2013-04-24 17:13:20

Audienca e përgjithshme. Papa: i krishteri të mos mbyllet kurrë në vetvete, por të punojë gjithnjë për të mirën e botës!


I krishteri nuk duhet të mbyllet brenda vetes, por duhet t’i përdorë kohën e talentet, që i ka falur Zoti, për të mirën e botës. Është kjo, përmbledhja e katekizmit, drejtuar nga Papa Françesku më se 100 mijë vetëve, një hekzod i vërtetë, dyndur nga vise të ndryshme të Italisë e të botës në Sheshin e Shën Pjetrit, për audiencën e përgjithshme të së mërkurës. Të rinjtë, në mënyrë të veçantë, Papa i ftoi të kërkojnë gjithnjë ideale të mëdha, që e zgjerojnë zemrën e vogël njerëzore, duke e bërë aq të madhe, sa të zërë mbarë botën.

I krishteri nuk e kalon plogështisht jetën, që ia dhuroi Zoti. I krishteri është plot gjallëri, punë, veprim. Veprim, që vihet gjithnjë në shërbim të së mirës. Papa Françesku vijoi, me të njëjtin zell – gjë që e nënvizuan përsëri duartrokitjet e stuhishme në fragmenet më prekëse - t’u bëjë thirrje ndërgjegjeve njerëzore, t’i shkundë, t’i zgjojë, duke folur për Gjyqin e Mbramë. Pikënisje ishte fraza e Besojmës, e cila na kujton se Jezusi do të vijë përsëri ‘për të gjykuar të gjallët e të vdekurit”. Për këtë orë mbarimi, e edhe fillimi, reflektoi Papa, duke shpjeguar ç’duhet të bëjë besimtari, para se të arrijë në këtë cak, që, për fat të keq, të krishterët nuk e kanë gjithnjë parasysh. E për ta shpjeguar sa më kuptueshëm, Papa Françesku përdori tri shembëlltyra. E para, ajo e virgjërave të mençura dhe e virgjërave marroqe, që tregon ç’do të thotë të rrish zgjuar, në pritje të kthimit të Krishtit:
“Ajo, që na kërkohet, është të jemi të përgatitur për takimin, për takimin e bukur, takimin me Jezusin, domethënë t’i dallojmë shenjat e pranisë së Tij, ta mbajmë gjallë fenë tonë, me lutje, me sakramente. Domethënë t’i mbajmë sytë hapur, të mos dremisim, të mos e harrojmë Zotin. Jeta e të krishterëve të kotur është e trishtuar, nuk është jetë e lume. I krishteri duhet të jetë i lumtur, të jetë gëzimi i Jezusit. Mos dremisni, prandaj!”.
Shembëlltyra e dytë, ajo e talenteve, shtoi një notë të re në tastierën e arsyetimit, me shpjegimin se, për atë që beson, pritja e Krishtit nuk është kurrë kohë amullie:
“I krishteri, që mbyllet në vetvete, që e fsheh dhuratën e Zotit, është e nuk është i krishterë! Është i krishterë, që nuk e falënderon Zotin për gjithë ç’i ka dhuruar! E kjo na kujton se pritja e kthimit të Zotit, është kohë veprimi, ne jemi në kohë veprimtarie, kohë, në të cilën duhet t’i bëjmë të japin fryt dhuratat e Zotit, jo për vete, por për Të, për Kishën, për të tjerët, sepse është koha në të cilën duhet ta kërkojmë papushim të mirën, për të gjithë botën”.
Në këtë pikë, Papa kujtoi aktualitetin, duke theksuar se të bësh mirë, ka rëndësi të dorës së parë, posaçërisht sot, në kohë krize:
“Sot ka rëndësi të mos mbyllemi në vetvete, duke i groposur talentet, pasuritë shpirtërore, intelektuale, materiale, gjithçka na dhuroi Zoti, por t’ia hapim zemrën botës, të jemi solidarë, të vëmendshëm ndaj tjetrit”.
Duke i shkëputur sytë nga letrat e duke ia ngulur turmës vigane, që e ndiqte pa frymë në Shesh, Papa iu drejtua në mënyrë të posaçme të rinjve të shumtë në mes turmës:
“Mos i groposni talentet! Synoni ideale të mëdha, ideale që e zgjerojnë zemrën, ideale shërbimi, që i shumëfishojnë talentet tuaja. Jeta nuk na u dhurua, që ta ruajmë me kujdes të madh vetëm për vete. Jeta na u dhurua, që ta dhurojmë. Të dashur të rinj, ju duhet të keni një shpirt të madh! E ëndrra të mëdha! Mos kini frikë të ëndërroni gjëra të mëdha!”.
Shembëlltyra e tretë, kushtuar Gjyqit të Mbramë, ishte e fundit në katekizmin e sotëm. Papa Françesku kujtoi skenën më tronditëse të Ungjillit, kur Zoti do ta veçojë njeriun, që i dha të hajë të uriturit, që ia shtriu dorën të huajit, mjekoi të sëmurin, vizitoi të burgosurin, nga ai, që s’e çau kokën për vuajtjen tronditëse të të gjitha kohëve. Këtu Papa e këputi për një çast fjalën. Në hapësirën ndërmjet harkut të shtyllave, ra një heshtje varri. Heshtja e meditimit për fundin, nga i cili nuk shpëton askush! E pastaj, heshtjen e theu pyetja:
“Mendoj për shumë të huaj, që janë këtu, në dioqezën e Romës. Çfarë bëjmë për ta?”.
Në përfundim, Ati i Shenjtë pohoi përsëri se feja është dhuratë, pa harruar të shpjegojë se Zoti kërkon për të një përgjigje të lirë e konkrete, një jetë të mirë, plot veprimtari të frymëzuar nga feja e nga dashuria:
“Të dashur vëllezër e motra, duke shikuar Gjyqin e Mbramë, nuk duhet t’ju trembë kurrë, përkundrazi, duhet t’ju nxisë ta jetoni sa më mirë të sotmen. Zoti na e jep me mëshirë e duresë këtë kohë, që të mësojmë çdo ditë ta pranojmë në të varfërit, në të vegjëlit, të punojmë për të mirën e të jemi vigjilentë në lutje e në dashuri”.
Pasi e kreu katekizmin në italisht, Papa iu drejtua turmës në shtatë gjuhë të tjera. Në Sheshin e Shën Pjetrit ishin të pranishëm edhe besimtarë nga Vietnami e nga Argjentina, që Papa deshi t’i rrokte, duke u sjellë rreth sheshit, mes njerëzve. Të posalindur, të sëmurë, një kor fëmijësh, të posamartuar, pleq: Papa Françesku shtrëngoi qindra duar, duke kaluar më se një orë në mes të turmës, pranë rrahjeve të zemrave njerëzore, që ndjenë pranë e pranë rrahjen e zemrës së një pape, i cili di jo vetëm të flasë për ngrohtësi njerëzore. Di edhe t’i qajë hallet e njerëzve, që vuajnë. Të punëtorëve sardë të EON., për shembull, të pranishëm në shesh, që rrezikojnë të mbeten pa punë, të cilët i uroi ta rigjejnë sa më shpejt punën e dëshiruar. Të familjeve, pastaj, e të gjithë njerëzve, që po kalojnë kohë vërtet të vështira. Prandaj e mbylli audiencën me një fjalë, që përmblodhi dëshirat e turmës në Shesh e të të gjithë njerëzve, që mundohen nëpër botë: me fjalën shpresë!








All the contents on this site are copyrighted ©.