2013-04-14 18:20:11

Mesha e Papës në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës


Sot, në orën 17.00, Papa Françesku u largua nga Vatikani drejt Bazilikës së Shën Palit jashtë Mureve të Romës. Kryesoi këtu Kremtimin solemn eukaristik, me rastin e marrjes në dorëzim, si ipeshkëv i Romës, të Kishës, që ngrihet mbi varrin e Shën Palit. Për ta pritur kishte dalë e gjithë bashkësia benediktine, me abatin Edmund Power, i cili na e përshkruan kështu këtë ngjarje, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Ati i Shenjtë, si të gjithë Papët, arriti në pjesën e fasadës kryesore të Bazilikës, tek katër portat e, pasi përshëndeti bashkësinë, që po e priste këtu, veshi petkat e Meshës. Hyri, më pas, në Bazilikë me procesion. Bazilika jonë është vigane e, megjithatë, nuk mjaftoi për t’i zënë gjithë ata njerëz, që kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë ngjarje. Si arriti tek Elteri i Dëshmimit, ku ndodhet edhe Varri i Apostullit të Popujve, Papa u ndalua për një çast nderimi e meditimi. Pastaj filloi Mesha Shenjte. Papa e kryesoi nga froni, në absid, ku ka më shumë hapësirë. Kështu e gjithë bazilika ishte e lirë për besimtarët. Në përfundim, një çast kushtuar nderimit të ikonës së Zojës, para së cilës Shën Injaci i Lojolës, në vitet ‘500, bëri kushtet rregulltare.

Pyetje: - Me ç’sy e shikon bashkësia juaj benediktine e Abacisë së Shën Palit këtë vizitë të Papës Françesku?

Përgjigje: - Kjo vizitë e Papës Françesku ka një domethënie të madhe për ne, sepse dimë që bashkësia jonë benediktine u themelua përafërsisht në vitin 720, nga Papa Gregori II, pikërisht për ta ndihmuar Atin e Shenjtë në detyrën e pritjes së shtegtarëve tek Varri i Shën Palit. E kjo lidhje me Ipeshkvin e Romës mbetet e pakëputur në shekuj. Prej këndej, manastiri ynë njihet si manastir papnor. Kjo është vizita e parë e Papës Françesku, edhe ai rregulltar, si ne, domethënë jezuit. Jemi shumë të kënaqur që na u dha rasti ta presim në Bazilikën e Shën Palit, në bashkësinë e tij monastike, bashkëpunëtore e Papës, në cilësinë e Ipeshkvit të Romës e të Bariut të Kishës Universale, për nevojat e shtegtarëve, që vijnë në Romë.

Pyetje: - Ç’kuptim ka gjesti i Papës, në lutje mbi varrin e Shën Palit? Pasardhësi i Pjetrit, që lutet mbi varrin e Apostullit të Popujve?
Përgjigje: - Flitet shpesh për ministerin petrin të Ipeshkvit të Romës. Por duhet kujtuar se Kisha, që në zanafillë, nuk është vetëm e Pjetrit: është e Pjetrit dhe e Palit. Të dy apostujt simbolizojnë tërësinë e Kishës, unitetin, qendërsinë dhe kuptimin misionar, dinamik: të dy këto aspekte janë njëlloj të rëndësishme. Misionin e Papës mund ta quajmë, prandaj ‘Pjetropaolin”. Kaq mund të thotë abati i Shën Palit jashtë Mureve të Romës.







All the contents on this site are copyrighted ©.