2013-04-17 16:00:28

Kukës: pasuritë arkeologjike në shërbim të zhvillimit të turizmit malor


Interesi i banorëve për zhvillimin e turizmit malor në zonën verilindore të Shqipërisë ka evidentuar edhe domosdoshmërinë e mbrojtjes dhe ruajtjes të vendeve historike, kulturore, arkeologjike etj.
"Qarku i Kukësit ka një pasuri të madhe arkeologjike, për të cilën duhet rritur kujdesi nga vetë pushteti vendor me synim për ta shfrytëzuar në shërbim të zhvillimit të turizmit malor", thotë studjuesi Nazif Dokle. Sipas tij, tashmë kanë pësuar dëmtime të ndjeshme zonat arkeologjike të Cinamakës, Bardhocit, Myc Hasit, Bushatit etj. "Problemi është ruajtja e tyre për të mos lënë dëmtimin e mëtejshëm të tyre", thotë Dokle.
Janë të paktën 12 qendra arkeologjike të periudhave të ndryshme kohore si, në Dajc, Kodër Pecë, Bicaj, Bushat, Domaj, Pus të Thatë, Myc - Has, Mujaj etj, që kanë jo vetëm interes studimor, por që mund të kthehen edhe në pika të vizitueshme. "Disa prej tyre deri tani janë dëmtuar dhe në këtë drejtim ka ndikuar edhe neglizhenca e pushtetit vendor", thotë inspektori i turizmit, Ilmi Hoxha. Të tilla janë vendbanimet e Kolshit, të Kënetës, vendbanimi shpellor i Dajcit, Gradishta e Bardhocit, tumat ilire të Cinamakës, kështjella e Bushatit, ajo e Domajve, e Vilës etj.
Ndër pikat arkeologjike më të përmendura janë varret e Cinamakës. Ato paraqesin ngjashmëri të shumta sidomos me atë të krahinës së pirustëve, labeatëve nga njëra anë dhe të dardanëve e desiatëve nga ana tjetër. Kjo e bën Cinamakën një nga nga perlat e verilindjes. Cinamaka ndodhet në bregun e majtë të lumit Drini i Zi, afër kanionit të Gabrricës.
Një monument tjetër arkeologjik që mund të shfrytëzohet në shërbim të zhvillimit të turizmit është edhe kështjella e Domajve. Ajo ndodhet afër fshatit Ujmisht, rreth 30 kilometra larg qytetit të Kukësit. E ndërtuar mbi një kodër afër fshatit Domaj, nga ka marrë edhe emrin, tregojnë se ka një moshë mjaft të vjetër, gjë që ka ngjallur interesin e studiuesve. Me kulla në trajtë katrore, ajo i përket antikitetit të vonë. Edhe pse materiali arkeologjik i gjetur në këtë kështjellë është i paktë, ai evidenton se kjo kështjellë ishte në funksion të trasesë antike të pellgut të Drinit të Zi që shërbente si nyje lidhëse ndërmjet rrugës Lissus - Naissus dhe rrugës Egnatia. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.