Imzot Rrok Mirdita feston 20 vjetorin e shugurimit Ipeshkvnor, marrë nga duart e Papës
Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipëri
Eminenca juaj e Nderuar Kardinal Stanislaw Dzivisz, Shkëlqesia Juaj e nderuar,
Imzot Molinar Ingles, Të nderuar vëllezër ipeshkvinj, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, Shumë
të dashur vëllezër e motra,
Më 25 prill të vitit 1993 vendi ynë pati fatin
e lumtur të priste në një vizitë të dendur njëditore një shtegtar të veçantë, një
njeri që vinte në emër të Zotit, pasardhësin e kreut të apostujve, Papën Gjon Palin
II. Shqipëria e atyre viteve as nuk kishte dalë ende krejtësisht nga makthi i diktaturës,
as nuk i kishte bërë ballë dehjes së lirisë, por, e rrëmbyer nga gëzimi i kohëve të
reja, që hapeshin para saj, qëndronte me shikimin e humbur drejt një të ardhmeje,
forma e së cilës nuk ishte e lehtë për t'u skajuar. Shqipëria, e gdhirë si një
komb të cilit i ishte mohuar besimi në Zotin e vërtetë, përjetonte zhgënjimin përballë
zotit të rremë të projektit totalitar të regjimi komunist, që ishte shkërmoqur para
syve te saj. Para njëzet vjetësh shqiptarët patën nevojë për profetë, por profetët
ia kishin vrarë. Janë martirët e kishës sonë të përndjekur, dyzet prej të cilëve shpresojmë
se së shpejti do të shpallen të lumë. Si profet u shfaq në dheun tonë Ipeshkvi
i Romës, Papa Gjon Pali II. Si një profet që e lexon historinë në mënyrë të kulluar.
Gjatë fjalimit të paharrueshëm, edhe pse ende të pavlerësuar sa duhet gjatë këtyre
njëzet viteve, në Sheshin Skënderbej, tha, duke iu referuar regjimit ateist: "Ajo
që ka ndodhur në Shqipëri, nuk ishte shënuar kurrë në histori". Pastaj: "Drama juaj
i intereson, duhet t'i interesojë mbarë kontinentit europian dhe është e domosdoshme
që Europa të mos harrojë". E më tej: "Cmimi i lirisë është sekreti i përparimit të
vërtetë moral e qytetar. Shqipëri, përgjigjiu kësaj sfide të madhe historike. E ardhmja
që të pret është gjithsesi, përveçse e lehtë. Ka plagë që duhen mbyllur. E shkuara
le të shërbejë si mësim, por mos të shtyjë drejt mërisë e revanshit. Tani ka ardhur
koha për të parë me besim drejt të ardhmes." Për ndërtimin e të ardhmes së vendit
tonë, Ati i Shenjtë besonte se duhej të luante një rol të rëndësishëm edhe Kisha,
prandaj në atë udhëtim ripërtëriu kolegjin Ipeshkvor, duke shuguruar për shërbesën
e pasardhësve të apostujve tre priftërinj shqiptarë, që kishin vuajtur në burgjet
e komunizmit, dhe një tjetër prift shqiptar, që komunizmin e Shqipërisë e kishte njohur
nga tregimet e atyre që, me dhimbje, u ishte dashur të linin vendin e tyre për të
jetuar në Amerikë. Sot, pas njëzet vjetësh, kujtoj me mallëngjim e mirënjohje të thellë
çdo moment të asaj dite të lume. Mbi të gjitha kujtoj praninë e vëmendshme të Papës
Gjon Pali II që kishte ardhur këtu për të qenë dëshmitar i dashurisë së Zotit për
njerëzit tanë. Eminenca Juaj, më 25 prill 1993 Ju ishit përkrah Atit të Shenjtë
në atë udhëtim, sikurse keni qenë përkrah tij pandarë për dyzet vjet. Sot kam nderin
dhe kënaqësinë t'Ju jap mirëseardhjen në këtë tokë, ku fjala e Ungjillit, e shoqëruar
me veprat e dashurisë, ka qenë dhe mbetet mënyra se si kisha i është përgjigjur premtimit
që i bënte kombit tonë Ati i Shenjtë në Sheshin "Skënderbej": "Kisha, me forcën e
Ungjillit, do të përpiqet të ofrojë ndihmën e vet, qoftë me praninë e institucioneve
të saj, qoftë, mbi të gjitha, me dëshminë ne favor të një humanizmi të vërtetë, që
e vendos personin njerëzor, të parë nën dritën e Hyjit, në qendër të çdo projekti
ekonomik, social e politik". Këtë kishë jemi përpjekur të ndërtojmë gjatë këtyre viteve.
Për gjithçka që kemi bërë mirë, falënderojmë Hyjin, e unë falënderoj me gjithë zemër
bashkëpunëtorët e mi në të gjitha nivelet. Për çfarë kemi lëne pa bërë apo nuk kemi
bërë mirë, kërkoj përvujtërisht faljen e Atit qiellor. Së fundmi, falënderoj Hyjin
për praninë Tuaj mes nesh në këtë përvjetor. Kjo vizitë është një dhuratë e madhe
që i bëni kishës sonë, prandaj më lejoni të shpreh ndjenjat e thella të bashkimit
me Ju personalisht dhe me Kishën e Krakovës, ku ushtroni shërbesën ipeshkvore si pasardhës
i kardinalit Karol Wojtila. Së bashku me mua sot kremton njëzetvjetorin e shugurimit
ipeshkvor edhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Sh. T. Ramiro Moliner Ingles. Le t'ia
kushtojmë këtë Eukaristi Bariut të amshuar, me ndërmjetësinë e të lumit Gjon Palit
II, në të mirë popullit të Zotit që i është besuar kujdesit tonë baritor.