2013-04-17 14:50:32

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme: “Jezusi është avokati, që na mbron nga e keqja e nuk na lë kurrë vetëm.


Jeta e krishterë është sintezë e lutjes dhe e veprimit. Duhet jetuar me sigurinë se Krishti është gjithnjë pranë nesh e na mbron nga joshjet e së keqes. Janë disa nga pohimet e forta të Papës Françesku gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, përballë 80 mijë besimtarëve. Papa foli për Ngjitjen e Krishtit në Qiell, duke pohuar se me të, njeriu fitoi një avokat pranë Hyjit.Hyji Atë është dashuri, prej këndej, nuk është gjykatës i njeriut, ashtu si Biri nuk është akuzues, por dalzotës, që e mbron njeriun nga e keqja, e mbron gjithnjë. Mënyra sesi foli Papa për të Ngjiturit e Krishtit në Qiell, i preku thellë zemrat e 80 mijë njerëzve, që mbushnin përplot Sheshin e Shën Pjetrit dhe i duartrokisnin vazhdimisht fjalët e Françeskut. Papës, që di të prekë sa me fjalë, aq edhe me gjeste, si gjesti simpatik, gjatë takimit me besimtarët rreth Sheshit të Shën Pjetrit, kur ndërroi kësulën e tij të bardhë me një tjetër, zgjatur prej njërit nga besimtarët pas parmakut. Gjest tejet njerëzor, i përzemërt, si ai që mund ta bëjnë dy të rinj të cilët, në shenjë miqësie, shkëmbejnë kapelet. E njëkohësisht edhe gjest që i bëri besimtarët t’i kuptojnë më thellë fjalët: “Jezusi është gjithnjë pranë njeriut, është avokati ynë, dalzotësi ynë, mbrojtësi ynë pranë Atit”, që Papa do t’i shqiptonte pak më vonë, duke cituar Shën Gjonin:
“Është gjë e bukur ta dëgjosh këtë, apo jo? Kur ndokush thirret nga gjykatësi, ose paditet në gjyq, gjëja e parë që bën është të kërkojë një avokat për ta mbrojtur. Ne e kemi një, që na mbron gjithnjë, na mbron nga joshjet e djallit, na mbron nga vetvetja, nga mëkatet tona. Të dashur vëllezër e motra, e kemi këtë avokat: e nuk kemi frikë të shkojmë tek Ai e t’i kërkojmë të falur, t’i kërkojmë të na bekojë, të ketë mëshirë për ne! Ai na fal gjithnjë, është gjithnjë avokati ynë: na mbron gjithnjë! Mos e harroni këtë!”.
Kjo është pasoja e të Ngjiturit të Krishtit në Qiell. E Papa Françesku e nënvizoi pak më pas, me një figurë tjetër simbolike:
“Ai është si ngjitësi i parë që, duke u prirë të tjerëve në majë, arrin aty i pari e i tërheq të gjithë, duke u prirë kah Zoti. Nëse ia besojmë jetën tonë, nëse e lëmë të na prijë, jemi të qetë, sepse në dorë të sigurtë, në dorën e Shëlbuesit tonë, të avokatit tonë”.
Duke folur për Jezusin e ngjitur në qiell, Papa Françesku u ndalua tek pohimi i “Besojmës”. Posaçërisht ‘Ngjitja e Krishtit në Qiell’ , vërejti, ka pasoja praktike mbi të përditshmen e fesë:
Edhe ne duhet ta kemi të qartë, në jetën tonë të krishterë, se hyrja në mbretërinë e Hyjit kërkon besnikëri të përditshme ndaj vullnetit të Tij, kërkon edhe flijime e, nganjëherë, na kërkon edhe t’i ndërrojmë programet tona”.
Të njëjtat programe, të cilat Jezusi i ndërroi duke u ngjitur në qiell para Apostujve, duke u zhdukur nga sytë e tyre, e njëkohësisht, duke u bërë edhe më i afërt për ta e për misionin e tyre në fasha. Madje më i afërt, se kur ishte fizikisht ndërmjet tyre. Edhe ky aspekt, kujtoi Papa Françesku, është një tregues kuptimplotë jete për të krishterët e sotëm:
“Të dashur vëllezër e motra! Ngjitja e Krishtit në Qiell nuk tregon mungesën e Jezusit, përkundrazi: na thotë se Ai është i gjallë mes nesh në një mënyrë të re. Është pikërisht ftesë që të nisemi nga kundrimi i Jezusit, zotërues i universit, për të pasur prej tij forcën e dëshmimit të Ungjillit në jetën e çdo dite: të kundrojmë e të veprojmë, ora et labora, na mëson Shën Benedikti: si lutja, ashtu edhe puna, janë të dyja njëlloj të nevojshme në jetën tonë të krishterë”.
Ky ishte mësimi i Papës në katekizmin e sotëm. Pastaj, pëshëndetja në gjuhën italiane drejtuar turmës, pas përmbledhjes së katekizmit në gjashtë gjuhë nga një folës. E mbyllja, edhe ajo e përshkuar nga entuziazmi, kur Papa u drejtoi të rinjve, shumica studentë, të pranishëm në Shesh, ftesën:
“Të jini gjithnjë gati për ta ndjekur me entuziazëm. I riu pa entuziazëm nuk mund të kuptohet! Ecni me entuziazëm pas Zotit, e? Duke e lënë Atë t’ju prijë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.