2013-04-18 12:57:28

Çelësi i fjalëve të Kishës: ta studiojmë dhe të thellohemi në "Besojmën" e krishterë


Vazhdojmë sot, në emisionin tonë të 180-të, t’ju njohim me komentin, që i bëri Papa Pali VI, “Besojmës” së shqiptuar nga Sheshi i Shën Pjetrit, në përfundim të Vitit të Fesë, shpallur për të kremtuar 1900-vjetorin e martirizimit të shën Pjetrit e të shën Palit. Siç thamë edhe në emisionin e kaluar, një javë më vonë, gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, më 3 korrik 1968, Papa Pali VI shpjegoi ç’donte të thoshte me Besojmën e krishterë, e cila bazohej në “Besojmën” e njohur të Nikesë, me disa shtesa e komente të Atit të Shenjtë. Kësaj radhe, do t’ju njohim me pjesën ku Papa, pasi ka shtjelluar Besojmën e cituar Shën Augustinin, që thotë: “Kjo është feja që përmbahet me pak fjalë në Simbol e që u jepet të krishterëve të rinj”, vazhdon duke theksuar detyrën e të gjithë të krishterëve për ta studiuar e për t’u thelluar në Simbolin Apostolik, pra në Besojmë:
“E gjithë kjo – nënvizon Pali VI – na thotë se përmbledhja e të vërtetave të fesë, në të cilën besojmë, kërkon pastaj një studim, një zhvillim, një thellim; kjo është detyra e të gjithë besimtarëve; e atyre, që dinë të kalojnë nga formulat katekistike në tregimin më të plotë e më organik të të vërtetave të fesë, nga fjalët e thata në zhvillimin doktrinor, e, edhe më mirë, nga shprehjet verbale në përvetësimin real të vetë të vërtetave, duke eksperimentuar lumturi e habi njëkohësisht: lumturinë për pasurinë dhe bukurinë e të vërtetave të fesë e, habinë për thellësinë e gjerësinë e tyre, që mendja jonë e sheh disi, por nuk mund ta masë: kjo është përvoja më e madhe, nëpër të cilën mund të kalojë mendimi ynë. Njëlloj, kjo është detyra e mësuesve, e teologëve, e predikatarëve, të cilëve, në këtë çast historik, Kisha u bën dhuratë një mision të mrekullueshëm, atë të hyrjes në thellësi, të purifikimit, të shprehjes së mësimeve të fesë me terma të reja, të bukura, origjinale, të jetuara, të kuptueshme, thesarët gjithnjë të njëjta e të pandryshueshme të Zbulesës Hyjnore, “në të njëjtën doktrinë, në të njëjtin kuptim, në të njëjtin mendim”, siç tha Koncili I i Vatikanit (shih Vincenzo Ler., Commonitorium, 28; P.L. 50, 668; e Conc. Vat. I, De fide cath., IV, në Alberigo etj. Conc. Oec. Decreta, p. 785).
Një punë, që, mund të themi, rifillon, pra vjen pas pohimit të fesë, që viti i sapopërfunduar, na dha rastin e gëzueshëm ta shqiptojmë. Duhet të ulemi të gjithë e ta studiojmë seriozisht fenë tonë; e shpresojmë që në çdo vend të lulëzojë një letërsi e re dhe origjinale fetare”.
Bashkohemi edhe ne me urimin e Papës Pali VI, duke shpresuar që edhe shqiptarët ta kapin pendën për të shkruar një letërsi të re fetare, duke ia përshtatur kohës që jetojmë, por duke shprehur gjithnjë të vërtetat e pavdekshme të krishterimit e duke ruajtur traditën e kryeveprave letrare të së kaluarës.







All the contents on this site are copyrighted ©.