2013-04-24 14:12:50

Papa Françesku: Kisha është histori dashurie, jo organizatë burokratike


Kisha nuk është organizatë burokratike, është histori dashurie: kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit të sotëm, në Shtëpinë e Shën Martës. Të pranishëm, disa punonjës të Institutit të Veprave Fetare (IOR). Së bashku me Atin e Shenjtë, kremtoi meshën edhe ish-kryetari i Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë, kardinali Havier Lozano Barragan.
Leximet e liturgjisë së sotme tregojnë ngjarjet, në të cilat u përfshi bashkësia e parë e krishterë, që rritej e shtohej vazhdimisht me dishepuj. Diçka e mirë kjo, vërejti Papa Françesku, por që mund të na shtyjë të bëjmë lëshime, për të pasur sa më shumë “ortakë në këtë lloj ndërmarrjeje”:
“Përkundrazi, udha që Jezusi dëshiron për Kishën e vet është tjetër: është udha e vështirësive, udha e Kryqit, udha e persekutimeve… E kjo na bën të mendojmë: po ç’është kjo Kishë kështu? Kjo është Kisha jonë e jo ndonjë ndërmarrje njerëzore”.
Kisha, nënvizoi Papa Bergolio, është diçka tjetër. Nuk janë dishepujt ata, që e bëjnë Kishën; ata janë vetëm të dërguar, dërgohen nga Jezusi. E vetë Krishti është i dërguari i Atit:
“E atëherë, shihet se Kisha fillon aty, në zemrën e Atit, që pati këtë ide… Por, nuk e di nëse mund të themi ide: Ati Qiellor pati dashuri. Dhe filloi këtë histori dashurie, kaq të gjatë në kohë, sa akoma nuk ka përfunduar. Ne, gra e burra të Kishës, jemi pjesë e kësaj historie dashurie: secili prej nesh është një hallkë e këtij zinxhiri dashurie. E nëse nuk e kuptojmë këtë, nuk kuptojmë asgjë nga Kisha”.
Shpesh tundohemi ta shtojmë numrin e të krishterëve, pra ta zmadhojmë Kishën, pa kaluar nëpër rrugën e dashurisë:
“Por Kisha nuk rritet me forcën e njeriut; e më tej, disa të krishterë gabuan për arsye historike, gabuan udhën, formuan ushtri, bënë luftë për fenë. Ajo është tjetër histori e nuk është kjo histori dashurie. E si rritet Kisha? Na e ka thënë Jezusi, thjesht fare: ashtu si fara e sinapit, tharet si brumi, pa zhurmë”.
Kisha, kujtoi Papa argjentinas, rritet “nga poshtë, dalëngadalë”:
“E kur Kisha dëshiron të mburret me sasinë e formon organizata, e ngre zyra, e bëhet pak si tepër burokratike, humbet lëndën e saj kryesore e rrezikon të shndërrohet në një organizatë jo qeveritare. Por Kisha nuk është “ojq”. Është histori dashurie… Aaa! Kemi këtu ata të IOR-it… më falni ëëë! …gjithçka duhet, zyrat janë të nevojshme… epo, mirë! Por janë të nevojshme deri në një farë pike: si ndihmë për këtë histori dashurie. Kur organizimi zë vendin e parë, dashuria shuhet e Kisha - e varfëra - kthehet në organizatë jo qeveritare. E nuk është kjo, udha e saj”.
Një kryetar shteti, vazhdoi Ati i Shenjtë, pati pyetur sa e madhe është ushtria e Papës. Kujtoi kështu pyetjen e famshme të Stalinit për kryeministrin francez Pierr Laval, i cili i pati kërkuar të ndërhynte në favor të katolikëve të persekutuar rusë, natyrisht, pa sukses, siç dëshmoi historia e mëvonshme, shumë larg historisë së dashurisë, për të cilën foli sot Papa Françesku. Duke u tallur me divizionet e Papës, Stalini nuk ishte aspak origjinal, por imitonte Frederikun II të Prusisë, i cili, për nënshtetasit e pabindur, thoshte: “A ka me vete 100 mijë vetë? Nëse jo, pse mendoni se duhet të shqetësohem?” Kisha, nënvizoi në meshë Ati i Shenjtë, nuk i shton radhët e saj “me ushtarë”, por me forcën e Shpirtit Shenjt. Sepse Kisha, nuk është organizatë:
“Jo: është Nënë. Është Nënë! Ka shumë nëna në këtë meshë. Si do ta ndjenit veten ju, nëse ndokush do t’ju thoshte: ‘Mos jeni organizatore e shtëpisë’? ‘Jo: jam nëna!’. E Kisha është Nënë. E ne jemi në mesin e një historie dashurie, që shkon përpara me forcën e Shpirtit Shenjt. Ne, të gjithë bashkë, jemi një familje në Kishë. Kisha është Nëna jonë”.
Së fundi, Papa Françesku iu lut Zojës që t’u japë të gjithë të krishterëve hirin e gëzimit, të gëzimit shpirtëror për të marrë pjesë në këtë histori dashurie, të menduar nga Zoti për Popullin e Vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.