2013-04-26 16:36:18

20-vjetori i vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri dhe akti i kushtimit Zojës së Shkodrës


T’i lutemi Zojës me fjalët e Atit të Shenjtë, i cili, më 25 prill 1993, ia kushtoi Shqipërinë shën Marisë, duke kërkuar mbrojtjen e saj për bijtë e shqipes, gjatë Lutjes së Mbretëreshës Qiellore në Shkodër, kur paraqiti katër ipeshkvijtë e saposhuguruar, hierarkinë e parë të Kishës Katolike pas komunizmit. T’i dëgjojmë edhe një herë, fjalët e Papës Gjon Pali II:
“Virgjër! Zoja e Këshillit të Mirë! Ty po ta lartojmë lutjen e këtij populli, i cili të do dhe të nderon prej kohësh, që s’mbahen mend. Në dorën Tënde, sot, Shqipëria dorëzon shpresat dhe mundimet e veta, dëshirat dhe nevojat, lotët e shumtë të derdhur dhe etjen për një të ardhme më të mirë. Ktheji, o Nënë, sytë e tu nga ky popull, pranoja mendimet bujare, shoqëroje në ecjen e tij drejt së ardhmes me drejtësi, solidaritet e paqe.
Dhe ju, vëllezër e motra shqiptare, besojini kësaj Nëne. Maria e njeh rrugën e jetës dhe e di mirë ç’ju dëshiron zemra. Nuk ju jep ideologji mashtruese, por Birin e vet, Jezusin, - Udha, e Vërteta dhe Jeta – në të cilin shndrit misteri i Zotit dhe i njeriut. Maria ju mbroftë gjithmonë! Mbroftë në çdo anë tokën tuaj; mbërriftë ndër shqiptarët, që banojnë në Ballkan e ndër shqiptarët e shpërndarë në të gjithë botën. Ndërhyrja e fuqishme e Marisë pranë Zotit çoftë paqen, sidomos aty, ku prej kohësh tashmë, është ndezur një luftë absurde, që derdh gjak vëllazëror. O Nënë e Këshillit të Mirë, hapi mendjet dhe zemrat, siguroja Shqipërisë dhe gjithë njerëzimit dhuratën e harmonisë dhe të paqes.
O Zoja e Shkodrës, Pajtorja e Popullit shqiptar, lutu për ne”.








All the contents on this site are copyrighted ©.