2013-04-19 14:44:00

Papa Françesku: ta pranojmë Fjalën e Zotit me zemër të përvuajtur; Kisha të çlirohet nga moralizmat dhe ideologjitë


Fjala e Zotit duhet pranuar me përvuajtëri, sepse është fjalë dashurie. Vetëm kështu mund të hyjë në zemër e ta shndërrojë jetën: këtë, shkurtimisht, theksoi Papa sot paradite gjatë Meshës, kryesuar si zakonisht, në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Të pranishëm, disa nëpunës të Tipografisë së Vatikanit e të gazetës ‘L’Osservatore Romano”.

Kthimi i Shën Palit dhe fjalimi i Jezusit në Sinagogën e Kafarnaos, ishin leximet biblike të ditës, në qendër të homelisë së Papës, me sytë ngulur tek Jezusi, që flet: i flet Saulit, që e persekuton; i flet Ananisë, të cilin e fton ta pranojë Saulin, e u flet edhe dijetarëve të ligjit, duke u kujtuar se kush nuk e ha korpin e tij e nuk e pi gjakun e tij, nuk do të shëlbohet. Zëri i Jezusit, pohoi Papa, kalon nëpër mendjen tonë e arrin në zemër. Kalon, sepse Jezusi dëshiron të kthehemi tek Ai. Pali e Anania përgjigjen me ngurrim, por me zemër të hapur. Ndërsa dijetarët e ligjit përgjigjen ndryshe, duke diskutuar ndërmjet tyre e duke i kundërshtuar rreptë fjalët e Jezusit:
Pali e Anania përgjigjen si të mëdhenjtë e historisë së shëlbimit, si Jeremia e Izaia. Edhe Moisiu pati vështirësitë e veta: ‘Por, o Zot, unë nuk di të flas, e si do të shkoj tek egjiptianët e t’ua them këto fjalë?’. E Maria: ‘O Zot, po unë nuk jam grua e martuar’. Është përgjigjja e përvuajtur e njeriut, që e pranon fjalën e Hyjit me zemër. Ndërsa dijetarët përgjigjen vetëm me kokë. Nuk e dinë se Fjala e Zotit shkon drejt e në zemër, nuk e dinë ç’është kthimi”.
Papa shpjegoi edhe kush janë ata, që përgjigjen me kokë:
Janë ideologët e mëdhenj. Fjala e Jezusit shkon në zemër, sepse është fjalë dashurie, është fjalë e bukur, është plot dashuri, të bën të duash. Këta ia presin udhën dashurisë. E edhe bukurisë. E nisin të diskutojnë rreptas ndërmjet tyre: ‘E si mundka ky të na japë për të ngrënë korpin e tij?’. Problem intelekti, ky! E kur hyn ideologjia në Kishë, kur hyn ideologjia në dijen e Ungjillit, nuk kupohet më gjë prej gjëje”.
Janë ata, që ecin vetëm në udhën e detyrës: është moralizmi i atyre, që pretendojnë se mund të realizojnë nga Ungjilli, vetëm atë, që e kuptojnë me kokë. Nuk janë në udhën e kthimit, të atij kthimi, në të cilin na fton Jezusi:
E këta, në udhën e detyrës, e ngarkojnë gjithë barrën mbi shpatullat e besimtarëve. Ideologët e falsifikojnë Ungjillin. Çdo interpretim ideologjik, ngado që të vijë, nga njëra a nga tjetra anë, është falsifikim i Ungjillit. E këta ideologë – si i kemi parë në historinë e Kishës - përfundojnë si intelektualë pa talent, si eticistë, pa pikë mirësie. Që të mos flasim për bukuri, të cilën nuk e kuptojnë fare”.
Ndërsa udha e dashurisë, udha e Ungjillit - kujtoi Papa – është tejet e thjeshtë. Është udha, të cilën e kuptuan Shenjtorët:“Shenjtorët janë ata, që e çojnë Kishën përpara! Në udhën e kthimit, udhën e përvuajtërisë, të dashurisë, të zemrës, udhën e bukurisë. Ta lusim sot Zotin për Kishën: që Zoti ta çlirojë nga çdo lloj interpretimi ideologjik ; ta hapë zemrën e Kishës, Kishës sonë Nënë, të Ungjillit të thjeshtë, atij Ungjilli të pastër, që flet për dashuri, që gurron dashuri e që prandaj, është shumë i bukur. E na bën të bukur edhe ne, me bukurinë e shenjtërisë. Të lutemi sot për Kishën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.