2013-04-16 10:54:48

Dy bomba në maratonën e Bostonit: 3 të vdekur e 140 të plagosur. Obama: “përgjegjësit do të dënohen”


Amerika edhe një herë në shënjestër të terrorit. Një atentat i dyfishtë përgjaku maratonën e Bostonit, një nga takimet sportive më të rëndësishme të botës. Tre, të vdekurit dhe mëse 140, të plagosurit, shumë prej të cilëve, në gjendje të rëndë. “Përgjegjësit do të dënohen” bubulloi presidenti amerikan Barak Obama, ndërsa e gjithë bota shpreh solidaritetin. “Një akt edhe më i poshtër – nënvizoi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun – sepse goditi një ngjarje, që i bashkon njerëzit”.
Ishte gati ora 3 e pasdites në SHBA, kur dy bomba shpërthyen vetëm disa metra larg finishit të maratonës së Bostonit. Ndër tre të vdekurit, edhe një djalë 8-vjeçar, që vrapoi të përqafonte të atin, i cili po përfundonte garën. Shumë prej të plagosurve u janë prerë këmbë e duar. Sipas lajmeve të fundit, është ndaluar një person i dyshuar dhe është kontrolluar një banesë. Autoritetet kanë shpallur gjendjen e emergjencës dhe u kanë kërkuar qytetarëve të mos lëvizin nga shtëpitë. Presidenti Barak Obama deklaroi: “Nuk e dimë pse dhe kush e ka shkaktuar gjithë këtë, por do t’i shkojmë punës deri në fund. Përgjegjësit do të dënohen”. Natyrisht, FBI flet për terrorizëm. Edhe një herë, Amerika gjendet, e pafuqishme, përballë një masakre të përgjakshme.
Konferenca Ipeshkvnore e SHBA-ve shpreh dhimbje të thellë për ç’ndodhi dje. “Lutjet tona – shkruan në mesazh, kardinali O’Malley, kryeipeshkëv i Bostonit – janë për të gjithë ata, që pësuan një traumë të jashtëzakonshme, sidomos për ata, që kanë humbur dikënd, ose kanë mbetur vetë të plagosur”. Prelati falenderon forcat e policisë e zjarrfikësit dhe të gjithë ata, që sollën në vendin e atentatit, ndihmën e shpejtë.
Nga Bostoni, të dëgjojmë korrespondentin e gazetës italiane “La Stampa”, Mauricio Molinari:
Një person i dyshuar është ndaluar nga policia, e cila po kontrollon një apartament në qytet. Prova më e rëndësishme në dorën e FBI është lloji i eksplozivit, që është përdorur për bombat, pavarësisht se nuk thuhet emri i tij. Edhe në vitet e kaluara, kur janë shmangur atentate të tjera, ka qenë eksplozivi ai, që i ka çuar hetuesit në gjurmët e atentatorëve. Kjo mënyrë të vepruari, me dy bomba, është i mirënjohuri “sandwich” i shpikur në Liban nga hezbollahët, në fund të viteve 70. Në thelb, shpërthimi i parë aktivizon policinë dhe ndihmën e shpejtë, ndërsa i dyti vret të plagosurit në terren, por edhe njerëzit, që kanë ardhur për ndihmë. Në këtë rast, dimë metodën, por nuk jemi të sigurtë se ajo është përdorur nga ndonjë organizatë e Lindjes së Mesme.








All the contents on this site are copyrighted ©.