Shkodra shpalli shkrimtarin Robert Shvarz “qytetar nderi”
"Qytetar Nderi" (pas vdekjes) është titulli që Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka akorduar
për shkrimtarin e përkthyesin e njohur, Robert Shvarc. Titulli i është dorëzuar familjarëve
të tij gjatë një ceremonie të organizuar më 27 prill në mjediset e Bibliotekës "Marin
Barleti" të qytetit të Shkodrës. Duke e cilësuar një njeri të nderuar, një shqipërues
të madh, një emër të letrave shqipe, një mik dhe familjar model, drejtori i Bibliotekës
"Marin Barleti", Gjovalin Çuni, tha se "sa i takon shqipërimit, sidomos nga gjermanishtja,
mund të themi se Shvarci është kthyer në mit dhe si i tillë ka mbetur ai në kujtesën
tonë". Sa i takon jetës së Shavarcit, Çuni tha se ai ndonëse lindi në Sarajeve në
dhjetor të vitit 1932 nga një baba hebre vjenez dhe një nënë elbasanllije, Saveta
Çipi, ai i përket shumë edhe Shkodrës, aty ku familja e tij u vendos në 1938 dhe që
babai Julius dhe xhaxhai i tij, Alfredi, ngritën centralin e parë elektrik, duke qene
më pas ndër elektronikët më të zotë të vendit. "Vetë fakti se pjesa më e madhe e botimeve
të tij në librin me poezi origjinale "Vargje të pluhurosura", janë të shkruar me gegënishten
e kulluar të Shkodrës së fëmijërisë së tij, tregon më së miri lidhjet e forta që ai
ka pasur me qytetin e Shkodrës", theksoi Çuni. Duke folur për i vlerat e krijimtarisë
së Shvarcit, Çuni tha se në maj të vitit 1995, Presidenti i Republikës Federale të
Gjermanisë e nderoi atë me "Kryqin e Merites", si të parin personalitet të kulturës
nga vendet e ish-Lindjes komuniste. Në dhjetor të vitit 2002, Presidenti i Republikës
së Shqipërisë i akordoi titullin "Mjeshtër i Madh", ndërsa në janar 2003, pak muaj
para vdekjes, Këshilli Bashkiak i Tiranës e shpalli "Qytetar Nderi", ndërkohë që një
titull të tillë nuk mund të rrinte pa ia akorduar edhe Shkodra. Pjesë e këtij aktiviteti
ishte edhe një video-montazh i projektuar për jetën dhe veprën e Robert Shvarc, përgatitur
nga gazetarja Ela Baçi, ndërkohë që ka vijuar me kujtimet nga të pranishmit, ndër
të cilët ishte edhe një prej miqve të tij më të ngushtë, Amik Kasoruho. Titulli "Qytetar
Nderi" i Shkodrës i është dorëzuar djalit të tij, Edvin Shvarc, nga Kryetari i Këshillit
Bashkiak, Bardhyl Lohja. (nga ATSH-ja)