2013-04-26 16:37:20

Papa: feja nuk është tjetërsim, por udhë e së vërtetës, që na përgatit të shikojmë fytyrën e mrekullueshme të Zotit.


Udha e fesë nuk është udhë tjetërsimi. Është përgatitje e zemrës për të parë fytyrën e mrekullueshme të Zotit: këtë pohoi sot Papa gjatë homelisë së Meshës, kryesuar në Domus Sanctae Marthae. Në kremtim morën pjesë disa punonjës të Tipografisë së Vatikanit, të Xhandarmërisë e të Zyrës së Punës të Selisë Apostolike (Ulsa).
Në Ungjillin e ditës lexohen fjalët e Jezusit drejtuar dishepujve: “Mos t’ju trazohet zemra”:“Këto fjalë të Jezusit janë vërtet të bukura. Në çastin kur po ndahej prej tyre, Jezusi u flet dishepujve të tij, e fjalët i dalin nga thellësia e zemrës. Ai e di se dishepujt janë të trishtuar, nga që e shikojnë se punët nuk shkojnë mirë. E u thotë: ‘Mos të trazohet zemra juaj’. E nis t’u flasë kështu, si mik, e edhe si bari, siç bën bariu me delet e veta, apo jo? ‘Mos t’ju shqetësohet zemra. Kini besim në Hyjin, e edhe në mua’. E nis të flasë, për çfarë? Për qiellin, atdheun përfundimtar. ‘Kini besim edhe në mua: unë mbetem besnik’: është si të thoshte këtë, apo jo? Me pamjen e inxhinierit, të arkitektit, u tregon atyre atë, që po shkon të bëjë: ‘Po shkoj t’ju përgatis një vend. Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa’. E Jezusi shkon t’u përgatisë një vend”.
Papa pyeti: “E si është ky vend? Ç’do të thotë të përgatisësh një vend? Të përgatisësh një vend do të thotë të përgatisësh mundësinë për t’u kënaqur, mundësinë tonë për të parë, për të dëgjuar, për të kuptuar bukurinë e së pritmes, të atdheut, kah i cili shkojmë”:
“E gjithë jeta e krishterë është punë e Jezusit, e Shpirtit Shenjt për të përgatitur një vend, për të përgatitur sy, që mund të shikojnë... ‘Por, o Atë, unë shikoj fare mirë! Nuk kam nevojë për syze!’. S’është fjala për syze! Kjo është një mënyrë tjetër për të parë, një shikim tjetër... Të mendojmë ata, që janë të sëmurë nga katarakti, që kanë perde në sy: ata shohin, por pas operacionit, çfarë thonë? S’e kisha menduar kurrë se do të mund të shikoja përsëri kështu, pa syze, mrekullisht mirë!’. Sytë tanë, sytë e shpirtit tonë kanë nevojë të përgatiten për ta parë fytyrën e mrekullueshme të Jezusit. Të përgatiten edhe veshët, për të dëgjuar gjëra të bukura, fjalë të bukura. E, në radhë të parë, duhet përgatitur zemra: të përgatitet për të dashur, për të dashur gjithnjë më shumë”.
Në udhën e jetës, nënvizoi Papa, Zoti e përgatit zemrën tonë herë me prova e herë me ngushëllime; herë me turbullime e herë me gjëra të mira:
“E gjithë udha e jetës, është udhë përgatitjeje. Disa herë Zoti duhet ta bëjë këtë ngutshëm, siç e bëri me hajdutin e mirë: kishte vetëm pak minuta për ta përgatitur, e i mjaftuan. Por në jetën normale duhet të përgatitesh ngadalë. Të përgatisësh zemrën, sytë, veshët, për të arritur në atdhe. Sepse ky është atdheu ynë. ‘Por, o Atë, unë shkova tek një filozof e më tha se këto mendime janë tjetërsim, se ne jemi të tjetërsuar, se jeta është kjo që është e përtej saj nuk e dimë ç’na pret!’. Disa mendojnë kështu. Por Jezusi na thotë se nuk është kështu e na thotë edhe ‘Kini besim në mua. Kjo që po ju them, është e vërteta : unë nuk ju mashtroj, nuk ju gënjej”.
Të përgatitesh për qiell, vijoi Papa, do të thotë ta përshëndesësh çdo ditë nga pak, prej së largu. E ky nuk është tjetërsim: është vetë e vërteta, është ta lësh Jezusin ta përgatisë zemrën tonë, sytë tanë, për këtë bukuri tejet të madhe. Është udha drejt bukurisë, udha e kthimit në atdhe. Së fundi Papa u lut që Zoti të na e japë këtë shpresë kaq të fortë, këtë guxim e edhe këtë përvujtëri, që ta lëmë ta përgatisë banesën, banesën përfundimtare, në zemrën tonë, në sytë tanë e në veshët tanë. Ashtu qoftë!







All the contents on this site are copyrighted ©.