2013-04-30 15:07:29

Papa pret Shimon Peres: paqe në Tokën Shenjte e në Siri. Papa Françesku ftohet në Izrael.


Sot, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, Ati i Shenjtë Françesku priti në audiencë Shkëlqesinë e Tij, Zotin Shimon Perez, President i Shtetit të Izraelit, i cili më pas u takua edhe me sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone, shoqëruar nga sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì.
Gjatë bisedimeve të përzemërta, njofton një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit, u fol për situatën politike e shoqërore në Lindjen e Mesme, ku vijojnë jo pak konflikte. U urua të rifillojnë sa më shpejt bisedimet ndërmjet izraelitëve e palestinezëve në mënyrë që, me vendime guximtare e gatishmëri nga të dyja palët, si edhe me ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare, të mund të arrihet një marrëveshje, që respekton dëshirat e ligjshme të të dy popujve e kështu të kontribuojë për paqen e stabilitetin në të gjithë Rajonin. U kujtua edhe Qyteti i Jeruzalemit. E u shpreh shqetësimi për konfliktin, që po e trondit gjithnjë më thellë jetën e Sirisë e të sirianëve, me urimin për arritjen e një rrugëzgjidhjeje politike, mbi bazën e logjikës së pajtimit e të dialogut.
U diskutua edhe për disa çështje, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe Shtetit të Izraelit si dhe Selisë së Shenjtë, Autoriteteve shtetërore e bashkësive katolike vendase.U vlerësuan hapat para, që janë bërë nga Komisioni dypalësh i punës, i impenjuar në hartimin e Marrëveshjes mbi çështje me interes të përbashkët, me urimin që të përfundojë sa më shpejt.







All the contents on this site are copyrighted ©.