2013-04-13 14:12:37

Papa Françesku krijon një grup të kardinajve për rishqyrtimin e Pastor bonus mbi Kurien Romake


Papa Françesku, duke marr shkas nga një sugjerim që doli gjatë Mbledhjeve të Përgjithshme para Konklavit, ka krijuar një grup të kardinajve për ta këshilluar në qeverisjen e Kishës universale e për të studiuar një projekt për shqyrtimin e Kushtetutës Apostolike ‘Pastor Bonus’ mbi Kurien Romake. Kështu njofton një deklaratë e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit.
Grupi i përmendur përbëhet nga kardinajt: Giuseppe Bertello, President i Guvernatoratit të Shtet-Qytet të Vatikanit; Francisco Javier Errazuriz Ossa, kryeipeshkëv nderi i Santiagos së Kilit; Oswald Gracias, kryeipeshkëv i Bombeit (Indi); Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Munih-Feisingut (Gjermani); Laurent Monswengo Panisya, kryeipeshkëv i Kinshasës (Republika Demokratike e Kongos); Sean Patrick O’Malley, kryeipeshkëv i Bostonit (SHBA); George Pell, kryeipeshkëv i Sidneit; Oscar Andrés Maradiaga Rodrìguez, kryeipeshkëv i Tegucigalpa (Honduras), me funksionin e koordinatorit. Në grup të kardinajve figuron edhe imzot Marcello Semeraro, ipeshkëv i Albanos (afër Romës), me funksionin e sekretarit. Mbledhja e parë kolektive e grupit është caktuar nga data 1 deri më 3 tetor 2013. Papa Françesku që tani është në kontakt me Kardinajt e përmendur.
Gjatë një takimi me gazetarë në Sallën e Shtypit të Vatikanit, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë atë Federiko Lombardi, pohoi se Papa Françesku ka dashur të tregoi se e ka bërë të vetin sugjerimin që Konklavi kardinalor pati treguar gjatë Kongregacioneve apo Mbledhjeve përgatitore për Konklavin. Ky është një grup – saktësoi zëdhënësi i Vatikani – që thirret e mblidhet për të dhënë këshilla: kush realisht e ndihmon Papën në qeverisjen e Kishës ditë për ditë me kompetenca përkatëse të përcaktuara sipas detyrave, është Kuria Romake, pra bashkëpunëtorët e përhershëm që e shoqërojnë Papën në qeverisjen e Kishës. Kjo – tha atë Lombardi - më duket më vend për t’u theksuar që të shmangen biseda e hamendje sipas të cilave shërbimi i Kuries Romake vihen në rend të dytë apo reduktohet përgjegjësia e saj: Kuria Romake mbetët me të gjitha kompetencat e veta e me të gjitha përgjegjësitë që në shërbim të Atit të Shenjtë pikërisht në qeverisje të Kishës universale.
Flitet për mbledhjen e parë për në tetor – tha akoma atë Lombardi – prandaj nuk është një grup që duhet të mblidhet në kohë shumë të shkurta, në mënyrë të shpejt, me ndonjë urgjencë. Janë disa muaj përpara që të mbahet mbledhja e parë. Pastaj nuk thuhet asgjë lidhur tipologjinë e periudhës apo të përcaktimit të kohës për takimet apo mbledhjet e grupit: e sipas gjasave do të kalojnë muaj ndërmjet një mbledhje e tjetre. Por, këtë e vendos personalisht Papa me rastin e mbledhjes së parë. E gjatë kësaj kohe – kujtoi atë Lombardi – Papa Françesku është duke vijuar punën e tij të njohjes edhe të Kuries Romake, të bashkëpunëtorëve të tij: ka audienca me përgjegjësit, pra prefektët e Kongregacioneve e të dikastereve të ndryshme të Selisë së Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.