2013-04-23 14:45:26

Lutja e Papës për lirimin e peshkopëve të rrëmbyer në Siri


“Rrëmbimi i dy mitropolitëve të Halebit, ai i Kishës siro-ortodokse, Mar Gregorios Ibrahim dhe, ai i Kishës greko-ortodokse të Antiokisë, Paul Jazixhi, si edhe vrasja e shoferit të tyre, ndërsa kryenin një mision humanitar, është konfirmim dramatik i gjendjes tragjike, në të cilën jeton popullsia e Sirisë dhe bashkësitë e krishtera”: kështu deklaroi sot, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi.
“Ati i Shenjtë, Françesku – vazhdon drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit – u informua për këtë fakt të ri e të rëndë, që i shtohet dhunës së ditëve të fundit dhe emergjencës humanitare me përmasa të jashtëzakonshme. Ai i ndjek ngjarjet me lutje e interesim të thellë për shëndetin dhe lirimin e dy peshkopëve të rrëmbyer. Lutet gjithashtu, që me impenjimin e të gjithëve, populli sirian të shohë më në fund zgjidhje të frytshme për dramën humanitare, që po kalon, e në horizont, të vërejë lindjen e shpresave të vërteta për paqe e pajtim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.