2013-05-01 15:24:44

Mesha e 1 Majit. Papa: shoqëria, që nuk jep punë ose i shfrytëzon punëtorët, është e padrejtë.


Shoqëria nuk është e drejtë, nëse nuk u jep të gjithëve punë, e aq më keq, nëse i shfrytëzon punëtorët: këtë pohoi Papa gjatë Meshës, kryesuar në Kapelëzën e Shtëpisë së Shën Martës, në Vatikan, me rastin e përkujtimit të Shën Jozefit Punëtor. Të pranishme në Meshë, disa vajza-nëna, të strehuara në Qendrën e solidaritetit “Ura”, themeluar në Civitavekia, në vitin 1979. Shoqëroheshin nga drejtori i shoqatës, don Egjidio Zmakia. RealAudioMP3
Në Ungjillin e ditës, Jezusi thirret ‘biri i zdrukthëtarit’. Jozefi ishte punëtor e Jezusi mësoi të punonte si ai. Leximi i parë na kujton se Zoti punon për të krijuar botën. Kjo ikonë e Hyjit punëtor, pohoi Papa, na bën të mendojmë se puna është diçka më shumë se përpjekje për të fituar bukën e gojës:
“Puna na jep dinjitet! Kush punon, është njeri i denjë, ka dinjitet të posaçëm, dinjitetin e njeriut: burri e gruaja, që punojnë, janë të denjë. Ndërsa ata, që nuk punojnë, nuk e kanë këtë dinjitet. Por sa shumë janë ata, që duan të punojnë e nuk munden! E kjo është një barrë e rëndë për ndërgjegjen tonë, sepse kur shoqëria organizohet në një mënyrë të tillë, që nuk u siguron punë të gjithëve, u mohon dinjitetin e punës, kjo shoqëri nuk është e mbarë; nuk është e drejtë! Shkon kundër vetë Zotit, i cili deshi që dinjiteti ynë të niste pikërisht prej këtu, prej punës”.
Dinjitetin, vijoi Papa, nuk na e jep pushteti, paraja, kultura, jo! Dinjitetin na e jep puna! E një punë e denjë, duke pasur parasysh se sot shumë sisteme shoqërore, politike, ekonomike zgjedhin rrugën e shfrytëzimit të njeriut:
Të mos e paguash të drejtin, të mos i japësh njeriut punë, vetëm pse shikon buxhetet, buxhetet e ndërmarrjes; vetëm pse bën llogari sa mund të fitosh. Kjo shkon kundër Zotit. Sa herë, sa herë, e kemi lexuar këtë në ‘L’Osservatore Romano!’. Një titull, që më preku thellë, ishte ai i tragjedisë së Bangladeshit. ‘Të jetosh me 38 euro në muaj! Kaq paguheshin këta njerëz, që vdiqën. Kjo quhet ‘punë skllavi’. E sot në botë ekziston kjo skllavëri, e cila shfrytëzon aftësinë më të bukur, që i dha Zoti njeriut: aftësinë për të krijuar, për të punuar, për të realizuar dinjitetin vetjak. Sa vëllezër e motra në botë janë në një gjendje të tillë, për faj të këtyre rrethanave ekonomike, politike e kështu me radhë...”.
Papa citoi, më pas, një rabin të mesjetës, që i rrëfente bashkësisë së tij hebraike historinë e Kullës së Babelit: asokohe tullat ishin tejet të kushtueshme:
Kur ndonjë tullë, gabimisht, binte, ishte problem i tmerrshëm, shkandull: “Pa shiko ç’hata na bëre”. Por në se ndonjë prej atyre, që bënin Kullën, rrëzohej, mjaftoheshin me një “Pushoftë në paqe!”, ose e linin në punë të vet. Kishte më shumë rëndësi një tullë, sesa një njeri. Këtë tregonte rabini mesjetar, e pikërisht kjo ndodh tani! Njerëzit kanë shumë më pak rëndësi, sesa gjërat, të cilat u sigurojnë fitime atyre, që kanë pushtet politik, shoqëror, ekonomik. Shiko në ç’pikë kemi arritur! Në atë pikë, sa të humbasim vetëdijen mbi dinjitetin e njeriut; dinjitetin e punës. Po sot figura e Shën Jozefit, e Jezusit, e Hyjit, që punojnë, e ky është modeli ynë, na tregojnë rrugën për të shkuar drejt dinjitetit”.
Sot, vërejti më tej Papa, nuk mund ta themi më atë, që thoshte Shën Pali: “Kush nuk do të punojë, nuk duhet as të hajë”, po duhet të themi: “Kush nuk punon, e ka humbur dinjitetin”, sepse nuk ka mundësi të punojë. Madje duhet shtuar edhe se shoqëria e zhveshi këtë njeri nga dinjiteti i tij. Sot, shtoi Papa, bëjmë mirë ta dëgjojmë përsëri zërin e Zotit, në çastin kur i drejtohet Kainit, duke i thënë: “Kain, ku është yt vëlla?’. Sot e dëgjojmë zërin e Zotit, që na thotë: “Ku është yt vëlla, që nuk ka punë? Ku e ke vëllain tënd, që është nën zgjedhën e një pune të denjë për skllevërit?”. Papa përfundoi me një ftesë për t’u lutur:
“Të lutemi për të gjithë vëllezërit e motrat, që vuajnë nën zgjedhën e mungesës së punës ose të shfrytëzimit në punë. E ashtu qoftë!".







All the contents on this site are copyrighted ©.