vatikani, duke shënuar fillimin e Selisë Vakante. I pati përshëndetur besimtarët, që e pritën në Kastelgandolfo, duke e quajtur veten “shtegtar i thjeshtë”, në etapën e fundit të jetës, por gjithnjë pranë Kishës me zemër, dashuri e lutje. Më 23 mars, u takua me Papën Françesku, i sapozgjedhur në fronin e Shën Pjetrit: një takim historik mes “vëllezërish”, të cilët kanë folur edhe herë të tjera me telefon, si për shembull më 16 prill, ditën e lindjes së Jozef Racinger, që mbushi 86 vjeç. Në meshën e asaj dite, në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, Papa Françesku u lut për Benediktin XVI, duke i kërkuar Hyjit të Gjithpushtetshëm t’i qëndrojë pranë e ta ngushëllojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.