2013-04-24 17:42:44

Atë Picaballa: në Siri hyjnë armë e fanatikë, nësa civilët ikin.


Rrëmbimi i dy peshkopëve ortodoksë ka tronditur besimtarët e krishterë të mbarë botës e, sidomos, bashkësitë e tyre të Halebit. Për arsyet e këtij rrëmbimi, pyetëm Rojtarin françeskan të Tokës së Shenjtë, atë Pierbatista Picabala, i cili kohët fundit bëri një thirrje të fuqishme drejtuar mbarë botës, për t’i dhënë një herë e mirë fund krizës gjakatare siriane, që po gjunjëzon një zonë të tërë të Lindjes së Mesme:

Përgjigje: - Besoj se, në këtë rast, rrëmbimi u bë për arsye ekonomike. Të rrëmbesh dy peshkopë, do të thotë që pastaj të kërkosh shumë para për shpengimin e tyre, sepse, për fat të keq, përveç luftës, këtu veprojnë edhe forma të ndryshme të mafies, formohen grupe keqbërësish, që përfitojnë nga situata për t’u pasuruar, si në Irak. Nuk janë për t’u përjashtuar as motive fetare ose fanatike, por unë besoj se arsyeja e parë duhet të jetë ajo ekonomike.

Pyetje: - Ç’mendon Rojtaria e Tokës së Shenjtë për rrugëdaljen nga situata në tokat larg Jeruzalemit, por pranë zemrës së të gjithë besimtarëve?

Përgjigje: - Shpresojmë se Bashkësia ndërkombëtare do t’i japë fund veprimtarisë së furnizimit të forcave rebele e edhe atyre qeveritare me armë e mjete të tjera, sepse ky është një nga shkaqet kryesore të vijimit pambarim të konfliktit. Shpresojmë se do të fitojë gjykimi i shëndoshë, ndonëse dyshoj për mundësinë e përfundimeve të kënaqshme.

Pyetje: - Në thirrjen tuaj të fundit për zgjidhjen e krizës siriane, ju flisni edhe për pasojat tejet të renda ekonomike të luftës civile: pasoja, që i kalojnë shumë kufijtë sirianë…

Përgjigje: - Po, pasoja e parë, si në Siri, ashtu edhe në vendet fqinje, është shpërngulja e miliona njerëzve, miliona refugjatëve, që ikin larg vendeve të punës, larg shtëpive, pa asnjë ndihmë e mbështetje. Pastaj, njëherësh me refugjatët, lëvizin lirisht edhe rebelët, fanatikët… Po përhapet me shpejtësi të çuditshme ky fenomen që, për fat të keq e kemi parë në Irak e që tani po vijon edhe në Siri e në viset tjera të Lindjes së Mesme.

Pyetje: - Fenomen që, është e tepërt ta themi, peshon rëndë edhe mbi turizmin, burim tepër i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik….

Përgjigje: - Po, abosolutisht. Kur ndodhin këto gjëra, turistët, por edhe shtegtarët, ikin, rrinë larg sherrit. Kjo situatë ka pasoja negative mbi gjithë tregtinë si dhe mbi veprimtaritë, që lidhen me turizmin, të cilat po dëmtohen rëndë.

Pyetje: - Pavarësisht nga të gjitha këto, besoj se ju uroni që të krishterët të mos largohen nga viset e tyre, apo jo?
Përgjigje: - Duket absurde, por duhet të shpresojmë kundër çdo shprese, siç shkruhet në Bibël. Ka rëndësi absolute që të krishterët të mos emigrojnë: edhe kështu e jemi bashkësi tepër vogël, por gjithsesi ka rëndësi që kjo bashkësi të mbetet këtu, ta mbajë gjallë fenë në Krishtin, në këtë tokë, që e pa të lindë.







All the contents on this site are copyrighted ©.