2013-04-23 12:10:12

Ipeshkvijtë e Umbries priten nga Papa Françesku: “E ftuam në Asizi”.


Papa Françesku priti dje, në kuadrin e vizitës “ad Limina Apostolorum”, prelatët e dioqezave umbre të Perugjës, Asizit, Qytetit të Kastelos, Folinjos, Gubios, Spoletos, Orvietos, Ternit. Për këtë takim, intervistuam imzot Domeniko Sorrentinon, ipeshkëv i Asizit:
Përgjigje: - Mahnitës! Njohëm nga afër fytyrën dhe zemrën e Papës, të cilin të gjithë po mësojmë ta njohim në manifestime nga më të ndryshmet. Pamë thjeshtësinë e tij! I fola, natyrisht, për Asizin, për Françeskun, duke i kujtuar se 800 vjet më parë, ishte një ipeshkëv i Asizit, ipeshkvi Guido, që ia paraqiti Papës Inoçenci djaloshin Françesk, përmes bashkëpunëtorëve të Kuries Romake. Në një farë mënyre e rijetuam këtë çast me Papën Françesku. Së bashku me vëllezërit e Umbries e ftuam edhe në Asizi, e Papa tregoi shumë interes. Ishte takim vërtet i bukur, çast në të cilin u ndje ngrohtësia e Rrëshajëve. Papa na e ndikoi në zemra. Zemrat ndjenë rrahjet e një zemre tjetër, zemër ati, që i priti vëllezërit në ipeshkvni. Diskutuam e verifikuam shumë sende të jetës sonë baritore.

Pyetje: - Në të vërtetë është krijuar një lidhje e posaçme ndërmjet Asizit e Papës, pas zgjedhjes së emrit të Varfanjakut...

Përgjigje: - Nuk ka dyshim. E zgjodhi, sepse emri i Varfanjakut është mesazh, është frymëzim: na dha edhe udhëzimet që kjo të pasqyrohet konkretisht në udhën e risimit të jetës sonë kishtare, në udhën e të jetuarit të Ungjillit e të misionit. E kjo më duket nxitje vërtet e madhe. Gëzimi im është gëzim për mbarë Kishën asiziane. Më thanë, kur u nisa për në Romë: “Thuaji Papës Françesku se e duam fort e se e presim”. M’u duk se në atë çast, e gjithë Kisha e Asizit ishte me mua.

Pyetje: - Ç’ju la më shumë mbresë nga Papa Françesku?

Përgjigje: - Buzëqeshja e tij, thjeshtësia e tij, përzemërsia e tij. Me të rrihet si me një vëlla. Ja, ky është kuptimi i familjes kishtare. Kjo natyrisht, ka qenë gjithnjë e vërtetë: ishte edhe me Papën Benedikti e me të tjerët, por më duket se Papa Françesku ka një karizëm të veçantë, të cilën e transmeton menjëherë: ka shumë ngrohtësi vëllazërore.

Pyetje: - A mund të na theksoni ndonjë gjë të veçantë, që ju tha Papa?

Përgjigje: - Hovi misionar, për të cilin Kisha duhet të jetë më e ndjeshme, duke mos u përqendruar kurrë tek vetvetja, por tek Jezu Krishti e tek kumtimi i Krishtit ndërmjet vëllezërve në skajet e botës, që nuk janë vetëm skaje të largëta, gjeografike, por edhe skaje të zemrës, ato, në të cilat zemra rreh në kërkim të Zotit.

Pyetje: - Sot Papa Françesku, festoi ditën e emrit. Quhet, pra, Gjergj, në shqiptimin argjentinas, Horhe. Urimi juaj?
Përgjigje: - Që shpresa, të cilën ia dha Kishës, të vijojë gjatë, të hyjë thellë në zemra e të ndihmojë në përtëritjen ungjillore. Këtë urojmë e presim të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.