Atë Luigji Paliq, ofm,martir, në përvjetorin e lindjes
Kujtojmë me 14 prill martirin shqiptar, françeskanin Atë Luigjin Paliq në përvjetorin
e lindjes së tij. Ai lindi në Janjevë, afër Prishtinës, në dioqezën e Shkup-Prizrenit,
më 14 prill 1878. Prindërit Toma e Paulina e pagëzuan me emrin Mati. Që i vogël
u thirr nga Zoti për rrugën rregulltare në radhët e fretërve të vegjël françeskanë.
Studioi në Shkodër, Troshan e Itali, ku më 23 shtator 1896 veshi zhgunin e Shën Françeskut.
Kushtet e përkohshme rregulltare i bëri më 23 shtator 1897, të përjetshmet, më 8 dhjetor
1901.
Mbas kremtimit të Meshës së parë, më 20 prill 1903, nisi misionin si
bari i shpirtrave në Baz, 10 orë larg Lezhës, e njëkohësisht mblodhi lëndën që i nevojitej
për ndërtimin e Kishës së re të Gllogjanit.
Nga fundi i shkurtit 1913 sllavët
filluan persekutimin e shqiptarëve katolikë, duke nxjerrë si pretekst dorëzimin e
armëve. Bariu trim u kap e u burgos në burgun e Gjakovës, në sa vizitonte besimtarët
e shpërndarë në fshatra të ndryshme, për t'i përforcuar në fenë e krishterë të të
parëve, e cila ishte në rrezik.
I kërkuan ta mohonte publikisht këtë fe. E
dërmuan me shuplaka e me shkopinj, e pështynë, e fyen, pastaj e nxorën para një gjykate,
që e ngarkoi me shpifje. Së fundi, me 52 të burgosur të tjerë, e nisën rishtas për
Pejë. Pater Luzi, siç e quante populli, ishte gjysmë i zhveshur, i mbuluar me plagë.
Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje treguan më pas se ai nuk mund të ecte më. Atëherë
nisi të hiqej zvarrë, i ngacmuar, i pështyrë, i shtyrë nga ushtarët. I mungonte vetëm
Kryqi, për t'i përngjarë plotësisht Krishtit. Një pop i bëri thirrjen e fundit të
ndërronte fenë, në se nuk donte të humbiste jo vetëm kokën, por dhe shpirtin, i cili
do t'i digjej në fund të skëterrës. Ai s'u përkul, nuk u thye as nga mundimet e as
nga premtimet. U tregoi atyre njerëzve të armatosur deri në dhëmbë se për të feja
e populli i tij vlenin më shumë se vetë jeta. E mbytën më 7 mars 1913, duke e shporuar
me bajoneta e kështu e bënë edhe më të ngjashëm me Krishtin e i falën një martir të
ri Kishës katolike në Shqipëri.
Gazetat evropiane të kohës, si e përshkruanin
këtë ngjarje të shëmtuar, shkruanin: "Nuk mund të mendohet që një punë e tillë të
ngjasë në Evropën e shekullit XX". Gjithsesi askush nuk e luajti gishtin për t'ia
prerë rrugën tragjedive të tilla, për t'i dhënë fund martirizimit të të krishterëve
në trojet shqiptare. Pas Atë Luzit (Luigjit), mbytur barbarisht nga serbët, për shkak
rë mbrojtjes e rrëfimit të Ungjillit të Krishtit e të identitetit kombëtar, do të
binin në fushën e betejës disa qindra të tjerë.
E Evropa, ishte rishtas me
gojë hapur, sikur trojet shqiptare të mos ishin pjesë e saj, do të çuditej duke parë
si në Kolosetë moderne bijtë e Krishtit vijonin ta dhuronin pa kursim gjakun për Ungjillin
e Krishtit, për Kishën e tyre, për popullin e tyre, për Atdheun e tyre e, pse jo,
edhe për një Evropë më të krishterë, më të mirë! Shumë bujë bëri vdekja e këtij martiri
të fesë e të kombit. E shumë hetime e bisedime diplomatike shkaktoi.
Më në
fund, më 7 tetor 1913, në praninë e Kolonelit austro-hungarez Schueler, përfaqësuesit
të qeverisë malazeze Sposojeviç, ipeshkvit imzot Lazër Mjedës dhe një turme pafund
me rregulltarë e besimtarë, u bekua guri i parë i Kishës së re në Gllogjan. Të nesërmen,
më 8 tetor 1913, e njëjta turmë u mblodh afër Janoshit, tek varri i Atë Luzit, mbi
krye të të cilit ishte vendosur një Kryq hekuri me këtë mbishkrim: "P. Aloysius Paliq,
ndërroi jetë në vitin e Hyjit 1913" . Ky varr, ku imzot Mjeda kremtoi Meshën e parë
për shpirt të martirit, është vend shtegtimi e në të ardhmen urojmë të kthehet në
një elter të ri. Martiri fitoi!