2013-04-18 15:18:04

Patriku Gregorios III Laham takohet me Papën. Thirrje për paqen në Siri


Papa Françesku priti sot paradite, Fortlumturinë e Tij Gregorios III Laham, patrik i Antiokisë së Greko-Melkitëve, në Siri. E takuam patrikun dhe i kërkuam të na shpjegojë, në mikrofonin tonë, cilat mund të jenë zgjidhjet e mundshme të gjendjes së vështirë siriane:
Fatkeqësisht, në Evropë, në Francë, në Angli, në Amerikë, nuk flitet veçse “për të armatosur”, ose “për të mos armatosur”: është vërtet mëkat, mëkat i madh, të mos mendojmë ndryshe, jashtë këtyre kategorive. Nuk flitet për përpjekje më serioze, më realiste e më të frytshme për paqen. Është vërtet e pabesueshme që njerëzit nuk e kuptojnë këtë! “Të armatosemi”, apo “të mos armatosemi”: nuk është kjo çështja! Jemi viktima të mëdyshjes sonë. Në këtë moment, kemi shumë të krishterë ndër të vrarët. E gjithçka vazhdon, sikur të mos ketë ndodhur asgjë! Ekziston një padrejtësi e dukshme në vlerësimin e situatës. Ne vdesim, çdo ditë jemi viktima të kaosit, ka rrezik të na rrëmbejnë, të vritemi në ndonjë shpërthim, që mund të ndodhë në shkollë, në fabrikë, në universitet, në kishë, duke kaluar aty afër… Problemi nuk është “të armatosemi”, apo “të mos armatosemi”. Problemi është si “të arrijmë paqen” në këtë tokë, e cila po vuan, siç tha Ati i Shenjtë në takim. Janë dy vjet Udhe Kryqi…
Konflikti në Siri ndikon edhe në vendet fqinje, si në Liban, Jordani, Izrael… Cila është perspektiva në rajon, cila është e ardhmja?
Kemi shpresë në takimin, që siç thuhet, do të zhvillohet në qershor, ndërmjet presidentit rus Putin dhe atij amerikan, Obama. Shpresojmë që dy vendet të merren vesh për mënyrën e daljes nga kriza e jo për çështjen e “armatosjes”, apo të “mos armatosjes”. Nëse dialektika është kjo, ose “kë të armatosim”, do të ketë vetëm viktima të tjera, fatkeqësi të tjera, vuajtje të tjera e luftime të tjera në gjithë Lindjen e Mesme. Më besoni, në këtë çast, Libani është më tepër në rrezik se Siria, sepse është më i brishtë, më i përçarë, është vend i vogël e problemet e tij janë të rënda. Bejruti “digjet” çdo ditë, kërcënohemi gjithnjë. Jordania mbahet akoma, Palestina gjithsesi vuan, Gaza vuan, janë të ndarë; Iraku jeton i traumatizuar, gjithnjë viktimë e shpërthimeve, e atentateve e përçarjeve të brendshme. Pikërisht për këtë, vendosja e paqes në Siri do të thotë paqe në gjithë Lindjen e Mesme, është hapi më i mirë drejt paqes në Palestinë dhe drejt zgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez. Marrëdhëniet ndërmjet Lindjes e Perëndimit kushtëzohen nga zgjidhja e drejtë e problemeve në Siri.







All the contents on this site are copyrighted ©.