2013-04-16 11:54:28

Benedikti XVI mbush 86 vjeç. Kujtimet e fëmijërisë: “Ishim një zemër e një shpirt i vetëm”


Benedikti XVI mbushi pra sot 86 vjeç. Siç dihet, Papa i nderit lindi në një qendër të vogël bavareze, që quhet Marktl am Inn, më 16 prill 1927. Atë ditë, kujton Jozef Racinger në një autobiografi të publikuar në vitet ’90, ishte e Shtuna e Madhe, e shton: “u pagëzova të nesërmen në mëngjes, me ujin e bekuar të natës së Pashkëve”. Për Papën e nderit, kjo ka qenë “shenjë paralajmëruese” e Zotit. Sot, po e kujtojmë fëmijërinë e Benediktit XVI, përmes fjalëve të tij, shqiptuar në Takimin Botëror të Familjeve, në Milano, më 2 qershorin e kaluar, duke iu përgjigjur pyetjeve të një vajze të vogël.
Jozef Racinger kujtoi me gëzim fëmijërinë e familjen, jeta e së cilës rrotullohej rreth së dielës, Ditës së Hyjit. Madje, e dila fillonte që të shtunën, kur i ati lexonte Ungjillin e së nesërmes e kështu, Jozefi e vëllai i tij, Georg, hynin në atmosferën e gëzueshme të liturgjisë të së dielës:
“Të nesërmen shkonim në meshë. Shtëpia ime është afër Salsburgut, prandaj mesha shoqërohej me shumë muzikë – Moxart, Shubert, Hajdn – e kur fillonte ‘Kyrie’ dukej sikur hapej qielli. E natyrisht, kur ktheheshim në shtëpi, ishte e rëndësishme dreka, të gjithë bashkë”.
Jozefit të vogël i pëlqente shumë muzika. Benedikti XVI kujtoi se si këndohej shpesh në familje, sepse i vëllai, drejtori i ardhshëm i korit të katedrales së Regensburgut, që i ri, kompozonte pjesë të shkurtra. Së bashku me muzikën, pasioni tjetër i familjes Racinger ishin shëtitjet nëpër shtigjet, me të cilat është shumë e pasur Baviera:
“Jetonim pranë një pylli e kështu shtëtitja në pyll ishte diçka shumë e bukur: aventura, lojra etj.. Me një fjalë, ishim një zemër e një shpirt i vetëm, me përvoja të përbashkëta, në kohë të vështira, sepse ishte kohë lufte, së pari kohë diktature, pastaj, varfërie”.
Benedikti XVI nënvizoi dashurinë e ndërsjelltë në familje. Një dashuri e fuqishme, që të gëzon edhe për gjërat më të thjeshta, duke të ndihmuar të kapërcesh sprovat më të vështira:
“Më duket se kjo ishte shumë e rëndësishme: edhe gjërat e vogla na sillnin gëzim, sepse kështu shprehej zemra e tjetrit”.
E kështu, shtoi Papa i nderit, jemi rritur me sigurinë se është mirë të jesh njeri, pasi e shihnim mirësinë e Zotit të pasqyruar në prindërit e vëllezërit. Kaq shumë i pëlqen fëmijëria e tij, sa duke folur me vajzën e vogël në Takimin e Milanos, Benedikti XVI imagjinoi se ishte si Parajsa:
“Kështu, në këtë atmosferë besimi, gëzimi e dashurie, ishim të lumtur e mendoj se Parajsa duhet të jetë diçka e ngjashme me rininë time. Në këtë kuptim, shpresoj të kthehem ‘në shtëpi’, kur të shkoj ‘në anën e përtejme të botës’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.