Sot më 17 prill kalendari Kishtar përkujton Shën Simeonin, martir nga Persia.
Shën Simeoni, i njohur ndryshe me emrin Bar Sabbà, që do të thotë ‘biri i dërstilarit”,
u emërua ‘catholikos’ – ‘ipeshkëv’ i Seleuçisë në Persi, menjëherë pas ipeshkvit të
mëparshëm, që u shkarkua nga detyra në vitin 324.
Në vitin 340 mbreti persian
Sapori II, që rifilloi persekutimin e egër kundër të krishterëve, nuk ngurroi t’i
detyronte që të paguanin dyfishin e taksave e të mbyllte të gjitha ndërtesat e kultit.
Duke parë varfërinë e thellë të njerëzve, Simeoni nuk pranoi t’i mblidhte taksat.
I vunë menjëherë prangat.
E hoqën, pastaj, zvarrë para mbretit dhe deshën ta
detyrojnë të përulej para e tij e më pas të adhuronte zotin diell. Natyrisht nuk pranoi.
E ky mospranim u përdor si pretekst për ta mbajtur në burg, së bashku me njëqind të
krishterë të tjerë. Në birucën e burgut, i ngarkuar me zinxhirë, ipeshkvi shenjt arriti
të kthente në fenë e krishterë Ustazaden, eunuk i sallës mbretërore dhe edukator i
mbretit, i cili më pas do të martirizohej së bashku me atë që e ringjalli për një
jetë të re në gurrën e Pagëzimit.
Simeoni kaloi shumë kohë në burg, së bashku
me njëqind shokët e tij, ipeshkvij, meshtarë e anëtarë të urdhrave të ndryshme rregulltare.
Iu pre koka, pasi i therën para syve të tij, një nga një të gjithë shokët e fesë e
të mjerimit, të cilët ai i kishte përforcuar në fe aq, sa ta pësonin me guxim të pashoq
martirizimin për Krishtin. Në Martiriologun e mëparshëm Romak përmendeshin me emër
disa nga shokët e martirizimit të Simeonit, e pikërisht meshtarët Abdaikla e Hanania
si dhe zyrtari mbretëror Pusaik.
Simeoni kujtohet si kryetar i këtij grupi
martirësh në Shkurtoren siriane të vitit 412 si dhe në Martiriologun Romak, që e shënon
përkujtimin e martirëve të Persisë më 17 prill. Po në këtë datë kalendari katolik
përkujton edhe Ustazaden, që pësoi martirizimin së bashku me shumë të krishterë të
tjerë nga të katër anët e Persisë, gjithnjë me urdhër të mbretit Sapori II.