2013-04-13 12:48:40

Shenjtorët e javës


E diel 14 prill Kisha kremton të Dielën e tretë të Pashkëve e po më 14 prill kalendari kujton shën Tiburcin, Valerianin e Maksimin, martirë. Liturgjia e kësaj së diele na flet për dukjen e re të Jezu Krishtit të Gjallë ndaj dishepujve. Është dëftimi i të Ngjallurit në jetën e përditshme. Fjala e Zotit kështu na flet edhe për ecjen tonë gjurmëve të Krishtit të Gjallë sipas shembullit të Pjetrit apostull, figurën e të cilin na paraqesin leximet biblike të bindur e të fortë në fe, por edhe në brishtësinë e tij njerëzore, të shëruar nga dashuria e Krishtit.

Të hënën më 15 prill, kalendari kishtar kujton shën Abondin, Damianin De Vuester, Maronin. Këta na mësojnë se kulmi i dashurisë për Zotin është t’ua dhurosh të tjerëve gjithë vetveten me dashuri.

Të martën më 16 prill, nga kalendari kujton shën Marinë Bernardeta Soubirous, virgjër, e shën Benediktin Jozef Labre. Në liturgjinë e ditës, Jezusi na përsërit se dëshiron të mbretërojë në zemrat tona, duke na larguar nga shpirti çdo trazim.

Të mërkurën më 17 prill, kalendari Kishtar kujton shën Simeonin, ipeshkëv e martir, shën Robertin, abat. Këta shenjtorë na ftojnë të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit e të kujtojmë se i krishteri është i thirrur të sjellë fryte vëllazërimi, dashurie e shenjtërie, gjithnjë i mbështetur në hirin e Zotit.

Të enjten më 18 prill, kalendari kishtar kujton shën Galdinin, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal. Të krishterët e vërtetë do të urrehen ose do të kundërshtohen gjithnjë. E ka parafolur vetë Jezusi, që është e Vërteta, por kush do të vijojë të ecë në rrugën e Tij, do të shëlbohet.

Të premten më 19 prill, kalendari kishtar kujton shën Leonin IX, papë. Liturgjia e ditës na thotë se Jezusi vjen nga Lart. Ai është Biri që Ati e do: ka marrë Shpirtin Shenjt me begati e gjithçka është lënë në duart e Tij. Të mos e pranosh Krishtin, të mos besosh në Birin, do të thotë të meritosh zemërimin e Hyjit.

Të shtunën më 20 prill, kalendari kujton shën Aniçetin, papë dhe shën Anjezen nga Montepulçiano, virgjër dominikane. Këta na kujtojnë se Jezusi përkujdeset, me një mrekulli, t’i japë të hajë turmës që e ndiqte. Por ai ka ardhur për një jetë shumë më të lartë e i bën të gjithë ta kuptojnë këtë, ndërsa largohet nga skena e mrekullisë.

Të dielën që vjen më 21 prill, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e Katërt të kohës së Pashkëve. Gjithnjë më 21 prill kalendari kujton shën Anselmin, kryeipeshkëv i Kënterbërit e doktor i Kishës dhe shën Apollonin filozof e martir romak. Liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele na flet për Jezu Krishtin si Bariun e Mirë. Ta dëgjosh zërin e tij e të ndjekësh gjurmët e tij do të thotë të hysh në bashkim me Të e me Atin Qiellor e të humbasën shpirtin.
Këtë të diele kremtohet Dita e 50-të Botërore e lutjes për thirrje të shenjta meshtarake e rregulltare.







All the contents on this site are copyrighted ©.