Papa Françesku: Shpirti Shenjt krijon në Kishë bashkësi të hapura, jo grupe të mbyllura.
“Të shikojmë Jezusin, që na nis për të ungjillëzuar, për ta kumtuar emrin e tij me
gëzim”. Është porosia e Papës gjatë homelisë së Meshës, kremtuar sot paradite në Shtëpinë
e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët të mos kenë frikë nga gëzimi
i Shpirtit Shenjt, sepse është pikërisht ky gëzim, që na ndihmon ta mundim mbylljen
në vetvete. Në Meshën me Papën morën pjesë punonjësit e Postave të Vatikanit dhe të
Dispanserisë Pediatrike të Shën Martës.
“Dukej se kjo lumturi s’do të kishte
kurrë mbarim”. Kështu e komentoi Papa besimin në Krishtin të bashkësisë së parë të
dishepujve, mbledhur në Antioki, për të dëgjuar Fjalën e Zotit, e cila kujtohej sot
në Veprat e Apostujve. Pastaj, pyetja e Papës Françesku: “Pse bashkësia e ‘judenjve
të mbyllur’, një ‘grup i vogël’, ‘njerëzish të mirë’, ishin ziliqarë, kur shikonin
numrin e madh të të krishterëve e nisnin t’i persekutonin: “Thjeshtë sepse
e kishin zemrën të mbyllur, nuk donin t’ia hapnin risisë së Shpirtit Shenjt. Ata besonin
se gjithçka ishte për t’u thënë, qe thënë tashmë, se gjithçka ishte, ashtu si e mendonin
ata e prandaj e ndjenin veten si mbrojtës të fesë e filluan të flasin kundër Apostujve,
madje edhe të shpifnin kundër tyre. Shpifën. E shkuan te gratë e përshpirtshme të
familjeve fisnike, që u shkonte fjala, e ua mbushën kokën me ide, me gjëra, që i shtynin
t’u flisnin burrave të tyre për t’iu kundërvënë apostujve. Kjo është sjellja e këtij
grupi e edhe e të gjitha grupeve në histori, grupeve të mbyllura: të biesh në ujdi
me pushtetin, t’i kapërcesh vështirësitë, por ‘ndërmjet nesh’. Siç bënë edhe në agun
e Ngjalljes, kur ushtarët shkuan e u thanë: ‘Pamë kështu e kështu’. Mbylleni gojën
e hapeni qesen e merrni…. E me para e mbuluan gjithçka”. Kjo është sjellja
tipike e kësaj feje të mbyllur, shpjegoi Papa, që nuk ka liri t’ia hapë zemrën Zotit: “Jeta
e bashkësisë së tyre për të mbrojtur gjithnjë të vërtetën, mbasi ata besojnë se po
mbrojnë të vërtetën, është gjithnjë shpifja, thashethemnaja… Janë bashkësi llafazane,
që flasin kundra, që e rrënojnë tjetrin dhe shikojnë gjithnjë përbrenda, gjithnjë
përbrenda, mbuluar me mur. Ndërsa bashkësia e lirë, me lirinë e Zotit e të Shpirtit
Shenjt, shkonte përpara edhe në valën e persekutimit. Fjala e Zotit përhapej në të
gjithë zonën. Është tipar themelor i bashkësisë së krishterë ecja përpara, përhapja,
sepse kështu është e mira: të përhapet gjithnjë. E mira nuk mbyllet brenda vetes.
Ky është kriteri, kriteri i Kishës, e edhe kriteri i nevojshëm për rrëmimin e ndërgjegjes
sonë: si janë bashkësitë tona fetare, bashkësitë famullitare? A janë bashkësi, që
ia hapin zemrat Shpirtit Shenjt? I cili na çon gjithnjë përpara për të përhapur Fjalën
e Zotit? Apo janë bashkësi të mbyllura, me urdhëra të prera, që i ngarkojnë urdhërimet
mbi shpinë të besimtarëve, siç u pati thënë Jezusi Farizenjve?”. Persekutimi
nis pikërisht për shkaqe fetare e për shkak të smirës, tha Papa Françesku, e jo vetëm.
Edhe nga që e shikonin se dishepujt ishin plot me gëzimin e Shpirtit Shenjt e flisnin
bukur, hapnin rrugë: “Ndërsa bashkësia e mbyllur, e sigurtë në vetvete, ajo,
që e mbështet sigurinë pikërisht mbi ujdinë me pushtetin, mbi forcën e parasë, flet
me fjalë fyese: tall, dënon. Kështu di të sillet. Anëtarët e saj ndoshta i harrojnë
ledhatimet e nënës, kur ishin të vegjël. Këto bashkësi nuk dinë të përkëdhelin, dinë
vetëm të detyrojnë, të shtihen se i respektojnë urdhërimet. Janë ashtu si thotë Jezusi:
“Si varr, i bardhë e i bukur, por asgjë më tepër’. Të mendojmë sot për Kishën, Kishën
tejet të bukur, Kishën, që ecën përpara. Të mendojmë për vëllezërit e shumtë, që vuajnë,
persekutohen, sot, në të katër anët e botës. Por këta vëllezër, në vuajtje, janë përplot
me gëzimin e Shpirtit Shenjt”.T’i mbajmë sytë ngulur mbi Jezusin, që na nis
për të ungjillëzuar, për ta kumtuar Emrin e Tij me gëzim, përfundoi Papa, duke nënvizuar
se nuk duhet të kemi frikë nga gëzimi i Shpirtit, që kështu të mos mbyllemi brenda
vetes.