Drejtësia shoqërore dhe popullsitë autoktone, në qendër të takimit të Papës Françesku
me presidentin e Ekuadorit.
Papa Françesku priti, sot paradite, në Vatikan, presidentin e Republikës së Ekuadorit,
Rafael Vicente Correa Delgado. Gjatë takimit të ngrohtë e miqësor, u fol kryesisht
mbi ndihmesën e Kishës Katolike në sektorë të ndryshëm të jetës shoqërore në vend
dhe mbi rëndësinë e dialogut të sinqertë e të vazhdueshëm ndërmjet Kishës e Shtetit,
për të përballuar sfidat themelore të shoqërisë. Më pas, njofton një notë e Sallës
vatikanase të Shtypit, u nënvizua vlera e drejtësisë shoqërore, e solidaritetit dhe
e ndihmës reciproke, në kërkim të së mirës së përbashkët. Së fundi, nënvizon nota,
u fol për temat e aktualitetit në zonë, temën e respektit për popullsitë vendase,
për kulturën e tyre si dhe temën e mbrojtjes së ambientit.