2013-04-30 16:02:21

Imzot Rrok Mirdita: Gjon Pali II u shfaq si profet në dheun tonë.


Të enjten e kaluar, me rastin e 20-vjetorit të shtegtimit historik të të Lumit Gjon Palit II në Shqipëri, më 25 prill 1993, imzot Rrok Mirdita, njëri ndër katër ipeshkvijtë katolikë shqiptarë, të shuguruar nga Papa Wojtila atë ditë në Katedralen e Shkodrës, kujton me emocion, me mirënjohje ndaj Zotit “shtegtarin e veçantë, njeriun që vinte në emër të Zotit, pasardhësin e kreun e apostujve, Papën Gjon Palin II”, po edhe të gjitha bekimet e të mirat që gjatë këtyre 20 viteve Hyji i dhuroi popullit e Kishës katolike në Shqipëri.
“Shqipëria, pohoi mes tjerash imzot Mirdita, “e gdhirë si një komb të cilit i ishte pohuar besimi në Zotin e vërtetë, përjetonte zhgënjimin përballë zotit të rremë të projektit totalitar të regjimit komunist, që ishte shkërmoqur para syve të saj. Para njëzet vjetësh shqiptarët patën nevojë për profet, por profetët ia kishin vrarë. Janë martirët e Kishës sonë të përndjekur...E si profet u shfaq në dheun tonë Ipeshkvi i Romës, Papa Gjon Pali II, si një profet që e lexon historinë në mënyrë të kulluar”, që inkurajon në udhën e re të lirisë e të demokracisë së porsafilluar nga populli shqiptar. “Tani ka ardhur koha për të parë me besim drejt së ardhmes”, “për ndërtimin e të ardhmes së Vendit tonë” e në këtë, Papa Wojtila ia besonte një rol të rëndësishëm edhe Kishës katolike shqiptare, rol të cilin ajo u përpjek të çonte përpara në misionin e përditshëm në gjirin e popullit. “Kishën – thotë imzot Mirdita – jemi përpjekur ta ndërtojmë gjatë këtyre viteve. Për gjithçka që kemi bërë mirë, falënderojmë Hyjin e” të gjithë ata që kanë ndihmuar e kontribuar. E mbi këto 20 vite të veprimtarisë së Kishës katolike në Shqipëri, në mikrofon të Radio Vatikanit flet imzot Rrok Mirditën, ta dëgjojmë....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.