2013-04-19 17:02:51

Kardinali Ravazi: 65% e popullsisë botërore pa liri fetare, kufizime edhe në Perëndim


Liria fetare është thelbësore për ndërtimin e një shoqërie, bazuar mbi drejtësinë e bashkëjetesën paqësore. Kjo është bindja, që shprehën relatorët e kuvendit TEDx (Teknologji, Argëtim, Projektim), organizuar me patronazhin e Këshillit Papnor të Kulturës, mbi temën “Liria fetare sot”. Në konferencën, që u zhvillua të premten, për herë të parë në Vatikan, morën pjesë përfaqësues të botës së fesë, të kulturës, shkencës, muzikës e sportit. Kuvendi propozoi dëshmi nga e gjithë bota për të kuptuar temën e lirisë fetare, duke u nisur nga traditat, kulturat dhe fetë e ndryshme, siç shpjegon organizatorja, Gjovana Abiati:
“Ajo që bëmë është përshtatja e temës së lirisë fetare me nivelin e njerëzve të thjeshtë. “Përziemë” krerë fetarë, si rabini Dejvid Rozen, me njerëz të artit (patëm një mysliman që pikturon grafite), por patëm edhe koleksionistë të mëdhenj arti të qytetërimeve të mëdha, si ai i Islamit, si edhe misionarë katolikë, arkitektë… Jemi përpjekur të përfaqësojmë të gjitha fushat, për të dëgjuar zërin e secilit mbi këtë argument, duke u nisur nga përvoja e tyre jetësore, profesionale e nga roli i tyre në shoqëri”.
Liria fetare, lexohet në mesazhin e kardinalit Xhanfranko Ravazi, nuk është opcion, por domosdoshmëri. 65% e popullsisë së botës jeton në vende ku liria e fesë kufizohet. Ka vende, ku kemi të bëjmë me persekutime të vërteta, por edhe në shoqëri më demokratike vërehen kufizime të lirisë fetare, kur, për shembull, mjekët detyrohen të praktikojnë abortin.
Frati augustinian, Eduard Daleng foli për situatën në qytetin nigerian të Xhosit, i cili, gjatë viteve të fundit, përshkohet nga dhunë e tension ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. Ka shumë vështirësi, theksoi ai, por mund të ndërtohen ura paqeje. Falë impenjimit të organizatave të ndryshme e, edhe të vetë fretërve, shpesh lind shpresa e pajtimit.
Jezuiti dhe shkencëtari amerikan Gai Konsolmanjo kujtoi zbulimin e tij të rëndësishëm në një fshat të humbur të Kenias, ku banorët dëshironin të mësonin astronomi. Njeriu ka uri për dije, theksoi ai. E në këtë udhë, shkenca e feja takohen:
“Shkenca e feja nuk janë në konflikt. Për mua, shkenca është shembull si mund të arrihet tek i njëjti objektiv: e vërteta. Mund të përdoret shkenca si të ishte fe tjetër, por ky është abuzim jo vetëm i fesë, por edhe i shkencës”.
Shkencëtari Brajën Grim vuri në dukje se mëse 5 miliard vetë pësojnë kufizime fetare në botë. 76% e 198 vendeve, të shqyrtuara prej tij, kanë marrë masa për reduktimin e lirisë fetare. Nga ana e tij, rabini Dejvid Rozen, nënvizoi se fjala “fe” keqinterpretohet sa herë bashkohet me politikën e përdoret për qëllime, që s’kanë të bëjnë aspak me paqen, harmoninë dhe drejtësinë, të cilat predikohen nga të gjitha besimet.
TED është një organizatë pa qëllim fitimi, që ka si objektiv përhapjen e ideve me vlerë. Faqja e internetit “ted.com” ka rreth një milion e gjysëm kontakte në ditë.







All the contents on this site are copyrighted ©.