2013-04-29 15:55:09

Papa Françesku: të turpërohesh për mëkatet është virtyt i njeriut të përvuajtur, që përgatitet për ndjesën e Zotit.


Të turpërohesh për mëkatet, është virtyt i njeriut të përvuajtur, që përgatitet për faljen e Zotit: këtë tha sot Papa Françesku gjatë Meshës, kryesuar në Kapelën e Shën Martës, në praninë e disa punonjësve të Administratës së Pasurisë të Selisë së Shenjtë(APSA) dhe të disa rregulltareve. Bashkëkremtuan me Atin e Shenjtë, kardinali Domeniko Kalkanjo, drejtor i APSA-s dhe kryeipeshkvi Françesko Gjoia, drejtor i Peregrinatio ad Petri Sedem.Duke komentuar Letrën e parë të Shën Gjonit, në të cilën thuhet se Zoti është dritë e në Të nuk ka kurrfarë errësire, Papa Françesku nënvizoi se ne të gjithë kemi zona të errëta në jetën tonë, çaste kur mbi gjithçka, edhe mbi ndërgjegjen tonë, dyndet terri, por kjo, sqaroi Papa, nuk do të thotë të ecësh nëpër errësirë:
“Të ecësh në errësirë do të thotë të jesh i kënaqur nga vetvetja; të jesh i bindur se nuk ke fare nevojë për shëlbim. Kjo është errësira! Kur njeriu ecën në këtë udhë, kur zhytet në terr, nuk e ka aspak të lehtë të kthehet mbrapa. Prandaj Gjoni vijon, sepse ndoshta kjo mënyrë e të menduarit e bën të reflektojë: “Nëse themi se nuk kemi mëkat, gënjejmë veten dhe e vërteta nuk është me ne’. Shikoni mëkatet tuaja, mëkatet tona: të gjithë jemi mëkatarë, të gjithë… Kjo është pikënisja. Por në se i rrëfejmë mëkatet tona, Zoti është aq besnik, aq i drejtë, sa të na i falë mëkatet e të na pastrojë nga çdo mbrapshti. E na paraqitet tepër i mirë, tepër besnik, tepër i drejtë, që na fal”.
Kur Zoti na fal, është i drejtë, vijoi Papa, sidomos ndaj vetvetes, sepse ai erdhi të na shpëtojë e të na falë, duke na hapur me dashuri krahët, si ati bijve. Zoti është zemërbutë ndaj atyre që i druhen, atyre, që shkojnë tek ai; e na kupton me dhembshuri, na dhuron atë paqe, që vetëm Ai di ta japë. Kjo ndodh në Sakramentin e Pajtimit, vijoi Papa, ndonëse shpesh mendojmë se të shkosh e të rrëfehesh është si të shkosh në pastërti, në dyqanin ku çojmë rrobat për t’i pastruar nga ndyrësitë:
“Po Jezusi në rrëfyestore nuk është pastërti: rrëfimi është takim me Jezusin, me atë Jezus, që na pret, na pret ashtu si jemi. ‘Por, o Zot, unë jam kështu e kështu… më vjen turp të them të vërtetën. Kam bërë këtë, kam menduar atë’. Por turpi është virtyt i vërtetë i krishterë e njerëzor, aftësi për t’u turpëruar: nuk e di a thuhet kështu në italisht, po në trojet tona, atyre që nuk turpërohen kur bëjnë turpe, u thonë “njerëz pa turp” a ‘pa cipë”: ky është i paturp, sepse nuk di ç’është turpi; e të turpërohesh është virtyt i të përvuajturit, i burrit e gruas, që janë të përvuajtur”.
Duhet pasur besim, vijoi Papa, se kur mëkatojmë kemi një dalzotës pranë Atit: “Jezu Krishtin, të drejtin”. Ai na mbështet para Atit e na mbron nga ligështitë tona. Por është e nevojshme të vihemi përballë Zotit me të vërtetën tonë si mëkatarë, me besim, por edhe me gëzim, pa u makijuar. Nuk duhet të dalim kurrë me makijazh para Zotit. Të të vijë turp nga vetja, është virtyt. Bekuar qoftë turpërimi: këtë virtyt kërkon Jezusi nga ne: të jemi zemër butë e të përvujtë:
“Përvujtëria e butësia janë si kornizë e jetës së krishterë. I krishteri shkon gjithnjë kështu: me zemërbutësi e përvujtëri. E Jezusi na pret, për të na falur. Mund të bëjmë pyetjen:‘Atëherë të shkosh të rrëfeshesh nuk qenka si të shkosh në një seancë torture?’. Jo! Të shkosh të rrëfehesh, do të thotë të shkosh për të lavdëruar Zotin, sepse unë, mëkatari, shëlbohem prej Tij. Po Ai, më pret aty për të më hyrë në hu? Jo, Ai më pret me dhembshuri, më pret për të më falur. E nëse të nesërmen bëj të njëjtën gjë? Shko edhe një herë, e shko e shko e shko… Ai është aty. Ai të pret. Me dhembshuri, me përvujtëri, me butësi”.Ky besim na mbush me frymë. Zoti, përfundoi Papa, na e jep këtë hir, këtë guxim, të shkojmë gjithnjë tek Ai me të vërtetën, sepse e vërteta është dritë; e jo me errësirën e gjysëm të vërtetave ose me gënjeshtra të thëna para Zotit. Na e dhëntë këtë hir! E ashtu qoftë!







All the contents on this site are copyrighted ©.