2013-04-29 16:11:41

Diskutohet implementimi i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë


Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi priti në takim një delegacion të kryesuar nga Andreas Kindl, korrespondent evropian për Politikë dhe Koordinim të Politikës dhe Sigurisë se Jashtme të BE-së dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë. Gjatë takimit u diskutua lidhur me planin e implementimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Me këtë rast, Kindl e përgëzoi Qeverinë e Kosovës për nënshkrimin e marrëveshjes dhe theksoi se tashmë është e rëndësishme që palët t’i përmbahen planit të përmbushjes së marrëveshjes dhe për këtë do të keni edhe përkrahjen e shtetit gjerman. Ndërsa, ministri Bajram Rexhepi e njoftoi për angazhimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme për përmbushjen e kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave Ministri kosovar Rexhepi falënderoi shtetin gjerman për përkrahjen e vazhdueshme dhe qëndrimin konsistent të shtetit gjerman për përkrahje të vendeve të Ballkanit.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar sot se në muajin maj në Bruksel do të mbahet takim i ri me përfaqësuesit e Prishtinës. “Sipas njoftimeve që vijnë nga (përfaqësuesja e lartë e BE-së,Ketrin eshton ( Catherine) Ashton), në muajin maj na presin takime të reja”, ka thënë Daçiq para gazetarëve në Beograd.
Daçiq ka thënë se ai bashkë me nënpresidentin e Qeverisë, Aleksandër Vuçiq, nesër do të takohet edhe njëherë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, duke shtuar se nga takimi i fundit nuk ka ndryshuar asgjë dhe se referendumi mbi marrëveshjen për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës do të zhvillohet, në afatin më të shkurtër të mundshëm.
Ai ka thënë se Serbia nuk mund të presë me muaj për zbatimin e marrëveshjes.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për normalizimin e raporteve më 19 prill në Bruksel, por, ende nuk ka nisur zbatimi i saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.