2013-04-25 15:48:21

20 vjet më parë, vizita historike e Gjon Palit II në Shqipëri. Kronika e don David Gjugjës dhe emocionet e drejtorit të Karitasit Shqiptar


Kaluan 20 vjet nga ditët e stuhishme, kur Shqipëria e rrëzoi gardhin e hekurt e nisi të ecë lirisht në shtigjet e pafundme të botës, krejt të panjohur, të takohet me njerëz nga të katër anët, të presë e të përcjellë personalitete me emra të ndaluar, të përjashtuar, të mohuar, që jetonin diku larg, duke u përpjekur për t’i shembur muret e diktaturave.
Shqipëria e sapo zgjuar nga ëndrra e keqe gjysëm shekullore, shikonte të shkelte në trojet e saj të mbjellura me eshtra dëshmorësh të rinj të lirisë, Papën Gjon Pali II; atë, i cili luajti një nga rolet kryesore në shembjen e perdes së hekurt, që ndante jo vetëm një Shqipëri të vogël nga bota, por një sistem nga një tjetër, në një stinë të gjatë, të akullt, që u njoh me emrin “lufta e ftohtë”, për Shqipërinë “dimri i vetmisë së madhe”.
Jo një, por një mori arsyesh të shtyjnë të meditosh për vizitën e Papës së parë në trojet shqiptare: ndërmjet tyre, pa dyshim, rimëkëmbja e vendit e në të, e Kishës së kthyer në gërmadhë, nga e cila kishin mbetur vetëm një ipeshkëv, një grup fare i vogël priftërinjsh, rregulltarësh e rregulltaresh, një grigjë e masakruar, me një mori delesh të humbura, në gojë të ujkut, brenda e jashtë Atdheut.
Nuk është e lehtë të përmbledhësh një histori 20-vjeçare brenda kufijve të ngushtë të katër ditëve festive: 25-28 prill 2013, që me veprimtaritë e shumta, përkujtojnë sa vizitën e Papës, aq edhe rrugën e gjatë të Kishës Katolike Shqiptare.
Më se e natyrshme, që festa të nisë me një Meshë falënderimi. U kremtua sot, në orën 11.00, në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, edhe kjo krejt e re, e ndërtuar në këto 20 vjet. Bashkëkremtuan Hirësia e Tij, kardinali Stanislau Xhivish, ish-sekretar i veçantë i të Lumit Gjon Pali II, sot kryeipeshkëv i Krakovit, imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit, ipeshkvij, meshtarë e rregulltarë. Në homelinë e mbajtur me këtë rast fatlum, Hirësia e Tij, Kardinali Xhivish, theksoi ndërmjet tjerash: “Shenjë e dukshme e daljes së Kishës shqiptare nga katakombet ishte mbërritja mes jush e shtegtarit të veshur me të bardha, e pasardhësit të Shën Pjetrit, Bariut të Kishës universale. Si bashkëpunëtor i tij i ngushtë per gati dyzet vjet, mund të dëshmoj vetëm se për të Lumin Gjon Pali II vizita në Shqipëri ishte një prej ngjarjeve më të rëndësishme te papnisë.Sot, si pasardhës i kardinalit Vojtila në Selinë e Shën Stanislaut, ipeshkëv e martir, ju sjell juve përshëndetjet e përzemërta dhe kujtimin në lutje të Kishës së Krakovit dhe të mbarë Kishës polake.
Më pas Hirësia e Tij kujtoi fragmente nga fjalimet e Papës gjatë vizitës në Shqipëri në atë ditë gëzimi, që ipeshkvi i Romës kishte ardhur ta kremtonte me shqiptarët. E edhe dorëzimin e dhuratës së katër barinjve të rinj, nga të cilët, i pranishëm vetëm imzot Mirdita. Hirësia e Tij e falënderoi, në 20 vjetorin e shërbimit të tij baritor, në sa Nuncin Apostolik në Shqipëri, Kryeipeshkvin Ramiro Moliner Ingles, në njëzetvjetorin e ipeshkvisë, pa harruar edhe barinjtë e mirë të Shqipërisë, që në kohën e përndjekjes nuk e braktisën vathën e tyre.
Pastaj Kardinali Xhivish u ndalua gjatë tek figura e Gjon Palit II duke falënderuar Hyjin për veprat e tija të mëdha, të përmbushura në tokën shqiptare dhe e përfundoi homelinë me fjalët: “T'ia besojmë Hyjit të gjitha çështjet e Kishës universale dhe tonat, me ndërmjetësinë e Marisë, nënës së Krishtit e të Kishës, Nënës së Këshillit të Mirë, Pajtores së Shqipërisë. T'ia besojmë edhe me ndërmjetësinë e të lumit Gjon Pali II, që sot, njëzet vjet pas udhëtimit apostolik në Shqipëri, pa dyshim e shikon këtë tokë nga lart e na bekon të gjithëve.
Amen!Tekstin e plotë të homelisë, mund ta lexoni në faqen tonë të internetit.Pasdite, në orën 17.00, Universiteti Shtetëror i Tiranës i dorëzon kardinalit Stanislau Xhivish titullin Doktor honoris causa, në sallën “Liria” të Qytetit të Studentit. Ndërsa në orën 17.30, pranë qendrës Kulturore të ushtrisë, paraqitet dokumentari “Midis dy dekadave”, kushtuar 20-vjetorit të vizitës së Papës Gjon Pali II, me skenar e regji të Engjëll Ndocajt.Duke marrë nga Universiteti i Tiranës Doktoraturën, kardinali Xhivish theksoi: “Falënderoj Rektorin dhe Autoritetet e Universitetit, të cilët më dhanë një titull, që më nderon kaq shumë, por që i detyrohet, para së gjithash, Atit të Shenjtë Gjon Pali II dhe vizitës së Tij në vendin tuaj fisnik”. Më pas kujtimet nga bashkëpunimi i ngushtë me Papën Vojtila, si sekretar i tij i veçantë dhe sinteza e veprimtarisë së Gjon Palit II, trashëgimi e madhe shpirtërore dhe intelektuale, jo vetëm për Kishën Katolike, sepse vizion, i cili mund të ndihmojë në kërkimin e përgjigjeve dhe në përballimin e sfidave të sotme e të nesërme në botë.

Meqënëse tradita universitare parashikon që një doktor i ri honoris causa të mbajë një konferencë e cila quhet lectio magistralis , kardinali Xhivish reflektoi për vlerat e Papnisë së Gjon Palit II, duke nënvizuar kontributin e padiskutueshëm në rrëzimin e sistemit totalitar komunist në Europë, regjim i cili për dhjetra vite shtypi shumë vende në këtë anë të botës, veçanërisht Shqipërinë e Poloninë.
Pastaj u ndalua edhe tek përvoja e Shqipërisë, më e vështira ndërmjet vendeve që iu i nënshtruan regjimit komunist çnjerëzor, pa Zot. Duke cituar fjalimet e Papës 20 vjet më parë, kujtoi Udhën e Kryqit të popullit shqiptar, parë me sytë e Gjon Palit II.
E sot, përfundoi Hirësia e Tij, mund të themi se vizita e Gjon Palit të II në Shqipërinë e lirë ishte në njëfarë mënyre realizim i fjalëve: “Mos kini frikë! Hapjani krejtësisht dyert Krishtit! Hapjani pushtetit të Tij Shpëtimtar kufijtë e Shteteve, sistemet ekonomike, politike, hapësirat e gjëra të kulturës, qytetërimit, zhvillimit. Mos kini frikë! Lejojeni Krishtin t’i flasë njeriut. Vetëm Ai ka fjalë jete, po, fjalë jete të amshuar”.
Tekstin e plotë të lectio magistralis, mund ta lexoni në faqen tonë të internetit.

Kujtojmë se imzot Rrok Mirdita është i vetmi nga të katër ipeshkvijtë e shuguruar nga Papa Vojtila në atë ditë të paharruar të 25 prillit 1993, në katedralen e Shkodrës, edhe kjo e dalë mrekullisht në dritë nga guaska e Pallatit të Sportit. Tre të tjerët, imzot Frano Illia, imzot, Zef Simoni, e imzot Robert Ashta tashmë janë kthyer në shtëpinë e atit qiellor, prej nga shikojnë sesi Kisha, kryesuar nga hjerakia e vet e mirorganizuar, përtërihet me gjak të ri; e Krishti, i rikthyer në trojet tona 20 vjet më parë, vijon veprën e Tij në gjirin e Popullit shqiptar, përmes qindra priftërinjve, rregulltarëve e rregulltareve, që kryejnë misionin në të katër anët e vendit, lidhur ngusht me Papën e Selinë e Shenjtë, e cila tashmë kishte emëruar Nuncin e parë apostolik të pas diktaturës, kardinalin Ivan Dias, aso kohe ende ipeshkëv, ashtu si Republika e Shqipërisë, ambasadorin e parë pranë Selisë Apostolike, zotin Willy Kamsi.
I pranishëm në kremtimet e këtyre ditëve, edhe kryeredaktori i Programit Shqip të Radio Vatikanit, don David Gjugja, 20 vjet më parë, përkthyes i Papës, i cili dëshironte të dinte sa më shumë për Shqipërinë e shqiptarët, që i dhuruan Kishës universale një mori dëshmitarësh të Krishtit, 40 prej të cilëve, në udhën e lumnimit.

Pasdite, për të ecur në gjurmët e Gjon Palit II, i cili nga Tirana u nis menjëherë për në Shkodrën e martirizuar, Mesha u kremtua në Katedralen e Shën Shtjefnit, kryesuar nga imzot Anxhelo Masafra, Kryeipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit. Prelati kremtoi sot edhe 15 –vjetorin e marrjes në dorëzim të Katedrales së Shkodrës, ku hyri solemnisht pikërisht më 25 prill të vitit 1998.
Dita e parë e festimeve, në Tiranë, përfundoi me darkën, ofruar nga Shkëlqesia e Tij kryeministri Sali Berisha; në Shkodër, me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament, pranë Shenjtërores kombëtare të Zojës së Këshillit të Mirë, në portën e së cilës një pllakë përkujtimore mermeri, na kujton se gurin e parë të kësaj shenjtëroreje tri herë të rrënuar, e tri herë të rindërtuar, e bekoi një Papë i Lum: Gjon Pali II.Por, për kronikën e ditës së parë, të ndjekim shërbimin e don David Gjugjës, nga Tirana...RealAudioMP3
E, pas don Davidit, emocionet e drejtorit të Karistasit shqiptar, Albert Nikolla:RealAudioMP3


Nesër, 26 prill, festa e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e shqiptarëve, kremtimet do të zhvendosen në Qytetin e Veriut. Zemra e kremtimit, Mesha në Shenjtëroren e Kombëtare të Zojës, kryesuar nga imzot Anxhelo Masafra, bashkëkremtuar nga ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët, në praninë e Hirësisë së tij, kardinalit Stanislau Xhivish. Pas Meshës, takimi me autoritetet, koncerti festiv, në Sallën e Motrave Stigmatine, përgatitur nga kori “Prenkë Jakova” dhe darka miqësore.

Më 27 prill, në orën 9.00, në mjediset e Hotel Tiranës, do të organizohet Simpoziumi me titull “Konstandini, 1700-vjetori i Ediktit të Milanos(313-2013)dhe liria fetare”. Veprimtaria shkencore do të hapet me përshëndetjen e imzot Anxhelo Masafrës, kryetar i Konferencës ipeshkvnore shqiptare dhe kryeministrit të Shqipërisë, profesor Sali Berisha. Do të vijojë me kumtesat: “Edikti i Milanos në kontekstin e tij historik. Shenja të zbatimit të tij. Shembuj nga Ballkani”(Prof Elizabeth De Palma, Universiteti i Kalifornisë, Santa Barbara); “Qëndrimi i të krishterëve kundrejt Perandorisë Romake deri në fillimin e pushtetit të Konstandinit”(Prof Marco Rizzi, Universiteti Katolik i Milanos); “Toleranca e fesë në Ediktin e Milanos(janar 313) dhe tradita e mëvonshme”(dr. Edmond Malaj); “Kostandini i Madh në kontekstin e Dardanisë e të Dardanëve”(Prof Jahja Drançolli); dhe “Liria fetare si Postulat i Respektimit të Dinjitetit Personal”(Sh.T. Imzot George Frendo). Moderator i simpoziumit, në të cilin pas çdo kumtese do të ketë edhe diskutime e takime miqësore, do të jetë profesor Ardian Marashi, Drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike.
Më pas, vizita në Arkivin e Shtetit, ku ruhen Kodikët e lashtë, dëshmi e pranisë shumëshekullore të Ungjillit të Krishtit në trojet shqiptare, që rrokën krishterimin që në kohë apostolike.

Dita e fundit, 28 prill, do t’u kushtohet vizitave në vende, që ruajnë kujtime të rëndësishme për historinë e Shqipërisë e të Kishës shqiptare, duke nisur nga lashtësia, për të ardhur në kohë më të reja. Do të nisë me një vizitë në Muzeun Kombëtar të Tiranës, për të kaluar në Krujë, Durrës e përsëri në Tiranë.

Kur Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë, gjeti një Kishë të rrënuar, por të lumnueshme, që kishte dalë e cënuar rëndë materialisht, por krejt te paprekur shpirtërisht, me një kler gjysma gjallë-gjysma të varrosur, por të shikuar me admirim e respekt të thellë nga delet e grigjës, që kishin parë në të, në vitet e errëta të diktaturës, të vetmen rreze drite: Dritën e Krishtit.E në se Papa i ri Françesku do të vinte për vizitë në Shqipëri, pas 20 vitesh do të gjente një Kishë në lulëzim!







All the contents on this site are copyrighted ©.