2013-04-17 13:53:30

Papa Françesku: laikët të rizbulojnë përgjegjësinë, që kanë si të pagëzuar


Fuqia e Pagëzimit i nxit të krishterët ta kumtojnë Krishtin me guxim, edhe kur persekutohen: kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit, që si zakonisht, e kremtoi në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës në Vatikan. Të pranishëm, një grup punonjësish të Institutit të Veprave Fetare (IOR).
Edhe sot, homelia e Papës u frymëzua nga Veprat e Apostujve. Bashkësia e parë e krishterë jetonte në paqe e harmoni në Jeruzalem, por pas martirizimit të Shën Shtjefnit filloi një persekutim i paparë. Shumë besimtarë ikën në Jude e në Samari, por vazhduan ta kumtonin atje Ungjillin, megjithëse të vetëm, pa meshtarë, pasi apostujt mbetën në Jeruzalem. Kjo pjesë nga Veprat e Apostujve i dha shkas Atit të Shenjtë të tërheqë vëmendjen ndaj përgjegjësisë së të krishterëve:
“Lanë shtëpinë, morën ndoshta me vete pak gjëra; nuk kishin siguri, por shkuan nga një vend në tjetrin, duke kumtuar Fjalën e Zotit. Mbartnin pasurinë, që kishin: fenë. Atë pasuri, që Hyji ua kishte dhënë atyre. Ishin besimtarë të thjeshtë, të sapopagëzuar, prej një viti a ndoshta, pak më shumë. Por patën guximin të shkonin e të kumtonin Ungjillin. E njerëzit u besonin! E bënin edhe mrekulli!”.
Të krishterët e parë, vërejti Papa Françesku, kishin vetëm forcën e pagëzimit, që u jepte atyre guxim apostolik, kishin forcën e Shpirtit Shenjt:
“Mendoj për ne, të pagëzuarit: ne e kemi këtë forcë, por a besojmë në të? A mendojmë se na mjafton pagëzimi për të ungjillëzuar? Apo ‘shpresojmë’ që prifti të thotë, që ipeshkvi të thotë… Po ne? Kështu, hiri i pagëzimit sikur mbyllet në vetevete e ne ngujohemi pas hekurave të mendimeve e të gjërave tona. Ose, nganjëherë, mendojmë: ‘Jo, ne jemi të krishterë: e kam marrë pagëzimin, krezmimin, kungimin e parë … letërnjoftimi është në rregull’. E tani, fle i qetë: je i krishterë, posi! Por ku është forca e Shpirtit, që të bën të ecësh përpara?”
Duhet t’i qëndrojmë besnikë Shpirtit Shenjt, tha Papa, që do të thotë ta kumtosh Jezusin me jetë, me dëshmi e me fjalë:
“Kur e bëjmë këtë, Kisha kthehet në Nënë, që lind bij, e bij, e bij, sepse ne, bijtë e Kishës japim kontributin tonë. Por kur nuk e japim, Kisha nuk bëhet nënë, por dado, që kujdeset veç për ta vënë fëmijën në gjumë. Është Kishë e dremitur. Duhet të mendojmë për Pagëzimin, që kemi marrë dhe për përgjegjësinë, që sjell me vete”.
Papa Bergolio kujtoi persekutimet e shekullit XVII në Japoni, kur misionarët katolikë u përzunë e kur bashkësitë e krishtera mbetën për 200 vjet pa meshtarë. Kur u kthyen, misionarët i gjetën bashkësitë në aktivitet, të gjithë të pagëzuar, të gjithë të katekizuar, të gjithë të martuar në kishë. E kjo, nënvizoi Ati i Shenjtë, falë punës së të pagëzuarve:
“Ne të pagëzuarit, kemi një përgjegjësi të madhe: të kumtojmë Krishtin, të çojmë përpara Kishën e amësinë e saj të frytshme. Të jesh i krishterë, nuk do të thotë të bësh karrierë në një studio për të qenë avokat, apo mjek kristian. Jo! Të jesh i krishterë… është dhuratë, që na bën të ecim përpara me forcën e Shpirtit Shenjt e të kumtojmë Jezu Krishtin”.
Gjatë persekutimit të të krishterëve të parë, tha së fundi, Papa Françesku, Zoja lutej shumë e u jepte zemër të pagëzuarve të shkonin përpara me guxim:
“T’i lutemi Zotit të na bëjë të pagëzuar të guximshëm e të sigurtë se Shpirti Shenjt, që kemi brenda vetes, marrë me anë të Pagëzimit, na nxit gjithnjë ta kumtojmë Jezu Krishtin me jetë, me dëshmi e me fjalë. Ashtu qoftë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.