2013-04-19 16:54:18

Dokumenta të panjohura, dalë në dritë në Asti, dëshmojnë origjinën e Papës Françesku


Dritë e re mbi rrënjët e familjes së Papës Françesku. Arkivi i Shtetit në Asti të Italisë paraqiti dokumente të panjohura, sipas të cilave gjyshi i Papës Françesku, Xhovani Bergolio, ishte fshatar, që u transferua në qytet (Torino) për t’u bërë tregtar, duke i dhënë mundësi të birit (babait të Papës) të studiojë për llogaritar, për ta marrë më pas me vete në Argjentinë.
Në atë kohë, flasim për vitet e fundit të 1800-ës e fillimet e shekullit XX, të rinjtë që diplomoheshin ishin shumë të paktë, sidomos ndër fshatarë. Familja u nis për në Argjentinë, në kërkim të një jete më të mirë, më 1 shkurt 1929. Papa aktual Bergolio lindi atje, siç dihet tashmë. “Sot, ne astixhanët, që shohim në fronin e Shën Pjetrit vetëpërmbajtjen, hijeshinë, seriozitetin, të cilat duken qartë nga sjelljet e Papës Françesku – pohon kryetari i bashkisë së Astit, Fabricio Brinjolo – vërejmë në të karakteristikat e mënyrës sonë të jetesës e mund të themi se janë vlera, që Papa Bergolio i ka marrë në rini nga i ati”. Qytetarët e Astit janë, natyrisht, krenarë për këto rreze drite mbi rrënjët e një familjeje të tyre, nga e cila ka dalë një njeri i madh, si Ati i Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.