2013-04-25 15:31:19

Presidenti serb Nikoliq kërkon falje për masakrën e Srebrenicës


Për herë të parë në histori, presidenti serb, Tomislav Nikoliq, përmes një interviste televizive, kërkon falje për krimet e kryera nga serbët në enklavën myslimane të Srebrenicës. Ishte 11 korriku i vitit 1995, kur ushtria serbo-boshnjake e gjeneralit Mlladiq plaçkiti qytetin e masakroi mëse 8 mijë vetë. Kjo plojë e përgjakshme ndodhi pavarësisht nga prania e trupave hollandeze të OKB-së, të cilat nuk ndërhynë. Çfarë përfaqëson genocidi i Srebrenicës, në tmerrin e luftës në ish-Jugosllavi? Në mikrofonin tonë, zv.drejtori i revistës katolike italiane “Familja e krishterë”, Fulvio Skalione:
Masakra e Srebrenicës qe natyrisht çasti më i fëlliqur i krejt luftës në ish-Jugosllavi, e cila karakterizohej edhe më parë nga tmerre të çdo lloji e, ndoshta, është edhe niveli më i ulët prekur në Evropë, që nga fundi i Luftës II Botërore. Atë ditë – 11 korrik 1995 – njerëzit e gjeneralit serb, Ratko Mlladiq, plaçkitën e vranë me gjakftohtësi mëse 8 mijë burra e djem boshnjakë, që jetonin në enklavën e mbrojtur – të paktën teorikisht – nga trupat e OKB-së, në veçanti, nga kontingjenti hollandez. Por, para njerëzve të Mlladiqit, kontingjenti, praktikisht, u tërhoq e lau duart, duke nxjerrë si justifikim urdhërat dhe direktivat e marra nga OKB-ja. Paradoksi i tmerrshëm i kësaj ngjarjeje është se kontingjenti u dekorua nga qeveria hollandeze me medalje, megjithëse qeveritë e mëpasme bënë autokritikë dhe e tërhoqën atë.
Cili është kuptimi i këtij gjesti të presidentit Nikoliq?
Gjesti i Nikoliqit, sipas meje, është i rëndësishëm, megjithëse, në të vërtetë, u vonua pak si tepër. Duhet kuptuar, duke marrë parasysh dëshirën e Serbisë aktuale të hyjë në rrethin evropian e të kapërcejë të kaluarën e hidhur, duke u bërë vend evropian në të gjitha nivelet, duke përfshirë atë ekonomik. Të mos harrojmë se Serbia është në krizë të përhershme.
Plagët e luftës në ish-Jugosllavi, edhe sot, rrjedhin gjak. A do të jetë e mundur të mbyllen ndonjëherë?
Ky do të jetë një proces i gjatë, madje jashtëzakonisht i gjatë. Mund të themi se tani kemi një peridhë me mjaft sinjale pozitive. Më vjen ndërmend sidomos, marrëveshja e pak ditëve më parë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës: edhe këtu – të mos harrojmë – ka shumë probleme, sidomos ai i enklavës serbe në Kosovë, që gjatë këtyre viteve ka dhënë shkas për polemika e konfrontime të vazhdueshme.
Pas Fulvio Skaljones, do të pyesnim: kur do t’i kërkohet falje popullsisë së Kosovës, e cila la në fushën e betejës mëse 10 mijë të vrarë e sa e sa të zhdukur?








All the contents on this site are copyrighted ©.