2013-04-25 12:07:40

20 vjet pas vizitës së të Lumit Gjon Pali II në Shqipëri e shugurimit të ipeshkvijve të parë të Kishës së ringjallur


Shqipëria e mbarë shqiptarët janë sot në festë. I gjithë vendi e mbarë Kisha Katolike kremton me gëzim të madh, 20 vjetorin e vizitës së paharruar të Papës së lum Gjon Pali II në Tiranë e në Shkodër, me të cilën i dha atij populli të stërmunduar, të sapodalë nga diktatura komuniste, shpresën për të ardhmen, ndërsa Kishës hierarkinë e vet, katër ipeshkvijtë e parë.
“Eukaristia kthehet në tokën tuaj – u pati thënë shqiptarëve. Kthehet Kisha”. Ishte entuziazmi i një pape, që pati kontribuar si askush në shembjen e komunizmit ateist; ishte hareja e asaj dite – 25 prill 1993 – gjatë së cilës, Papa Vojtila, në Tiranë e në Shkodër, u takua me besimtarët katolikë, dalë “për mrekulli të vërtetë” (siç tha vetë), nga njëri prej persekutimeve më të tmerrshme të shekullit të kaluar.
Pasi, për vite me radhë, e kishte “rrethuar me lutje, në bashkim me gjithë Kishën, varrin, në të cilin, në këtë tokë, ishte varrosur Jezusi dhe Korpi i tij mistik, që është Kisha”, ipeshkvi i Romës pati më në fund mundësinë t’i përqafonte besimtarët e Kishës martire shqiptare dhe t’u dhuronte katër barinj, shuguruar me një kremtim historik në katedralen e Shkodrës. Më pas, po Gjon Pali II shuguroi edhe ipeshkvijtë e tjerë, me të cilët Shqipëria, më në fund, rifilloi udhën e vështirë, që çon drejt lirisë së plotë, në respektin e të gjitha komponenteve etnike, kulturore e shpirtërore.
I shoqëruar në këtë shtegtim nga e Lumja shqiptare e bamirësisë, Nënë Tereza, Ati i Shenjtë i ftoi shqiptarët, në katër fjalime e homeli, të mos e harrojnë kurrë atë që ndodhi, por t’ia hapin zemrën dashurisë, që vjen nga feja në Krishtin, për të dhënë një kontribut të vyer në përparimin e gjithanshëm të vendit. Duke ia besuar Shqipërinë Zojës së Këshillit të Mirë, Gjon Pali II e nxiti popullin të ecë me besim e me guxim përpara, në shtigjet e lirisë e të solidaritetit.
Katër shugurimet ipeshkvnore kujtohen sot, pas 20 vjetësh, si ngjarje historike për Kishën e për Shqipërinë. Papa Vojtila shuguroi imzot Frano Illinë, kryeipeshkëv i Shkodrës; imzot Zef Simonin, ipeshkëv-ndihmës në të njëjtën dioqezë; imzot Rrok Mirditën, kryeipeshkëv i Durrës-Tiranës dhe; imzot Robert Ashtën, ipeshkëv i Pultit. Rron vetëm imzot Mirdita, i cili sot kremtoi në praninë e ish-sekretarit personal të Papës Gjon Pali II, kardinalit Stanislau Xhivish, 20-vjetorin e atij shugurimi të paharruar. Të gjithë të tjerët, i bëjnë shoqëri të Lumit që i shuguroi, pranë Atit Qiellor. Veçojmë vdekjen e imzot Robert Ashtës, i cili ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare, ndërsa po i çonte Sakramentet e fundit një të sëmuri në një fshat të humbur mes maleve të Pultit. Dëshmia e fundit e fesë së një ipeshkvi, që në emër të Krishtit, së bashku me vëllezërit në fe, pësoi burgje e poshtërime.
Së bashku me të, Kisha Katolike shqiptare ka humbur, gjatë këtyre viteve, edhe disa dëshmitarë të tjerë heroikë, të cilët, “ngarkuar” me vjet e me fe, e patën mbajtur gjithnjë gjallë shpresën në popull. Është një brez heronjsh e dëshmitarësh, që ua kanë kaluar trashëgiminë e vyer të rinjve: i takon Kishës Shqiptare të sotme e Kishës universale, të mos e humbë kurrë këtë traditë të çmuar.
Mjafton të mendojmë për kardinalin Mikel Koliqi, “gjigant i fesë”, siç është quajtur, vdekur në moshën 95-vjeçare, më 28 janar 1997.
Mjafton të mendojmë për imzot Frano Illinë, që ndërroi jetë më 22 tetor të të njëjtit vit, në moshën 79 vjeçare. Pikërisht më 25 prillin e vitit 1968 qe dënuar me vdekje, kthyer më vonë në punë të detyruar nga komunistët. 25 vjet më vonë, në të njëjtën ditë, merr shugurimin ipeshkvnor nga duart e Gjon Palit II.
Mjafton të mendojmë për imzot Zef Simonin, i cili vdiq një të shtunë, më 21 shkurt 2009, në moshën 81 vjeçare. Pas gjithë atyre që pati hequr nga komunistët, pati thënë e shkruar: “Me falë e me dashtë, ashtu si dhanë shembullin edhe martirët e vërtetë të krishtërimit shqiptar”.
Mjafton të mendojmë për jezuitin, atë Anton Luli, që shkoi në shtëpinë e Atit Qiellor në moshën 88 vjeçare, më 9 mars 1998. Kaloi 42 vjet nëpër burgje, punë të detyruar e internim, por nuk ua shiti kurrë shpirtin persekutuesve, nuk e mohoi kurrë fenë në Krishtin e në Kishën e vet.
Mjafton të mendojmë, së fundi, për Nënë Terezën, bijë e shqiptarëve, e cila ndërroi jetë më 5 shtator 1997, por la një dëshmi të krishterë dashurie për më të varfërit ndër të varfër, që mallëngjeu e vazhdon të frymëzojë botën mbarë.
Ky 20-vjetor i vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri, na bën të mendojmë për shumë gjëra e për shumë njerëz. Shembujt janë, mjafton t’i ndjekim!







All the contents on this site are copyrighted ©.