Gjatë shtegtimit të tij në Shqipëri, Papa Gjon Pali II foli disa fjalë e fraza në
gjuhën shqipe, sigurisht shumë më tepër sesa përmbajnë të tre dokumentet e para të
shqipes së shkruar. Ndonëse poliglot i mirënjohur, që i bënte menjëherë të vetat gjuhët
kryesore të botës, me dy prej tyre nuk e pati aspak të lehtë: me gjuhën hungareze
dhe me atë shqipe. Kishte vështirësi posaçërisht për shqiptimin e bashkëtingëlloreve
të dyfishta, të ‘th’-së për shembull. Megjithatë, provoi e ia doli mbanesh t’i linte
trashëgim popullit shqiptar disa nga urimet më të përzemërta, që i janë drejtuar ndonjëherë,
duke nisur nga urimet e përvitshme për Pashkë e për Krishtlindje, formuluar gjithnjë
në formën: “Për shumë vjet Pashkët” dhe “Për shumë vjet Krishtlindjen”. Ja disa
prej shprehjeve përshëndetëse e uruese shqip, gjatë shtegtimit të Papës Vojtila në
Shqipëri: Fjala e tij e parë drejtuar shqiptarëve niste me përshëndetjen shqip:
“Zoti President! Të nderuar përfaqësues të Qeverisë dhe të Parlamentit! Të
nderuar vëllezër Ipeshkvij! Anëtarë të shquar të Trupit Diplomatik! Vëllezër
e motra shqiptarë, fort të dashur!”. Kjo në fillim të fjalimit, ndërsa
në fund, “Edhe një herë ju përshëndes me gjithë zemër”. Në Shkodër,
pastaj, në homelinë e Meshës më të jashtëzakonshme, përjetuar ndonjëherë nga Katedralja
e qytetit të Veriut, që provoi jo pak trandje historike: “Vëllezër e motra,
qoftë lëvduar Jezu Krishti!”. Në përfundim: “Vëllezër e motra! Me
të vërtetë kjo është dita e falur prej Zotit: të ngazëllohemi dhe të gëzohemi në të.
Amen!”. Në Lutjen e Mbretëreshës Qiellore, drejtuar nga ballkoni i kryeipeshkvisë
popullit të martirizuar të Shkodrës, që e ndiqte në ekstazë, urata zhgjetore, që
mund e duhet ta përsërisë çdo i krishterë shqiptar: “O Zoja e Shkodrës, Pajtorja
e popullit shqiptar, lutu për ne!”. Së fundi, në përshëndetjen e lamtumirës,
Fjala e Gjon Palit II në gjuhën shqipe, drejtuar mbarë popullit shqiptar: “Vëllezër
e motra shqiptarë: ju pëshëndes përzemërsisht!”. Në përfundim të vizitës:
“Mirupafshim. Ju uroj me gjithë zemër: gjithë të mirat!”. Nuk duhen
harruar, pastaj, edhe përshëndetjet e vazhdueshme drejtuar shtegtarëve shqiptarë,
gjatë audiencave të ndryshme, kur gardhi i hekurt ra e më në fund shumë besimtarë
e jo besimtarë, më veti e me grupe, të shoqëruar edhe nga ipeshkvijtë e tyre, nisën
të ndjekin në Sheshin e Shën Pjetrit e në Sallën e Palit VI, audiencat e Gjon Palit
II, ëndërruar aq shumë gjatë viteve të ngujimit e të izolimit nga mbarë bota. Nuk
mund të mos kujtojmë këtu shtegtimin e madh në Gjenacan, më 27. 05. 1995 dhe pritjen
e përzemërt që u bëri Papa shtegtarëve në Vatikan. Kujtime të paharrueshme, të shpërndara
në shiritat e arkivit të Radio Vatikanit e të Programit Shqip pranë kësaj Radio, Radio
e Papës! Të cilat po i përfundojmë me bekimin e Gjon Palit II, në Sallën Klementina,
në Vatikan, drejtuar shtegtarëve, që kishin ardhur për t’u takuar me Pajtoren e tyre,
Zojën e Këshillit të Mirë e me Papën: “Zoti e ruajtë Atdheun tuaj. Zoti e
mbrojtë popullin shqiptar në mbarë botën!”