2013-04-30 15:11:27

E vërteta e dialogut. Marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve e myslimanëve në Evropës


Nga data 1 deri më 3 maj, në Londër, mbahet takimi i tretë i ipeshkvijve dhe delegatëve të konferencave katolike ipeshkëvnore për marrëdhëniet me myslimanët në Evropë.
Eksperienca e kontinentit evropian në dialogun ndërfetar, posaçërisht me myslimanët, ka një traditë të gjatë e është, në disa pjesë të kontinentit të vjetër, një realitet shekullor me përvojë fatlume e rezultate të mira. Megjithatë, shpejtësia e ndryshimeve në shoqërinë tonë imponon një paraqitje të re në dritën dhe në fjalorin baritor të ri e efikas kishtar, të modaliteteve të dialogut të vërtetë, në mënyrë të veçantë me brezat e ri që me vështirësi lëvizin e qarkullojnë ndërmjet tendencave relativiste apo sinkretiste, ndërmjet fundamentalizmit apo mbylljes mbrojtëse. Atëherë çfarë vlera ka dialogu ndërfetar? e me çfarë çmimi dhe në çfarë kushtesh ai është i mundshëm?
“Dialogu konkret ndërmjet njerëzve të feve të ndryshme është i mundshëm dhe i domosdoshëm”, pohon Sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Konferencave katolike ipeshkëvnore të Evropës (CCEE), mons. Duarte da Cunha. “Dialogu ekzistencial që në mbarë Evropën ekziston mes njëri-tjetrit mes fqinjëve, mes kolegëve të punës, mes shokëve të klasës, përbënë një realitet e rrjet marrëdhëniesh e shpesh edhe të miqësive të jashtëzakonshme. Njerëzit, vërtetë, nuk duan të jetojnë vetëm, por në kontekstin e familjes, të bashkësive e të shoqatave. Takimi ndërmjet të krishterëve e myslimanëve në Evropë është i mundshëm në këtë nivel. E pikërisht në kontekstin e një marrëdhënie të sinqertë e reale mund të kërkohet e të gjendet mundësia, e për ne të krishterët mandati hyjnor, ai i dëshmisë së fesë personale, në respektimin e rrëfimit të fesë të çdonjërit. E sot shohim që shpesh, që të rinjtë janë në kërkim të identitetit personal. Kisha, duke u nisur nga kjo, ka para vetës një sfidë, atë për të ndihmuar të rinjtë e krishterë ta njohin në rend të parë vetveten dhe ‘rregulloret’ e dialogut të vërtetë. E vërtetë dihet se, dialogu është proces i ndërlikuar, që kërkon gatishmërinë e dëgjimit, njohjen e thellë të fesë së tjetrit por edhe një identitet të qartë fetar. Vetëm në këtë mënyrë dialogu do të jetë një eksperiencë e pasur për të gjithë e do të jetë edhe rast për të jetuar së bashku e për të dëshmuar fenë personale”.
Takimi i tretë i ipeshkvijve dhe delegatëve të 20 konferencave katolike ipeshkëvnore evropiane kushtuar kësaj radhe marrëdhënieve me myslimanët në Evropë, nga ana e CCEE-së do të drejtohet nga kryeipeshkvi i Bordosë, kardinali Jean-Pierre Ricard. Në këtë takim do të marrin pjesë ipeshkvij e delegatë të ngarkuar për marrëdhëniet me myslimanët, përfaqësues të organizmave kishtare e kulturore të Evropës, Presidenti i Këshillit papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran, Presidenti i Konferencës ipeshkëvnore katolike të Anglisë e Uellsit, imzot Vincent Nichols, kryeipeshkëv i Westminsterit, e shumë ekspertë tjerë të Islamit.







All the contents on this site are copyrighted ©.