2013-04-28 16:02:47

Lutja e Mbretëreshës Qiellore: Papa Françesku kërkon dinjitet e siguri për të gjithë punëtorët.


“Të gjithë jemi të thirrur për ta pranuar të renë e Hyjit në jetën tonë”. Kështu u shpreh Papa Françesku para lutjes së Mbretëreshës Qiellore, duke përshëndetur besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me të rinj, ardhur nga të katër anët e botës për të ndjekur Meshën, kryesuar nga Ati i Shenjtë, në Ditën e sotme kushtuar të rinjve, në pritje të Krezmimit si dhe të krezmuarve.Papa Françesku, duke u shprehur solidaritetin dhe dhimbjen familjarëve të më se 300 punëtorëve tekstilistë, që humbën jetën në aksidentin tragjik të së mërkurës së kaluar në Dhaka të Bangladeshit, kërkoi dinjitet e siguri për të gjithë punëtorët e botës:
“Në këtë çast të veçantë, dëshiroj të lartoj një lutje për viktimat e shumta, shkaktuar nga shembja tragjike e një fabrike në Bangladesh. U shpreh solidaritetin e afërsinë time të ndjerë familjeve, që qajnë të dashurit e bëj, nga thellësia e zemrës, një thirrje të fortë, që të mbrohet gjithnjë e kudo dinjiteti e siguria e punëtorit”.
Më pas, duke dialoguar simbolikisht me gjithë të pranishmit në Sheshin e Shën Pjetrit, në një atmosferë gëzimi e hareje, Papa kujtoi se Virgjëra Mari na mëson ç’do të thotë të jetosh në Shpirtin Shenjt e edhe ç’do të thotë ta pranosh të renë e Zotit në jetë. Prandaj Papa Françesku ia besoi të sapokrezmuarit Zojës së Bekuar:
“... secili i krishterë e secili nga ne, është i thirrur ta pranojë Fjalën e Zotit, ta pranojë Jezusin në shpirtin e vet, për t’ua çuar, pastaj, të gjithëve”.
E nëse Maria, vërejti Papa, iu lut Shpirtit Shenjt së bashku me Apostujt, në çenakull, edhe ne, sa herë që mblidhemi për t’u lutur, mbështetemi nga prania shpirtërore e Nënës së Krishtit, për të marrë dhuratën e Shpirtit Shenjt e për të pasur forcë ta dëshmojmë Krishtin e ngjallur:
Këtë jua them në mënyrë të veçantë ju, që morët sot Krezmimin: Maria ju ndihmoftë të jeni të vëmendshëm, për ta kuptuar atë, që ju kërkon Zoti; për të jetuar e për të ecur gjithnjë sipas Shpirtit Shenjt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.