2013-04-26 16:32:06

20 vjet nga vizita e Gjon Palit II në Shqipëri: dita e dytë e kremtimeve


Sot, 26 prill, festa e Zojës së Këshillit të Mirë, sytë dhe zemrat e gjithë besimtarëve katolikë shqiptarë u drejtuan kah Shenjtërorja e Pajtores së tyre, festa e të cilës sivjet përkoi edhe me 20-vjetorin e vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri. Në veprimtaritë përkujtimore, që nisën dje, nuk mund të mungonte kjo festë, nuk mund të mungonte Kisha, gurin e parë të së cilës e bekoi dhe e vuri në themelet e lashta, pikërisht Papa Gjon Pali II.
Prandaj sot festa u zhvendos nga Kryeqyteti, në Qytetin e Veriut. Kremtimi kryesor ishte Mesha në Shenjtëroren Kombëtare të Zojës, kryesuar nga imzot Anxhelo Masafra, bashkëkremtuar nga ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët, në praninë e Hirësisë së tij, kardinalit Stanislau Xhivish e të një numri të madh besimtarësh, nga Shkodra e rrethinat.
Por për kremtimet e sotme, të dëgjojmë bashkëpunëtoren tonë, Jolanda Baba...RealAudioMP3

Nesër, më 27 prill, në orën 9.00, në mjediset e Hotel Tiranës, do të organizohet Simpoziumi me titull “Konstandini, 1700-vjetori i Ediktit të Milanos(313-2013) dhe liria fetare”. Veprimtaria shkencore do të hapet me përshëndetjen e imzot Anxhelo Masafrës, kryetar i Konferencës ipeshkvnore shqiptare dhe kryeministrit të Shqipërisë, profesor Sali Berisha. Profesoresha Elizabeth De Palma e Universitetit të Kalifornisë, Santa Barbara; Prof Marco Rizzi, i Universiteti Katolik i Milanos; Prof Jahja Drançolli; Sh.T. Imzot George Frendo do të flasin për Ediktin e Milanos në kontekstin e tij historik, ilustruar me shembuj nga Ballkani; qëndrimin e të krishterëve ndaj Perandorisë Romake deri në fillimin e pushtetit të Konstandinit, tolerancën e fesë në Ediktin e Milanos; traditat e mëvonshme; figurën e Kostandinit të Madh në kontekstin e Dardanisë e të Dardanëve, duke sjellë edhe të dhëna të tjera të reja lidhur me këtë ngjarje vendimtare, që ia ndryshoi rrjedhën historisë së njerëzimit.
Më pas, të pranishmit do të vizitojnë Arkivin e Shtetit. Do të ndalohen kryesisht tek Kodikët e lashtë të Shqipërisë, pasuri e kulturës dhe të traditës shkrimore të teksteve kishtare, sidomos tek kodikët më të hershëm Beratinus dhe Codici beratini. Do të shfletojnë edhe regjistrimin e këtyre kodikëve në Programin e Unesco-s "Kujtesa e botës".

Dita e fundit e kremtimeve për 20 vjetorin e vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri, 28 prill, do t’u kushtohet vizitave në vende, që ruajnë kujtime të rëndësishme për historinë e Shqipërisë e të Kishës shqiptare.

Kujtojmë se dita e parë e kremtimeve për 20- vjetorin e vizitës së Gjon Palit II në Shqipëri, 24 prilli, nisi me një Meshë falënderimi në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, në praninë e Hirësisë së Tij, kardinali Stanislau Xhivish, ish-sekretar i veçantë i të Lumit Gjon Pali II, sot kryeipeshkëv i Krakovit. E kush, më mirë se Hirësia e Tij, mund të sillte me vete në Shqipëri, kujtimin e Papës Vojtila, të kujdesit të tij për vendin e vogël ballkanik, për kishën e martirizuar, të dashurisë së tij për popullin e vogël shqiptar, që i fali krishterimit aq martirë të rinj.

Në homelinë e mbajtur me këtë rast fatlum, Hirësia e Tij, Kardinali Xhivish, theksoi ndërmjet tjerash: “Si bashkëpunëtor i tij i ngushtë per gati dyzet vjet, mund të dëshmoj vetëm se për të Lumin Gjon Pali II vizita në Shqipëri ishte një prej ngjarjeve më të rëndësishme te papnisë”.
T'ia besojmë, prandaj, Shqipërinë e shqiptarët ndërmjetësimit të Zojës së Këshillit të Mirë e edhe të Lumit Gjon Pali II që, njëzet vjet pas udhëtimit apostolik në Shqipëri, pa dyshim e shikon këtë tokë nga lart e na bekon të gjithëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.