2013-04-30 13:42:01

Presidentja Jahjaga: liria e pavarësia u fituan me shumë sakrifica


Liria dhe pavarësia e Kosovës u fituan me shumë sakrifica, tha sot presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga në Ditën e të Pagjeturve të Kosovës - 27 Prillin, në manifestimin qendror të organizuar në Mejë të Gjakovës, në Lëndinën e Pikëllimit, ku para 14 vitesh forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolonat e refugjatëve.
"Në këta përvjetor të dhimbjes së madhe ne mblidhemi këtu së bashku për të kujtuar më të dashurit tanë: fëmijët tanë, vëllezërit dhe motrat, nënat dhe baballarët, më të dashurit dhe më të afërmit tanë, që u flijuan për atdheun, që u vranë dhe u masakruan, që të vdekur dhe të gjallë u morën dhe u larguan me qëllim që të fshihen gjurmët e krimeve makabre që në trojet tona kundër popullsisë së pafajshme i bëri okupatori, i bënë policët, paramilitarët, ushtarët të ndihmuar nga bandat e ndryshme me të vetmin qëllim që ta zbrazin territorin, të bëjnë spastrimin etnik dhe të ndryshojnë strukturën kombëtare të popullsisë. Motiv i vetëm për të kryer krimet ishte se këta dëshmorë ishin shqiptarë", u shpreh Jahjaga.
Sot, vijoi ajo, Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, me rrugën e qartë të integrimit në Bashkimin Evropian në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Sot jemi të lirë që së bashku me miqtë tonë ndërkombëtarë të ndërtojmë një të tashme dhe një të ardhme te sigurt, më të mirë për neve dhe për brezat që do të vijnë. Asnjëherë më në trojet tona nuk do të shkel këmba e okupatorit", theksoi presidentja e Kosovës.
Jahjaga tha se, Republika e Kosovës është shtet qytetar, vend i njerëzve të barabartë dhe të lirë, pa dallim përkatësie kombëtare apo fetare, dhe se, ne e ndërtojmë vendin dhe marrëdhëniet mes njerëzve në bazë të dashurisë dhe mirëkuptimit e jo të urrejtjes.
"Ne e ndërtojmë shtetin e rendit dhe sundimit të ligjit, që nënkupton se të gjithë kriminelët do të dalin para drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar për veprat e tyre të shëmtuara", theksoi ajo.
Presidentja Jahjaga tha se, masakra e Mejes është një nga goditjet më të mëdha që armiku i bëri popullit tone, është masakra në të cilën përnjëherë e pësuan një numër i madh i njerëzve të të gjitha moshave, duke mos kursyer as fëmijët dhe as pleqtë.
"Okupatori këtë e bëri me qëllim që të nxisë shpërnguljen dhe të bëjë spastrimin etnik, të godasë zemrat tona duke na i vrarë, masakruar e rrëmbyer më të dashurit tonë, duke dashur që ta mbysë vullnetin tonë për liri, për pavarësi dhe demokraci", u shpreh ajo.
Si presidente e vendit, vijoi Jahjaga, ju them se ne si institucione, me ndihmën edhe të misionit ndërkombëtar, asnjëherë nuk do të ndalemi derisa të gjithë këta kriminelë të mos i nxjerrim përpara drejtësisë, se nuk ka dhe nuk do të ketë amnisti për ta, nuk ka vend ku mund të fshihen.
"Përkulja dhe nderimi para vendit të amshueshëm të këtyre dëshmorëve të kombit tonë shqiptar, të të gjitha besimeve që e dhanë jetën në altarin e lirisë së atdheut, është një nderim për jetën e tyre, për ëndrrat dhe idealin që sot e kemi realizuar dhe është një përkujtim për të gjithë ne se liria dhe pavarësia u fitua me shumë mund dhe me shumë sakrifica", theksoi presidentja e Kosovës, Jahjaga, sot në Mejë, në Ditën e të Zhdukurve të Kosovës, e cila shënohet nën patronatin e qeverisë kosovare.
Në Kosovë, mëse 14 vjet pas luftës së përfunduar në qershorin e vitit 1999 ende nuk janë gjetur më shumë se 1750 të zhdukur.
Në 27 prill 1999, në Mejë forcat serbe kanë rrëmbyer nga kolonat e refugjatëve dhe masakruar e zhdukur 377 shqiptarë, asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica e tyre drejt Shqipërisë.
Shumica e trupave të viktimave të masakrës në Mejë, ishin zhvarrosur nga një varrezë masive në Batajnicë afër Beogradit, në Serbi, ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive në Kosovë.
Në prag të Ditës së të Pagjeturve është bërë e ditur se, prokurorët e EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës zyrtarisht kanë iniciuar hetimet për Krime të Luftës të kryera në komunën e Gjakovës, më 27 dhe 28 prill 1999, duke i përfshirë fshatrat Mejë, Orizë dhe fshatrat tjera të Luginës së Rekës së Keqe, dhe deri tani prokurorët kanë identifikuar përafërsisht 20 të pandehur. Në njoftimin e EULEX theksohej se, masakra e Mejës dhe e rrethinës pretendohet të jetë vrasja më e madhe masive që ndodhi gjatë konfliktit të vitit 1999 në Kosovë.
Mbrëmë, në një nga sheshet në qendër të Prishtinë, u ndezën 1750 qirinj, të mbuluar me nga një pikëpyetje. Kështu, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut shënoi Ditën e të Zhdukurve të Kosovës.
Nga Prishtina zyrtare është kërkuar që çështja e të zhdukurve, zbardhja e fatit të tyre, të jetë pjesë e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.(nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.