2013-04-28 16:03:35

Përfunduan në Shqipëri, kremtimet për 20-vjetorin e vizitës historike të Papës së lum Gjon Pali II


Përfunduan sot kremtimet katërditore që përkujtuan vizitën historike të Papës Gjon Pali II në Shqipëri. Në meshë, simpoziume e veprimtari të tjera kishtare e kulturore, për të cilat ju kemi folur gjerësisht këtyre ditëve, ishte i pranishëm ish-sekretari i veçantë i të Lumit Vojtila, kardinali Stanislau Xhivish, tashmë, kryeipeshkëv i Krakovit. I rëndësishëm, simpoziumi, që u mbajt dje në Tiranë, me temë “Kostandini – 1700 vjetori i ediktit të Milanos dhe liria fetare”. Studiues e personalitete kishtare u alternuan për të nxjerrë në pah rëndësinë e vendimit të perandorit të atëhershëm romak, që i hapi udhën pranimit të krishtërimit e tolerancës fetare, duke i dhënë fund persekutimit të të krishterëve të parë. Pikërisht Shqipëria, u theksua në këtë konferencë, është shembull i tolerancës fetare, siç e pati nënvizuar edhe Papa Gjon Pali II, kur erdhi në Tiranë e në Shkodër, për t’i dhënë shpresë një populli të sapodalë nga komunizmi ateist e për të mëkëmbur Kishën Katolike, duke i dhënë hierarkinë e saj. Vërtet, Ati i Shenjtë shuguroi katër ipeshkvij, prej të cilëve jeton akoma vetëm imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, i cili festoi 20-vjetorin e shugurimit ipeshkvnor. Për t’u shënuar, edhe ceremonia në Universitetin e Tiranës, me të cilën iu dha kardinalit Stanislau Xhivish, titulli “doktor honoris causa”.
Në mikrofonin e kryeredaktorit tonë, don David Gjugja, i cili i ndoqi ngjarjet e këtyre ditëve si i dërguar i Radio Vatikanit, meshtari shqiptar, don Marjan Paloka, i cili shpjegon pse janë të rëndësishme përkujtime si ky i 20-vjetorit të vizitës së Papës së lum Gjon Pali II…







All the contents on this site are copyrighted ©.