2013-04-19 17:03:09

Mesazh i Këshillit Papnor për Emigrantët dhe Endacakët në Ditën Botërore të Cirkut: të ruhen vlerat karakteristike të artistëve


Nesër, kremtohet Dita Botërore e Cirkut, organizuar nga Federata ndërkombëtare përkatëse, me patronazhin e Princeshës Stefani të Monakos. Me këtë rast, Këshilli Papnor i Baritorisë për Emigrantët dhe Endacakët i dërgon Federatës së Cirkut një mesazh, ku, duke kujtuar audiencën e Benediktit XVI me artistët e cirkut, në dhjetor të vitit 2012, shpreh mirënjohjen e Kishës për shoqatat e cirkut në të gjithë botën. Në atë rast, Papa deshi të nënvizojë – thuhet në mesazh – se, përmes shfaqjeve, lojrave dhe koreografive, nën ritmin e muzikës e të valles, përmes aftësisë së jashtëzakonshme atletike dhe artistike, cirku krijon mundësi komunikimi ndërmjet të mëdhenjve e të vegjëlve, duke zgjuar ndjenja miqësie e duke siguruar një argëtim të qetë, për të cilin ka shumë nevojë njeriu bashkohor. Dikasteri vatikanas falenderon më pas, ata artistë cirku, që me karovanën e tyre, me guxim e bujari, shkojnë në vende, ku ka luftë, dhunë, ose fatkeqësi natyrore, për t’u ofruar njerëzve, që vuajnë – sidomos fëmijëve dhe të moshuarve – çaste paqeje e gëzimi.
Në një botë, plot tensione e pabarazi – përfundon mesazhi – plot egoizëm e individualizëm, “kemi nevojë të shohim dritën e shpresës e t’i japim vetes shpresë”, siç tha Papa Françesku në homelinë e fillimit të shërbimit të tij pjetrin (19 mars 2013). Duhet të marrim guxim e ta shprehim mirësinë dhe ëmbëlsinë – siç vëren gjithnjë Papa.
Dje, tendat e cirkut në mbarë botën u hapën për vizitorët, për të dëshmuar ato vlera, që kanë karakterizuar gjithmonë traditën e artistëve të cirkut, si dashuria për familjen, kujdesi për të vegjlit e për të gjymtuarit, vëmendja ndaj të sëmurëve, vlerësimi i të moshuarve dhe i përvojës së tyre jetësore, dialogu ndërmjet brezave, ndjenja e miqësisë, aftësia për të punuar si një skuadër e vetme.








All the contents on this site are copyrighted ©.